Gjergj Erebara – Çdo shqiptar u ka ish të burgosurve të kohës së
komunizmit një borxh. Çdo shqiptar duhet t’u paguajë atyre jetën e
rrënuar, vitet e rinisë të humbura, dashuritë që nuk i patën,
shkatërrimin fizik dhe nervor që pësuan, me apo pa faj, për arsye
“ordinere” apo për arsye “politike”.
Në burgun e Spaçit punuan deri në 3 mijë njerëz njëherësh. Shumë prej tyre lanë kockat në thellësitë e minierës, shumë të tjerë mbetën të sakatuar përgjithmonë. Vuajtjet e tyre nuk kanë çmim monetar. Asnjë vlerë monetare nuk ia kthen jetën. Por ka një mënyrë tjetër për ta paguar sado pak këtë borxh. Është solidarizimi. Nuk kushton asnjë lek, por vlen më shumë se sa paratë.
Shqiptarët sot në shumicë kanë vendosur të mos e paguajnë borxhin që u kanë viktimave të komunizmit. Shumë prej tyre qëndrojnë indiferentë. Shumë të tjerë gjejnë një mijë arsye për të mos e paguar.
Të gjithë ne, në fakt, po e paguajmë dhe do të vijojmë ta paguajmë të gjithë jetën tonë. Po e paguajmë dhe do ta paguajmë paaftësinë tonë për të ndjerë vuajtjet e tjetrit. Do të paguajmë mungesën e solidarizimit.
Mund ta përmbledhim kështu: Sistemi, i cili në disa raste quhet komunizëm, në disa të tjera nazizëm, kleptokraci, klikë, korporatizëm, bie shpesh në duart e hajdutëve. Këta njerëz mendojnë çdo ditë për të vjedhur. Dikujt i vjedhin pronën, dikujt vendin e punës, dikujt pensionin, dikujt i ngarkojnë interesa fajdexhiu për kreditë, dikujt i ngarkojnë çmime skllavëruese për mallrat e domosdoshëm si banesë, energji apo ushqime. Disave, si fatkeqëve sot në grevë urie, i kanë vjedhur jetën.
Çdo individ që gjen justifikim për të mos u solidarizuar dhe për të mos protestuar për një problem që nuk ka lidhje drejtpërsëdrejti me të, do ta paguajë. Nëse heshtim ndaj vjedhjes së jetëve të ish të burgosurve, do të vdesim në heshtje. Askush nuk do të na dëgjojë kur të rënkojmë për faturat e dritave, për çmimet monopoliste, për pagesat e mjekëve nëpër spitale, për vjedhjen e pronës, lirisë dhe dinjitetit nëpër gjykata.
Autori i këtij shkrimi ka qenë me fat. Ka lindur me një bibliotekë të madhe në shtëpi, e cila i dha mundësi të arsimohej, të punësohej shpejt dhe të gëzojë pagë të konsiderueshme. Ka edhe trashëgimi shtëpinë e gjyshit e nuk ka nevojë të marrë kredi. Por nëse hesht kur shokët e tij vuajnë interesat e fajdexhiut, është shumë e sigurt se do të paguajë diku gjetkë. Sistemi i grabitqarëve do ta vjedhë kudo që t’i dalë në shteg.
Shqiptarët nuk protestuan kur Gjergj Ndreca dhe mijëra të tjerë u futën në burg. Sot paguajnë kusuret e mungesës së kurajës. Vidhen çdo ditë, jo aq rëndë sa ish të përndjekurit, por gjithsesi mjaftueshëm për të ulëritur. Vidhen sa herë përplasen në gjykatë, sa herë i ndalon polici i trafikut, sa herë paguajnë mallrat e domosdoshme. Vidhen të gjithë ata që dëshirojnë të blejnë një shtëpi, vidhen kur marrin kredi. U vodhën për një dekadë sa herë që mbushnin celularin me para.
Duhet të protestojmë tani, që t’i kursejmë vetes taksën e heshtjes.
Ka disa që besojnë se nuk janë përgjegjës për krimet e komunizmit dhe se nuk mund të paguajnë nga taksat e veta jetët e humbura në skëterrë. Këta naivë gabohen. Hajdutët në qeveri kanë vendosur të mos paguajnë jetët e të burgosurve, jo se u dhimbsen paratë e taksapaguesve. Kanë vendosur të mos paguajnë, sepse dëshirojnë t’i vjedhin për vete. Plot 40 milionë euro qeveria u ka shpërndarë deri më sot ish të burgosurve. Mund të duken shumë, por jo. Është një pjesë e vockël e asaj që i detyrohemi. Plot 40 milionë euro është fatura e taksave të papaguara të “Taçi Oil” ndaj qeverisë. Sali Berisha mund t’ia mbledhë taksat Taçërve dhe t’i paguajë ish të burgosurit dhe shumë shqiptarë të tjerë hallexhinj. Por i leverdis më shumë të mos i paguajë dhe t’i vjedhë këto para për vete. Plot 200 milionë euro në vit u janë grabitur shqiptarëve me monopolet në telekomunikacion. Plot 200 milionë euro u janë vjedhur me të ashtuquajturin “koncesion” për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Dhjetëra milionë euro në vit na grabiten nga monopoli i bankave te bonot e thesarit. Dhjetëra milionë euro u grabiten të gjithë atyre që kanë bërë gabimin fatal të marrjes së kredive me interesa fajdexhiu. Dhjetëra milionë euro në vit na vjedhin te dritat. Miliarda euro fitime na mungojnë për shkak të gjykatave hajdute. Ne e kemi paguar shtrenjtë indiferencën dhe do të vijojmë ta paguajmë. Do ta paguajmë deri sa të vdesim duke rënkuar në heshtje.
Nuk kemi shpresë as tek opozita, as te qeveria, as tek ambasadorët e huaj. E kemi vetë në dorë t’i themi Ndal! Nuk do të ketë mrekulli pasi të ngrihemi. Por sa më shumë të protestojmë, aq më shumë do t’i shpëtojmë taksës së heshtjes.
Ose do t’i themi Ndal! Ose do të vijojmë të paguajmë.
Top Channel