Trafiku i rënduar në kryeqytet shoqërohet çdo ditë me kaosin në qarkullimin si të makinave dhe të këmbësorëve. Në shumë nga rrugët e Tiranës, semaforët janë kthyer në relike duke mos funksionuar fare ose në rastin më të mirë në kohë të pjesshme. Ka edhe raste kur semaforët funksionojnë të çorientuar dhe shpesh herë mungojnë edhe policët rrugorë për të drejtuar trafikun dhe qytetarët.

Në një nga kryqëzimet në Unazën e Tiranës, ky semafor nuk funksionon prej disa muajsh. Por mosfunksionimi i semaforëve nuk është një problem i periferisë.  Ata nuk punojnë edhe në qendër të kryeqytetit. Semafori në kryqëzimin pranë Gjykatës së Lartë nuk funksionon prej javësh, duke u kthyer në një rrezik për aksidente në një zonë me qarkullim të dendur makinash e këmbësorësh. E njëjta situatë është edhe në kryqëzimin pranë Liceut Artistik  në Rrugën e Elbasanit, ndërkohë që drejtuesit e automjeteve ankohen për mosfunksionimin e tyre edhe në pika të tjera.

“Nuk ka mirëmbajtje, në shumë pjesë, në shumë lagje nuk punojnë semaforët dhe orientohemi falë eksperiencës duke zbatuar rregulloren e qarkullimit”, thotë një shofer, ndërsa një tjetër shton se përvec pjesës së semaforëve që nuk funksionojnë fare, ka edhe nga ata që janë të çorientuar.

Për shkak të semaforëve të çorientuar qytetarët janë të detyruar të futen ndërmjet makinave për të kaluar në anën tjetër të rrugës. Por nëse shqiptarët janë mësuar tashmë me këtë kaos, ata që vuajnë më shumë janë turistët e huaj, të cilët vizitojnë për pak orë kryeqytetin dhe përballen me këtë situatë.

 Ata e kanë thuajse të pamundur të orientohen në rrugët ku drita jeshile i jep përparësi njëkohësisht edhe makinave edhe qytetarëve. Në Bashkinë e Tiranës thonë se së shpejti situata do të ndryshojë sepse do të nisë të zbatohet një projekt për ndërtimi e qendrës së trafikut ku të gjithë semaforët do të ndërrohen.

“Në rastet kur kemi pika semaforike në kryeqëzimet kryesore të cilat nuk funksionojnë është rënë dakort që do të jetë një polic që do t’i menaxhojë ato. Nuk besoj se mbulohen të gjitha nyjet, por po bëhet maksimumi. Kontrollorët është një nga pajisjet më të shtrenjta dhe Bashkia e Tiranës nuk mund të bëjë dy investime përnjeherësh për të njëjtin projekt. Me zbatimin e këtij projekti të gjithë kontrollorët do të ndërrohen dhe të gjithë semaforët do të jenë në gjendje pune”, thotë Drejtoresha e Transportit dhe e Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës.

Tenderi për zbatimine këtij projekti është fituar nga një kompani italo-gjermane dhe do të zgjasë për 18 muaj, ndonëse zonja Hoxha premton se do të përfundojë para afatit. Por deri në atë kohë, qytetarët e Tiranës do të vazhdojnë të vuajnë kaosin, edhe pse në kryqëzime ku semaforët nuk punojnë nuk ndesh thuajse asnjëherë asnjë polic rrugor, që për të thënë të drejtën edhe këta e kanë të pamundur të ruajne 24 orë kryqezimet e një qyteti cdo ditë në zgjerim sic është Tirana.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB