
Nga salla e Teatrit të Operas dhe Baletit ku po mbahet Forumi i Gruas Socialiste, kreu i PS-së, Edi Rama i uroi kryeministrit Berisha jetë të gjatë për të qenë dëshmitar, sic tha ai, se sa dëm i ka bërë këtij vendi.
“Saliu ose tallet me popullin ose i ka thënë mendjes… ose mendja atij, Tungjatjeta. Unë dëshiroj t’i uroj ditëlindjen sepse besoj që duhet ta ketë jetën e gjatë për të parë e për të kuptuar jo vetëm se sa dëm ka bërë në gjithë këto vite, por edhe se sa e mundur është Shqipëria europiane që ai po ua mohon prej vitesh shqiptarëve”, nisi fjalën e tij Rama.
Më tej kryesocialisti vlerësoi si thelbësor rolin e gruas në programin qeverisës socialist “Rilindja Kombëtare”, jetësimi i të cilit, sic tha ai, kërkon angazhimin e të gjithëve.
“Rilindja Kombëtare s’mund të kryhet nga një njeri, kërkon një skuadër, ndaj është detyra jonë të ftojmë shqiptarët të bëhen pjesë e kësaj skuadre. Ky është dallimi themelor mes nesh dhe atyre që sot sundojnë me vota të vjedhura. Ata sundojën sepse janë sunduar nga një njeri i vetëm. Ne jemi një skuadër që është e gatshme të marrë përsipër një barrë, për Shqipërinë që duam, Shqipërinë europiane që nuk është thjesht një proces ndërtimi letrash të quajtura ligje, por një proces jetësimi i atyre ligjeve këtu në vendin tonë”, vijoi Rama.
Pasi falenderoi gratë anëtare të Partisë Socialiste dhe të gjitha të pranishmet në sallë, Rama vijoi fjalën e tij duke deklaruar se fitorja në zgjedhjet e ardhshme është për të ndryshuar Shqipërinë në një Shqipëri europiane dhe jo thjesht ndryshimin e qeverisë. Ai tha se me ardhjen në pushtet do të anulojë ligjin e importit të plehrave dhe politika të punësimit që përfshihen në programin “Rilindja Kombëtare”.
Duke përmendur sistemin e shëndetësisë, i përfshirë në programin e qeverisës të socialistëve, Rama foli për sigurimet shëndetësore duke premtuar se për të gjithë personat që nuk mund të blejnë këtë shërbim, shteti do ta bëjë për ta.
Rama u ndal edhe tek arsimi dhe reformën në sistemin tatimor për bizneset dhe individët. Rama mbrojti taksën progresive dhe tha se një individ i taksuar më pak është një konsumator më i madh për biznesit.
Top Channel