“Nike” prish kontratën me Armstrong

17/10/2012 17:55

Kompania e produkteve sportive, “Nike”, lajmëroi për prishjen e njëanshme të kontratës së saj publicitare me shtatë herë fituesin e Turit të Francës, Lance Armstrong, pasi prova të pakontenstueshme dopingu u vërtetuan mbi çiklistin më parë gjatë tetorit.

Vetë Armstrong nuk është shprehur ende publikisht që prej vendimit të Agjensisë Amerikane Anti-Doping (USADA), qe i heq atij të gjithë titujt e fituar ne 14 vjet karriere, por në një komunikatë të “Nike” për shtyp, shkruhej: “Për shkak të fakteve gjithmonë e më të shumta për dopimin e Armstrong, kemi vendosur që të ndërpresim menjëherë kontratën e tij”.

Në total, nga kontrata me gjigantët e produkteve sportive, amerikani përfitonte 500 mijë dollarë në vit.

Në një zhvillim paralel, çiklisti 41-vjeçar shpalli dorëheqjen e tij nga fondacioni bamirës që udhëhiqte, “Livestrong”.

“Furtuna” mediatike mbi Armstrong është lëshuar pasi “USADA” publikoi një raport prej qindra faqesh, ku vërtetohej se çiklisti dhe bashkëpunëtorët e tij kishin ngritur në këmbë një prej rrjeteve më të sofistikuara të dopingut në historinë e sportit.

Sipas provave, Armstrong përdori produkte të një brezi të ardhshëm, të pakapshme nga testimet aktuale, ndërsa detyroi shokët e skuadrës të dopoheshin, duke i kërcënuar me rënimin e karrierës së tyre nëse nuk e bënin këtë.

Midis dëshmive të mbledhura kundër çiklistit, në total 26, figurojnë edhe ato të 11 çiklistëve përkrah të cilëve Armstrong garoi.

Top Channel