Çelsi, Di Mateo s’e konfirmon Terrin kapiten

20/10/2012 01:20

Xhon Terri është ende kapiten i Çelsit, pavarësisht se trajneri Roberto di Mateo ka refuzuar të konfirmojë një gjë të tillë. Terri u pezullua me 4 ndeshje dhe u gjobit me 220 mijë paundë pasi një komision ligjor i Federatës së Futbollit e shpalli atë fajtor për abuzime raciste ndaj mbrojtësit të QPR-së, Anton Ferdinand.

Terri pranoi ndëshkimin ditën e enjte dhe kërkoi falje për gjuhën e përdorur, ndërkohë që edhe Çelsi deklaroi se kishte marrë masa të brendshme disiplinore ndaj lojtarit, natyra e të cilave do të mbeten konfidenciale.

Di Mateo deklaroi se Terri e di tashmë, nëse do të mbetet apo jo kapiten i Çelsit, por tekniku italian refuzoi ta bënte publik vendimin. “Nuk do t’i diskutojmë publikisht masat disiplinore që ne marrim ndaj lojtarëve tanë. Ato mbeten gjithmonë konfidenciale. Do t’iu duhet të prisni e të shihni se çdo të ndodhë”, tha Di Mateo.

Top Channel