“Berisha, politikë në shkolla”

17/10/2012 00:00

Opozita ka intesifikuar denoncimet e saj ndaj Kryeministrit Berisha i
cili në disa raste gjatë vizitave në shkollat publike ka bërë deklarime
politike.

“Si një sjellje të turpshme  dhe të paligjshme të kryeministrit Sali Berisha, i cili ka filluar të bredhë shkollë më shkollë për të bërë propagandë përpara të miturve apo nxënësve të shkollave të mesme”. Kështu e ka komentuar turin politik nëpër shkolla të Kryeministrit, nënkryetarja e FRESSH Maria Myridinas, e cila ka denoncuar edhe emrat e drejtorëve të shkollave ku janë zhvilluar aktivitete politike.

“Sot po fillojmë një fushatë denoncimesh me emra konkretë të të gjithë atyre që janë bërë pjesë e kësaj fushate të paligjshme duke filluar me tre personat e mëposhtëm: Merita Sokoli, drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Mustafa Lleshi”, komuna Kashar, rrethi Tiranë, Nesti Qirjo, drejtor i shkollës së mesme “Isuf Dalipi”, komuna Mollaj në rrethin Korçë, Rudina Mita, drejtoreshë e shkollës se mesme profesionale “Salih Ceka”, rrethi Elbasan.Të tre këta persona kanë shkelur ligjin për arsimin parauniversitar, i cili në nenin 8 thotë shprehimisht se: Arsimi parauniversitar është i depolitizuar”, tha nënkryetarja e FRESSH.

Gjatë denoncimit të emrave të drejtorëve nënkryetarja e FRESSH theksoi se ata kanë shkelur haptas ligjin për arsimin.

“Në rastin e këtyre personave shkelja e ligjit bëhet edhe më e rëndë pasi janë ata njerëzit të cilëve prindërit shqiptarë u besojnë fëmijët nëpër shkolla për të mësuar e jo për tu bombarduar me propagandën e Sali Berishës. Janë këta njerëzit që kanë detyrimin ligjor të garantojë të drejtat e fëmijëve në shkollat që drejtojnë, madje edhe kur është kryeministri që kërkon t’i shkelë këto të drejta”, tha Myridinas.

Të rinjtë e FRESSH kanë premtuar se do të vazhdojnë denoncimet me emër duke kërkuar nga prindërit e nxënësve të mos kenë frikë dhe të reagojnë ndaj këtij abuzimi më fëmijët e tyre nëpër shkolla të cilat me ligj janë të depolitizuara.

Top Channel