MotoGP, në Malajzi fiton Pedrosa dhe shiu

21/10/2012 11:35

Dani Pedrosa u rendit i pari në garën e Sepangut, në Malajzi, e cila u ndërpre shtatë xhiro përpara përfundimit të saj për shkak të rreshjeve të dendura të shiut.

Pas pothuajse gjysmë ore ndërprerje, me kohën që po përkeqësohej, organizatorët e garës vendosën që të shpallnin si përfundimtare renditjen e xhiros së 13-të, moment në të cilin Pedrosa kryesonte.

Në podiumin e Malajzisë u ngjitën rivali tjetër i madh për titullin, Jorge Lorenco me Jamaha dhe në vendin e tretë, kampioni i botës në fuqi, Casey Stoner.

Gara e Malajzisë ishte e treta nga fundi dhe rezultati ngushton në 23 pikë diferencën midis Lorencos dhe Pedrosës, duke e bërë kampionatin që të jetë më i hapur se kurrë.

Për t’u përmendur, fakti se përpara garës, të gjithë pilotët dhe skuadrat përkujtuan Marco Simoncellin, pilotin italian të ndarë nga jetë një vit më parë, pas një aksidenti në të njëjtën pistë.

Top Channel