Është lënë në burg 80-vjeçari që vrau Ajshe Vatën, ndonëse avokati mbrojtës ka kërkuar një masë të arsyeshme duke u bazuar në moshën e thyer dhe emrin e mirë të familjes së tij.
Në gjykatën e faktit në Durrës është zhvilluar seanca për vlerësimin dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit Shaban Norja që vrau me armë zjarri dhe më pas i preu kokën 18-vjeçares Ajshe Vata në Xhafzotaj të Durrësit, më 11 tetor.
I qetë në bankën e të akuzuarve, Shaban Norja është ngashëryer teksa tregonte se nuk donte ta vriste dhe se prej 3-4 vitesh kishte lidhje të ngushta me vajzën, e cila sipas tij i është lutur pa rreshtur përgjatë 3 ditë-netëve para krimit që ta vriste e t’ia priste kokën, pasi feja ia ndalonte abortin.
Befasues ka qenë dhe deklarimi i 80-vjeçarit mbi arsyet e mos vetëvrasjes, pas krimit, si dhe mbi atësinë e fetusit që zhvillohej në trupin e Ajshës.
Në fund të seancës gjyqtari Fejzo Hysi e çmoi të ligjshëm ndalimin dhe e la 80-vjeçarin në burg.
Prokurori i çështjes Sokol Nishani ka ndërtuar ngjarjen, duke shmangur çdo lloj deklarimi mbi dhunimin apo abuzimin me vajzën dhe deklaroi se provat shkencore janë të mjaftueshme për dyshimin mbi autorësinë e krimit makabër që tronditi të gjithë opinionin publik.
Top Channel