Kutia e zezë e kryqëzorit të mbytur në ujra të cekëta pranë ishullit italian të Xhilios, në 14 janar 2012, duket se po qartëson përfundimisht përgjegjësinë vendimtare që luajti kapiteni Francesco Schettino me veprimet dhe mosveprimet e tij në këtë katastrofë që i kushtoi jetën 32 personave.
Zëri i regjistruar i komunikimit të kapitenit me kompaninë që zotëronte kryqëzorin turistik, me vlerë 500 milionë euro, është duke u transmetuar në një gjykatë italiane, ku Schettino është duke u gjykuar për braktisjen e anijes në vështirësi dhe vrasje të shumëfishtë nga pakujdesia.
”E dhj…..”, ishin fjalët e para që kapiteni 52-vjeçar, nën presion, i komunikoi qendrës, pasi kuptoi se dëmi që kishin shkaktuar disa shkëmbinj nënujorë në kursin e zgjedhur prej tij ishte i tillë sa që do të sillte fundosjen e anijes.
I pyetur për më shumë informacion, kapiteni, nën një panik të dukshëm, dha një përgjigje evasive: “Po vdesim këtu”.
Regjistrimi tregon gjithashtu se kapiteni dha urdhër për të lundruar me të gjithë shpejtësinë drejt portit, minuta përpara aksidentit, me qëllim që të kalonte pranë bregdetit të Xhilios, për t’i ofruar pasagjerëve një pamje spektakolare, ndonëse kjo ishte kundër rregullores.
Pas përplasjes me shkëmbinjtë, Schettino urdhëroi që dyert për pengimin e ujit të mbylleshin, për të evituar katastrofën. Në këtë moment, pasi një oficer i bordit i bën të qartë se dëmi ishte tepër i madh për ta kufizuar, kapiteni duket se shfaq momentin e papërgjegjshmërisë më të madhe.
“Domethënë, me të vërtetë do të mbytemi. Nuk po ju kuptoj. Me çfarë u përplasëm? Po ashtu, lajmëroni njerëzit që të largohen nga anija”, shprehet 52-vjeçari.
Pasi udhëhoqi operacionet fillestare për evakuimin e 4 mijë udhëtarëve në bord, Schettino dhe zëvendëskapiteni vendosën të largohen përpara se të gjithë personat të largoheshin, duke shkelur jo vetëm një kod moral që kapiteni braktis anijen i fundit, por edhe atë që është një detyrim ligjor për transportin detar civil.
Aktualisht, drejtësia italiane është duke u përpjekur që të përcaktojë nëse veprimet e kapitenit, janë drejtëpërsëdrejti përgjegjëse për humbjen e jetëve.
Top Channel