Thellohet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve

17/10/2012 18:25

Raporti i fundit i “World Ultra Wealth” tregon se në Shqipëri janë 55 persona që zotërojnë një pasuri prej 7 miliardë dollarë. Sipas raportit, në këtë klasifikim janë përfshirë vetëm ata individë që kanë të paktën 30 milionw dollarë pasuri.

Të dhënat tregojnë se pasuria e multimilionerëve shqiptarë nuk ka ndryshuar nga viti i kaluar pavrësisht krizës ekonomike botërore. Çka fakton se efektet e mundshme të krizës financiare, nuk e kanë bërë asnjërin prej tyre që ta humbasë statusin e të qenit “ultra i pasur”, siç ka ndodhur në Evropë, ku 1.054 persona nuk quhen më të tillë që nga viti i kaluar.  

Pas publikimit në revistën “Forbes” të listës së njerëzve më të pasur në planet, gazeta “Bota Sot” në Prishtinë publikoi një listë me 10 njerëzit më të pasur në Shqipëri. Media e Kosovës thotë se klasifikimi është bërë duke iu referuar bizneseve që këta persona menaxhojnë duke mos publikuar shifrën e pasurisë që zotërojnë ata. Burimi i informacionit, sipas gazettes, është Qendra Kombëtare e Regjistrimit të bizneseve në Shqipëri. Por, si po shfaqet kriza ekonomike në vendin tonë?

Sipas një raporti të Bankës Europiane për Rindërtim dhe zhvillim në vitin 2010 thuhet se kriza ekonomike ka prekur shumicën e familjeve shqiptare. Rreth 60% e të anketuarve të raportit thonë se familjet e tyre kanë qenë dukshëm më të prekura nga kriza ekonomike në krahasim me vitet e tjera. Kjo përqindje është më e lartë se vendet e rajonit, pavarësisht faktit se Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike gjatë viteve të krizës. Ndërkohë raporti i fundit i Agjensisë së Sigurimit të Depozitave në vitin 2010 tregon se hendeku mes shtresave ekonomike është shumë i madh. Depozitat me shumën deri në 2 500 mijë lekë, zënë rreth 45 % të totalit të depozitave të individëve.

Kurse numri i depozituesve, të cilët e kanë shumën e depozitave të tyre deri në 2 500 mijë lekë, dominon duke zënë 96% të totalit. Cka do të thotë se vetëm 4% e individëve zotërojnë depozita me mbi 2 milion e 500 mijë lekë, të cilat në total zënë 55% të shumës së depozitave.

Indikatorë të tjerë tregojnë se hendeku mes të pasurve dhe të varfërve vazhdon të rritet çdo ditë. Në një vëzhgim në argjendaritë e Tiranës vihet re së produktet më të shtrenjta vazhdojnë të shiten me të njëjtat ritme si para krizës ekonomike, ndërsa për produktet më të lira rënia e shitjeve është drastike.

Elementë të vështirësive ekonomike për shumicën e popullsisë vihen re edhe në të dhënat se sa harxhuan shqiptarët për pushimet këtë vit. Kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë tregon se janë shtuar kërkesat për pushime ekzotike me kosto të lartë, ndërsa një pjesë e madhe e pushuesve këtë vit zgjodhën Greqinë për shkaka të çmimeve të lira: “Pushimet verore u ulën në 1 javë dhe jo 10 apo 15 ditë. Pati një tendencë të të pasurve për të shkuar në Karaibe, Seishel apo Maldive.”

Të dhëna të tjera që tregojnë nivelin e krizës ekonomike vijnë nga Drejtoria e Doganave ku raportohet se vitet e fundit është ulur ndjeshëm importi i makinave të reja, ndërkohë që preferohen më shumë makinat e përdorura edhe pse taksat për to janë më të larta. Ndërkohë, blerjet me lista apo rënia e konsumit në përgjithësi janë tregues se shumica e njerëzve po varfërohet. Këto janë vetëm disa të dhëna që tregojnë se kriza ekonomike duket se i ka rrënjët e thella në ekonominë tonë.

Kriza e huaj

Krizë fianciare? Për çfarë krize fianciare bëhet fjalë? Ose të paktën të pasurit dhe super të pasurit e planetit nuk e njohin këtë koncept. Madje gjatë kësaj periudhe jo të mirë finaciare që nisi me krizën e kredive në SHBA dhe po vazhdon me atë të euros në Evropë, ata që konsiderohen si 1% i pasur i popullsisë botërore duket se janë pasuruar edhe më shumë gjatë këtij viti.

Ndërkohë, kjo krizë, e konsideruar si më e madhja që pas Depresionit të Madh të vitit 1929, ka goditur keqas shtresën e mesme dhe ka rebuar edhe më të varfërit.
Kështu, në vitet e fundit dallimi mes të pasurve dhe të varfërve është bërë shumë më i madh, duke çuar në një polarizim të tejskajshëm të shoqërisë.

Në SHBA, fillimisht super të pasurit pësuan humbje të mëdha, por shumë shpejt, falë programit të parave të taksapaguesve amerikanë ia dolën jo vetëm të shpeëtojnë bankat apo institucionet e ndryshme fianciare, por edhe të siguronin të ardhura të pakrahasueshme edhe me periudhat më të begata të së shkuarës. Gjatë kësaj periudhe 1%-i i të pasurve në SHBA ka akumuluar 10 trilionë dollarë në kurriz të pjesës tjetër të popullsisë. Njëherazi numri i të varfërve po në këtë vend thuajse është dyfishuar.

Sipas ekspertëve, kemi një përqendrim të parasë, gjë që ka shkaktuar një rritje të tejskajshme të pabarazisë mes të pasurve dhe të varfërve. Në Afrikën e Jugut pasuria e 100 njerëzve më të pasur është rritur me 62.19% dhe është pothuajse e barabartë me deficitin e vendit. Numri i pasanikëve dhe pasurive të tyre është rritur ndjeshëm edhe në Indi dhe në rajonin e Azi-Paqësorit. Sipas revistës FORBES, numri i miliarderëve në botë është rritur. Aktualisht në botë ka 1226 miliarderë.

Disa shifra të publikuara nga institucionet statistikore për Amerikën tregojnë ndasitë e mëdha mes shtresave. Sot 1% e amerikanëve kanë 43% të pasurisë financiare të vendit, ndërkohë që 80% e popullsisë kontrollon vetëm 7%. E njëjta situatë është edhe në Evropë, ku ndërsa statusit të super të pasurve nuk u është prekur asgjë, të varfërit dhe shtresa e mesme janë goditur rëndë për shkak të masave të marra nga qeveria për uljen e deficitit buxhetor siç është ulja e rrogave dhe pensioneve, shkurtimi i fondeve për programe sociale dhe shumë investime të tjera.

A është e mundur një botë pa para’?

Sa e mundur është të jetojmë në një botë që nuk funksionon me monedha, kartëmonedha apo karta krediti? Një botë pa të varfer e ku ushqimet do të ishin falas, një botë pa të pastrehë e pa njerëz që vuajnë? Një botë pa lakmi e si pasojë edhe pa urretje, pa luftë, një botë ku femra nuk përdoret si objekt seksual e ku nuk ka falimentime? Të gjitha këto ndodhin në një botë ku njerëzit me ngulm kërkojnë të grumbullojnë paratë, që në fund të fundit nuk do t’i marrin me vete.
 
Për shumëkënd kjo është vetëm një ëndërr apo realitet që nuk i përket këtij planeti. Por a nuk fillon çdo ndryshim pikërisht nga ëndrrat? Gjithsesi në mënyrë të kufizuar një botë e tillë ekziston përmes atij që quhet “sistemi Bart” ose sistemi i shkëmbimit mall me mall, pra pa monedhën si ndërmjetëse. Ai ka ekzistuar edhe në kohët e lashta, por sigurisht kur ekonomia ishte shumë më e thjeshtë se kjo e sotmja. Më pas u zëvendësua nga paraja që duket se i lehtësoi marrëdhëniet tregetare mes njerëzve, megjithatë kjo pati edhe efekte të tjera të cilat i njohim mirë. Njëri prej tyre është edhe kriza ekonomike, pasojat e saj fianciare dhe psikologjike në shoqëri.

Shpesh, çështja ose ideali i një bote pa para ka qenë argument filozofik, por edhe fetar, sepse ata që merren realisht me paranë dhe me politikat monetare as që mund të mendojnë ekzistencën e një bote të tillë. Por njëherazi ata nuk mund të heqin të drejtën e të ëndërruarit apo edhe të menduarit dhe diskutuarit për këtë realitet. Në fund të fundit ajo çka na intereson të gjithëve është pyetja: A është vërtetë paraja një e keqe e domosdoshme dhe a do të ishte bota më e mirë pa paranë?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA