Berisha si Enveri: Të përndjekurit, armiq të pushtetit!

17/10/2012 00:00

ANDREA STEFANI – Janë mbi dy dekada që nga rënia e diktaturës dhe shteti
shqiptar nuk ka mundur të kompensojë financiarisht të përndjekurit e
saj. Mungesë parash dhe mjetesh? Aspak, por vetëm një mungesë dhimbjeje
dhe kujdesi për të gjithë ata që kanë vuajtur në rrathët e Ferrit
komunist.

Dhe që kemi të bëjmë thjesht me një neglizhencë burokratësh që fryjnë xhepat e tyre, kjo duket edhe nga dinamika e zbatimit (më saktë e moszbatimit) të ligjit 9831 për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të regjimit komunist, që mban datën 30 nëntor 2007. Po bëhen 5 vjet që nga ajo kohë dhe të përndjekurit politikë kanë marrë vetëm një këst dëmshpërblim të përvitshëm nga 8 të premtuara. Një këst në 5 vjet! Po të ecet me këto ritme, i bie që të përndjekurit të dëmshpërblehen pas rreth 40 vjetësh. Është tragjike të shikosh sesi shteti “demokratik” e ka aq “përparësi” rehabilitimin e viktimave të diktaturës, sa kompensimi i tyre financiar pritet të zgjasë, po të fusësh edhe 20 vjet që kanë kaluar, nja 60 vjet. Pra, më shumë sesa zgjati vetë diktatura komuniste. Kjo zvarritje dëshpëruese është shkaku i vërtetë i protestës, i grevës së urisë dhe i vetëdjegies se dy të përndjekurve politikë. Politizimin e saj po e bën vetë Kryeministri Berisha që, për t’i shpëtuar përgjegjësisë për moszbatimin e një ligji që vetë e ka hartuar dhe miratuar, shpik skenarë me “armiq të pushtetit” të vënë në shërbim të Partisë Socialiste. Tashmë të përndjekurit e grevës janë shpallur armiq të pushtetit dy herë. Herën e parë nga qeveria komuniste. Herën e dytë nga qeveria “demokratike”. Shpjegimi i këtij paradoksi është mendësia komuniste e Kryeministrit që bërtet si dikur Enver Hoxha: Duan të më përmbysin!

***

Nëse bilancet e dëmshpërblimit të të dënuarve politikë do të ishin pozitive, Kryeministri Berisha nuk do kish asnjë arsye që ta shmangte dialogun me grevistët dhe as t’i zbriste akuzat kundër tyre në nivelin e rrugës. Publiku shqiptar nuk do të dijë se ç’ka bërë me paratë e marra deri më sot X apo Y i përndjekur, nëse i ka shpenzuar në kazino apo i ka investuar me humbje. Shqiptarët duan të dinë nëse qeveria e ka zbatuar pikë për pikë ligjin për dëmshpërblimin që vetë ka miratuar. Prandaj në vend të sharjeve të pista për grevistët, Berisha do të bënte mirë t’u tregonte shqiptarëve se sa para janë derdhur në llogaritë bankare të të përndjekurve për llogari të kësteve të viteve 2009, 2010, 2011 dhe 2012. Nëse ligji është zbatuar atëherë shqiptarët do të kuptonin se qeveria “ka bërë gjithçka” (togfjalësh shumë i dashur ky për Berishën kohët e fundit) për dëmshpërblimin. Por faktet tregojnë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe se pra, qeveria dhe Berisha nuk kanë bërë “gjithçka” për të dëmshpërblyer të dënuarit politikë. Në ligj thuhet se dëmshpërblimi, përveçse një angazhim i shtetit demokratik për dënimin e krimeve të regjimit totalitar komunist, do t’i shërbente edhe rivendosjes së drejtësisë dhe dinjitetit shoqëror të shtresës së të përndjekurve, si dhe krijimin e kushteve favorizuese për riintegrimin shoqëror të tyre. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse dëmshpërblimi financiar në vend se të shpërndahet për 8 vjet tenton të zgjasë deri 40 vjet! Ai do të ishte integrim në botën tjetër. Duke zvarritur dëmshpërblimin, qeveria Berisha ka treguar një angazhim të paktë në dënimin e krimeve të komunizmit. Në këtë kuptim, greva e të përndjekurve politikë është, në thelb, një protestë në emër të drejtësisë së pazbatuar. Ligji, ligji dhe vetëm ligji – përsërit kohë pas kohe mitingjeve Berisha. Por kur vjen puna për zbatim praktik, ligji harrohet. Edhe në rastin konkret, në vend se të kërkojë falje për këto zvarritje burokratike, në vend se të japë shpjegime shkeljen e ligjit nga vetë qeveria, Kryeministri hidhet në sulm me akuza vulgare “moralo-politike” kundër të përndjekurve, një zanat që duket se e njeh mjaft mirë që nga koha kur ishte sekretar i PPSH-së. Kjo mënyrë të vepruari nuk e ka emrin qeverisje. Aq më pak, demokratike. Ajo e ka emrin shantazh, presion dhe manipulim enverist i opinionit publik me moton: diskreditoi ata që të kritikojnë, shtypi e nëpërkëmbi, nxit turmat e fanatikëve kundër atyre që protestojnë për të drejtën e mohuar nga pushteti yt!

***

Përse në 12 vjet qeverisje, PD-ja nuk ka gjetur mjete monetare për të realizuar premtimet që vetë ka bërë dhe ligjëruar për dëmshpërblimin e të përndjekurve? Që PS-ja ka bërë shumë pak ose aspak është vetëm një justifikim i turpshëm. Por shkaqet e mosmbajtjes së premtimit të kthyer në ligj, duhen kërkuar te korrupsioni galopant i qeverisë, si dhe tek investimet faraonike e aventuroze prej miliarda eurosh që kanë çuar në pikë kritike borxhin publik. Në bazë të ligjit për dëmshpërblimin, në çdo buxhet vjetor do të kish fonde që do t’u shpërndaheshin ish të dënuarve. Zyrtarë të qeverisë kanë pohuar, kohë pas kohe, se këto fonde janë të paprekura. Nëse është vërtet kështu, përse nuk shpërndahen? – pyesin me të drejtë të përndjekurit. Por duket se fondet e dëmshpërblimit nuk janë ruajtur. E ndodhur në një gropë financiare, për shkak të korrupsionit dhe aventurizmit, qeveria duket se ka shkurtuar ata zëra shpenzimesh që i dhembin më pak. Një nga këta zëra të skartuar janë edhe të përndjekurit. Antikomunizëm me fjalë sa të duash, por kur vjen puna te paratë, sakrifikohen antikomunistët! Është po gjendja e vështirë financiare, si dhe bilanci negativ në shifra për sa i takon dëmshpërblimit sipas ligjit, që e ka shtyrë Berishën ta politizojë problemin dhe të shpifë sikur greva është organizuar nga PS-ja, me qëllim që të përmbysë Berishën. Tenton të hedhë votuesit e PD-së kundër të përndjekurve. Lideri mobilizon “popullin” kundër “armiqve të popullit”. Skema është mjaft e njohur. Por si pa dashur, ka nxjerrë në evidencë atë që e preokupon më shumë se çdo gjë tjetër në këtë botë, ruajtjen dhe zgjatjen në pafundësi të pushtetit personal. Edhe dialogun me grevistët nuk e zhvillon po për këtë shkak. Duke pasur një pushtet që është ngritur mbi kultin personal si një politikan i pamposhtur, duke pasur në themel të pushtetit të tij jo të drejtën, por forcën, ky politikan primitiv nuk mund të pranojë të ulet në tavolinë nga disa grevistë që i përçmon dhe i urren. Në urrejtjen e tij për grevistët ka një vazhdimësi nga urrejtja që ushqente deri dje për ta, nga pozicioni i sekretarit komunist të partisë, si armiq të pushtetit komunist që ai duartrokiste dhe mbështeste. Por sot i urren edhe më shumë. Sepse rrezikojnë kultin e tij të forcës, rrënjën që mban pushtetin e tij personal. Sedra prej autokrati kreshpërohet: Ai, Berisha i gjithëpushtetshëm, lideri historik i Shqipërisë dhe i Kosovës të detyrohet të ulet në tavolinë nga disa “ordinerë” dhe “rreckanjarë”?! Jo, nuk mund ta bëjë kurrë një koncesion të tillë që do të lexohej nga elektorati si dobësi dhe jo si forcë! Më mirë të sakrifikohen ata sesa kulti i tij i forcës, pushteti i tij! Të sakrifikosh njerëz në themel të pushtetit? Enveri nuk bëri më shumë. Apologjia e padrejtësisë e bën Berishën të rrëshqasë në nekrofili politike. Befas kreu i qeverisë së “zemrës së dhimbsur” deklaron publikisht se nuk do ta ndalë grevën e urisë me forcë si 17 vjet më parë. Sepse atëherë ishte mjek, ndërsa sot është kryeqeveritar. Dhe ky i fundit, edhe pse shteti ka qëllim më të lartë ruajtjen e jetës, respekton “lirinë” e qytetarëve për të …vdekur.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA