“Qemal Stafa”, lamtumirë me fitore

16/10/2012 23:30

Shqipëria e ka mbyllur më së miri aventurën e saj 66-vjeçare, që prej inaugurimit, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, teksa ka mposhtur me rezultatin1 -0 Slloveninë, falë golit të shënuar në minutën e 36-të të pjesës së parë nga Odise Roshi.

Kuqezinjtë e drejtuar nga tekniku italian, Xhovani de Biazi, zbritën në fushën e lojës me 4 ndryshime në formacion, pas asaj humbjeje shokuese ndaj Islandës vetëm 4 ditë më parë, teksa Ujkani, Dallku, Meha dhe Lika i lanë vendin respektivisht Berishës, Agollit, Roshit dhe Vilës.

Një lëvizje taktike, e cila duket se dha frutet e veta, duke qenë se kuqezinjtë ditën të reagonin pozitivisht, edhe pse kushtet e motit ishin pothuajse të ngjashme si ndaj Islandës.

Kuqezinjtë ishin më këmbëngulës që në momentet e para të lojës kundër Sllovenisë, një kundërshtar të cilin nuk e kishim mposhtur kurrë më parë. Ka qenë Emiljano Vila, i cili pas një inkursioni nga e majta krosoi në zonë një top të destinuar për sulmuesin Armando Sadiku, por që përfundoi në kontrollin e Roshit, i cili shmang një prej mbrojtësve sllovenë dhe e dërgon topin pas shpinës së portierit Handanoviç, duke çuar në delir të pranishmit në stadium, që ndryshe nga cfarë mendohej nuk e kishin braktisur ekipin pas humbjes shokuese me Islandën pesë ditë më parë. Me këtë rezultat është mbyllur pjesa e parë e takimit, ndërsa në të dytën Sadiku i ka lënë vendin Salihit.

Rreshjet e shiut e bënë më të vështirë këtë takim, ashtu siç pritej, por këtë herë kuqezinjtë kanë ditur të ruajnë rezultatin. Ndryshimet e tjera të teknikut De Biazi, i cili aktivizoi Debatik Currin dhe Armend Dallkun në vend të Edgar Çanit dhe Emiljano Vilës, pasqyruan qartë synimin për të ruajtur këtë fitore të merituar, e cila na jep 3 pikë të tjera duke na ngjitur në vendin e 3-të të grupit E eliminator.

Në ndeshjet e tjera të këtij grupi, Zvicra triumfoi 2-0 ndaj Islandës në fushën e ishullorëve, ndërsa Norvegjia mposhti 3-1 Qipron sërish në transfertë. Zvicra kryeson me 10 pikë, Norvegjia 7 pikë, Shqipëria dhe Islanda me nga 6 pikë, ndërsa mbyllin renditjen Sllovenia e Qipro me nga 3 pikë.

Top Channel