Aleksandër Çipa – Marrëdhënia e qeverisë “Berisha” me grevën gati njëmujore të ish të përndjekurve politikë në Tiranë, po shndërrohet në një “çështje kyçe”.
Një kosto të përditshme morale dhe publike po merr qeveria dhe në mënyrë të veçantë Kryeministri Berisha. Është fjala për një humbje të besimit politik, të cilin e ka zotëruar gjatë dy dekadave politikani që kryeson të djathtën zyrtare dhe që gjatë kësaj kohe ka administruar mbështetjen e ardhur prej elektoratit të kësaj përkatësie. Një ndëshkim i fortë moral po shtatzanohet mes Kryeministrit dhe opinionit publik shqiptar, por në mënyrë eksplicite, mes të djathtëve dhe tashmë jo vetëm atyre.
Nuk ka dyshim se kjo marrëdhënie mes Kryeministrit dhe grevës së ish të përndjekurve, gjatë kësaj jave ka shkuar edhe më skajshëm. Njëra palë po dëshmon përvuajtjen reale të grevës dhe urisë, duke shkaktuar një ndjeshmëri për çdo orë e më të madhe në opinionin publik dhe atë ndërkombëtar, ndërsa pala tjetër, domethënë qeveria, është imponuar në pozicionin e përcaktuar me këmbëngulje nga Kryeministri, për t’i injoruar pjesëtarët e kësaj greve. Në këtë marrëdhënie ka vonuar ndërhyrja tjetër, ajo e opozitës. U deshën të kalonin 20 ditë që të nisnin reagimet luajaliste nga ndonjë parti rishtare për dialog dhe marrje në konsideratë të kërkesave sociale që kanë grevistët. Pas kësaj vonuan të reagonin edhe ambasadorët e huaj në Tiranë. Opozita, pretendente për të ardhur në pushtet, preferon të reagojë me zëra individësh të saj, duke dëshmuar hapur se nuk ka kurajë të marrë përsipër qoftë edhe një tubim në mbështetje të kërkesave të tyre. Pas 25 ditësh, kryetari i saj, Rama, tenton të prekë në burrëri Kryeministrin Berisha, duke i kërkuar atij pas ambasadorëve, të vendosë dialog me grevistët.
Kjo tablo e trishtë shqiptare, po ekspozon brendinë reale të realitetit të mjerë në të cilin gjendet shoqëria e kësaj Shqipërie. Një shoqëri pa aktorë dhe me zëra të njësuar në mërmërima. Një realitet që të bën të shijosh se hipokrizia dhe demagogjia, janë bërë ndërgjegje masive, ndërsa guximi dhe kurajua, po shpërfillen dhe injorohen si në kohë kolere. Në këtë mjedis dhe këtë brendi sociale, Kryeministri Berisha po prodhon një kapitull, pse jo edhe të fundmë të politikëbërjes së vet si Kryeministër. Po vetëkrijon pjesën më të keqe të portretit të vet real prej politikani dhe qeverisësi që përbuz vetëflijimin dhe sakrificën e një shtrese me biografi të pazhbëshme përvuajtjesh të skajshme.
Kryeministri po vetërrëzon qeverinë me këtë rrugë dhe këtë qëndrim që po mban me grevistët. Ata nuk janë vetëm disa individë që në mënyrën më sakrifikante po përcjellin ditët e një greve vetëflijuese. Kjo është një kategori që stoicizmin e ka virtyt dhe jetë. Për këtë arsye ata përbëjnë një rrezik jo vetëm sfidant për të ardhmen politike të Kryeministrit, por janë “gladiatorë” modernë të lirisë që ekziston si frymë dhe si bindje. Liria e tyre është kryekëput e ndryshme, është ana tjetër e medaljes së lirisë që pretendojnë se kanë të palirët militantë besnikë apo ministrat e sotëm, që dikur i njohëm si dhjetoristë apo si “demokratët antikomunistë”. Nga kjo e fundit, te këto specie, s’ka mbetur më asgjë.
Greva e ish të përndjekurve po kërcënon realisht ekzistencën e mëtejshme të qeverisë, nëse lihen edhe për orë e aq më tepër për pak ditë, në këtë shpërfillje. Në atë çadër grevistësh po shenjohet një ndarje e thellë jo mes qeverisë dhe atij grupi, por mes dy kampeve që nuk janë më në simetrinë e dy palëve simetrike. Kjo asimetri kësaj here është e rrezikshme vetëm për qëndrueshmërinë e mëtejshme të qeverisë. Në rrugët dhe mjediset e bisedave të lira qytetare po shumështohen konstatimet se Kryeministri po shkon në ekstrem. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, mbi bazën e të cilit padia e bërë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës për paligjshmëri të grevës, në bindjen publike është shtuar edhe një fakt anti-Berishë. Ky vendim i denoncuar fuqishëm nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me gjasa do të shndërrohet në një tjetër argument serioz për kapjen e drejtësisë nga ekzekutivi dhe për nënshtrimin e gjykatës në përgjithësi.
Qeveria po ecën me kokëfortësi në rrugën e rrëzimit dhe të kapjes së të gjitha forcave të pushteteve. Kjo është tashmë e pohueshme prej gjithkujt. Në demokraci shpesh qeveritë bien nga mbipushteti. Heshtja e shoqërisë civile, apo pafuqia e saj për të organizuar një reagim, nuk ndëshkon më shoqërinë, por dimensionon rrezikun e Kryeministrit për politikanin Berisha. Deklarimet e njëhershme të ambasadorëve më të shprehur dhe me ndikim në vend, përkatësisht atij të SHBA-së, zotit Arvizu, të BE-së, zotit Sequi dhe të OSBE-së zotit Wollfarth, janë prita e parë paralajmëruese për qeverinë.
Në marrëdhënien me këtë grevë Kryeministri Berisha nuk mund të ketë më justifikim dhe të drejtë nëse viktimizohet edhe dikush tjetër. Kjo është pika kritike e kësaj marrëdhënieje. Larg qoftë, nëse ngjet diçka e tillë, atëherë, Kryeministrin nuk e ndihmon më dot kompleksi i mospërfshirjes së opozitës socialiste e as reagimi twitter-ian i kundërshtarit të tij, Rama. Episodi i paralajmëruar i grevistëve nuk ka asnjë ngjashmëri me ndërgjegjen pritëse të kandidatit për Kryeministër, opozitarit pa kurajë, zotit Edi Rama. Në këtë përballje me çadrën e grevistëve, Kryeministri rrezikon të provokojë një konflikt politik jo me kundërshtarët e vet opozitarë, por me opozitarizmin qytetar, me opozitarizmin e së djathtës politike natyrale dhe me oponentët shumëngjyrësh të diplomacisë dhe institucionalizmit europian, sikundër potencialisht në këtë formacion “anti” pritet të përfshihet edhe administrata dhe burokracia e Brukselit dhe Uashingtonit.
Kjo është situata që e ka bërë më të pagjumë se kurrë Kryeministrin Berisha. Mjetet dhe lëvizjet e deritanishme të përdorura, sikundër edhe arsenali i propagandës së vet, po e ndëshkojnë me antiefektin. Gjendet realisht në një situatë të vështirë. Në çaste të rrezikut, ai e njeh edhe strategjinë e kapërcimit. Retorika ka qenë art i leverdishëm përgjatë gjithë karrierës politike, por kësaj here përballet me një grup të vogël social, i cili propagandën dhe demagogjinë e peshoi me jetë-burgim të gjatë. Kjo është kategoria që opozitarizmin e mbart si ndërgjegje dhe bindje, nuk është si opozita aktuale politike që kundërshtimin e ka formë të vetme propagande.
Në këtë hall ekzistencial politik po gjendet kjo qeveri, ndërsa po i afrohet muajit të kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit. Natyrisht, emisarët dhe kryesuesi i saj nuk e pohojnë si të tillë këtë gjendje. Por indikacionet që rrjedhin dhe ndjeshmëritë që po shkaktohen për çdo orë, flasin për një moment me pasoja rrënuese për qeverinë e vendit. Alternativë nuk është forca, por zbritja në dialog. Refuzimi i mëtejshëm i tij, demaskon qeverinë dhe ndëshkon pashmangshmërisht atë dhe Kryeministrin. Enturazhi i tij në këto çaste mund t’i pëshpëritë thjesht: Yni Zot, po na rrëzon për hiçgjë!
Top Channel