Çiklizmi braktiset nga sponsorët

19/10/2012 16:15

Banka holandeze “Rabobank” vendosi të shpërndajë skuadrën e saj të çiklizmit dhe të ndërpresë të gjithë investimet e saj në këtë sport, pas rastit më tronditës të dopingut, atë të njeriut më të suksesshëm në historinë e çiklizmit.

Shtatë herë fituesit te Turit të Francës, Lance Armstrong, iu hoqën të gjithë titujt e fituar në 14 vjet karrierë, pasi u vërtetua se ai kishte udhëhequr operacionit më të fshehtë dhe më të sofistikuar të dopingut, në historinë e sportit boteror.

Ky ishte vetëm rasti i fundit i përdorimit të substancave të ndaluara, në një sport që prej kohësh vuan nga ky fenomen.

“Nuk jemi më të bindur se çiklizmi është i pastër, prandaj kemi vendosur që të ndërpresim përfshirjen tonë në këtë sport”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i “Rabobank”, Bert Bruggink.

Pas 17 vitesh pjesëmarrje në Turin e Francës dhe në garat e tjera më të rëndësishme çiklistike, skuadra e “Rabobank” do të pushojë së ekzistuari në 31 dhjetor 2012.

Përpara bankës holandeze, gjigantja e produkteve sportive, “Nike”, vendosi të ndërpriste kontratën e saj me Armstrong dhe të gjitha kontratat e tjera çiklistike për shkak të kësaj situate.

Një vendim të tillë, kanë marrë në këto ditë edhe kompania amerikane e gomave, “Trek”, prodhuesit gjerman të birrës “Budweiser” dhe firma amerikane e pijeve energjike, “Anheuser-Busch”.

Top Channel