Pas më shumë se dy vitesh heshtjeje në lidhje me qëndrimin zyrtar ndaj Shqipërisë, Parlamenti Evropian ka hartuar më në fund një projekt/rezolutë për vendin.
Përveç mbështetjes së perspektivës evropiane, konsolidimi i demokracisë, përforcimi i të drejtave të njeriut dhe vijimi i reformave ekonomiko-sociale përbëjnë thelbin e këtij draft-dokumenti fillestar.
Politika: “Parlamenti Evropian mbështet fort dialogun konstruktiv politik, që nuk është vetëm element thelbësor i 12 prioriteteve kyçe, por një parakusht për funksionimin e demokracisë; i bën thirrje elitës politike të ruajë dialogun ndërpartiak dhe konsensusin për reforma në mënyrë që t’i mundësojë vendit të shënojë progres në rrugën e integrimit”.
Parlamenti: “PE i bën thirrje forcave politike të përmbushin reformën e mbetur mbi Rregulloren e Parlamentit, të përforcojnë më shumë rolin mbikëqyrës të Kuvendit, të përmirësojnë përgatitjen e ligjeve dhe të përforcojnë konsultimet me shoqërinë civile, sindikatat dhe organizatat e ndryshme shoqërore”.
Gjyqësori: “PE vëren një farë progresi në reformën në gjyqësor; i bën thirrje autoriteteve të garantojnë integritetin dhe pavarësinë e vërtetë të një gjyqësori të pavarur nga ndërhyrjet politike dhe nga korrupsioni, t’i garantojnë qytetarëve qasje të barabartë në gjykata, të shpejtojë progresin në zbatimin e strategjisë mbi reformën në gjyqësor, përfshirë reformën për Gjykatën e Lartë”.
Administrata Publike: “PE thekson nevojën për të eleminuar rreziqet e politizimit të administratës publike dhe atë të krijimit të një administrate profesionale, të pavarur dhe të bazuar në merita”.
Në dokument mirëpritet heqja e imuniteteve, por shqetësim mbetet korrupsioni mbizotërues. Policia, mediat, ekonomia, janë disa prej fushave që përfshihen në vlerësimet e Parlamentit.
Korrupsioni: “Parlamenti Evropian është i shqetësuar që korrupsioni vazhdon të mbizotërojë gjerësisht në jetën e qytetarëve dhe rekomandon fort zbatimin e mëtejshëm të tolerancës zero ndaj çështjeve të korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike. PE nënvizon nevojën për gjurmë të forta provash në hetimin dhe dënimin, përfshirë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”.
Policia: “PE nënvizon se duhen ruajtur përpjekjet që bëjnë që policia të punojë në respekt të plotë të të drejtave të njeriut, me orientim nga rezultatet”.
Media: “PE i bën thirrje autoriteteve të përforcojnë lirinë e informimit dhe të garantojnë transparencën e pronësisë dhe financave të mediave; shpreh keqardhje për mungesën e të drejtave ligjore për punësimin e gazetarëve dhe që shumë prej tyre nuk i marrin rrogat nga pronarët e mediave”.
Ekonomia: “PE thekson nevojën për t’i kushtuar vëmendje të veçantë sigurisë energjitike, diversifikimit të këtyre burimeve dhe përmirësimit të rrjeteve të transportit publik; i bën thirrje qeverisë të zhvillojë politika mbi burimet energjitike të rinovueshme dhe të merret më me efikasitet me problemin e menaxhimit të mbetjeve”.
Varfëria: “PE është shumë i shqetësuar nga niveli i lartë i papunësisë si dhe nga numri i vazhdueshëm i shqiptarëve që jetojnë poshtë kufirit të varfërisë; i bën thirrje qeverisë të marrë të gjitha masat e nevojshme për trajtimin urgjent të varfërisë ekstreme dhe të krijojë një rrjet të sigurisë sociale për qytetarët me të ardhura të dobëta financiare”.
Drafti fillestar prej pesë faqesh, i datës 2 tetor, është përgatitur nga raportuesi Nikolaos Chountis, para publikimit zyrtar të raport-progresit të Komisionit dhe nuk përmban ende formulime mbi rekomandimin. Diskutimi i parë nga eurodeputetët e Komitetit të jashtëm zhvillohet ditën e enjte në Bruksel, ndërkohë që rezoluta përfundimtare pritet të votohet në seancë plenare në muajin dhjetor. Rezolutat e Parlamentit nuk kanë efekt ligjor, por vetëm këshillimor ndaj vendeve anëtare, të cilat ruajnë ekskluzivitetin e marrjes, me unanimitet, të vendimeve në fushën e zgjerimit.
Top Channel