Anulohet miqësorja e U21 ndaj Anglisë

16/10/2012 18:10

Digjet miqësorja e luksit e kombëtares tonë Under-21 me atë të Anglisë, e planifikuar për tu luajtur të martën në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Reshjet e shumta të shiut e kanë bërë të pamundur zhvillimin e kësaj sfide në qytetin bregdetar pasi ambjentet rreth stadiumit ishin të mbushuara me ujë, kjo dhe për shkak daljes së ujërave të zeza nga tubacionet. Drejtuesit e FSHF-së kanë kërkuar shtyrjen për 1 orë të startit të lojës deri në qetësimin e situatës, por më vonë kanë kërkuar që kjo miqësore të luhej pas 2 orësh në stadiumin e Kavajës.

Por aty, drejtuesit e kompanisë ceke CEZ nuk kanë pranuar këtë kërkesë urgjente të FSHF-së me pretendimin se akoma nuk është arritur marrëveshja mes tyre dhe bashkisë së qytetit të Kavajës.

Duke mos dashur që ta humbiste këtë miqësore luksi, FSHF-ja ka kërkuar që të marrë përsipër vetë ndriçimin e stadiumit të Kavajës duke çuar një gjenerator, por as kjo kërkesë nuk është pranuar nga drejtuesit e CEZ të këtij qyteti.

Me shpresë të përmirësimit të situatës rreth ambienteve të stadiumit “Niko Dovana” të Durrësit, drejtuesit e FSHF-së i kanë kërkuar homologëve anglezë që të shtyjnë ndeshjen për ditën e mërkurë, por edhe kjo përpjekje e fundit e tyre nuk është pranuar nga britanikët.

Top Channel