Felix Baumgartner është bërë njeriu i parë që arrin të thyejë barrierën e shpejtësisë së zërit. Ditën e dielë arriti shpejtësinë 1342 km/h pasi u hodh nga një lartësi prej 39 kilometrash, në Nju Meksiko.
Gjithashtu 43-vjeçari theu edhe rekordin e hedhjes nga lartësia. Baumgartnerit iu deshën vetëm 10 minuta për të zbritur në tokë, në një hedhje ku vetëm metrat e para ishin me parashutë.
Pas zbritjes në tokë austriaku tha në një konferencë për shtyp: “Më lejoni t’ju them diçka. Kur je në majë të botës hutohesh fare. Nuk mendon për të thyer rekorde apo për të marrë të dhëna shkencore. E vetmja gjë që dëshiron është të zbresësh i gjallë në tokë.”
Asnjë nga rekordet e vendosura nga Felix Baumgartner nuk është ende zyrtar derisa Federata Ndërkombëtare e Aeronautikës t’i verifikojë.
Në fillim u duk se hedhësi ishte në telashe pasi po rrotullohej gjatë rënies në një kohë që duhej të qëndronte në pozicionin delta (koka poshtë dhe krahët të ngjitura pas trupit). Por eksperienca e tij e ndihmoi që të rregullonte situatën dhe të përfundonte me sukses misionin.
Hedhja u ndoq nga 7.2 milionë persona në Youtube
Hedhja nga stratosfera e Felix Baumgartner nuk theu vetëm rekordin e shpejtësisë dhe lartësisë nga ku u krye, por ka thyer edhe rekordin e shikueshmërisë së një transmetimi direkt në Youtube.
Më shumë se 7.2 milionë persona e kanë ndjekur hedhjen e austriakut të sporteve ekstreme nga 39 kilometra lartësi.
Top Channel