MotoGP në Sepang, përkujtohet Simoncelli

17/10/2012 18:25

Botërori i MotoGP rikthehet këtë fundjavë në pistën e “mallkuar” të Sepangut, në Malajzi, atje ku pothuajse një vit më parë humbi jetën piloti italian, Marco Simoncelli.

Për këtë arsye, është vendosur që të gjithë pilotët dhe skuadrat, së bashku, të marrin pjesë në një aktivitet që do t’i kushtohet pikërisht kujtimit të pilotit që u nda nga jeta në moshën 24-vjeçare.

Në kthesën e 11 në radhë, atje ku ndodhi dhe aksidenti fatal, në shoqërinë e të gjithëve do të zbulohet një pllakë me emrin e Simoncellit.

Ndërkohë, është duke u marrë parasysh mundësia që të krijohet një bursë studimi, e cila do t’i akordohet në mënyrë të përvitshme pilotit të ri më të talentuar italian, për të lehtësuar arritjen e tij deri në botën e MotoGP-së.

Një vit më parë, në 23 tetor 2011, në xhiron e dytë të garës, Simoncelli humbi kontrollin e motorit në kthesën e 11. Në përpjekje për ta rikthyer atë në fushë, piloti u rrëzua përpara motorëve të Edëards dhe Rossit, duke marrë plagë të rënda në kokë.

I shoqëruar me urgjencë në klinikën e pistës, italiani mundi t’i mbijetonte plagëve vetëm në 45 minuta.

Top Channel