Perikli Shqevi: Kryeministri ynë, Obama!

15/10/2012 00:00

Perikli Shqevi, grevisti që akuzohet nga policia se i vuri zjarrin
Gjergj Ndrecës, ka folur për herë të parë nga arresti shtëpiak.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqip”, Shqevi thotë se është futur në kurth nga policia, pasi nuk është ai autori i ngjarjes. Ai ka folur për organizimin e grevës, negociatat me qeverinë, ndërkombëtarët, si dhe mesazhin që ka për shokët e tij: Vazhdoni grevën!

Pas arrestimit dhe masës së sigurisë “arrest shtëpie” ju kanë ardhur familjarët nga Greqia?

Më kanë ardhur vëllezërit, nusja e vëllait, por bashkëshortja me fëmijët jo, sepse fëmijët i kam në shkollë të lartë dhe nuk mund të ndërpresin studimet për të më takuar. Me ta jam lidhur me anën e telefonit.

I keni takuar grevistët?

Komunikoj vetëm nëpërmjet gardhit, por nuk më lejohen vizita në shtëpi, pasi unë jam në arrest shtëpie. Në momentin që gjykata dhe vendimin, për të më izoluar në shtëpi, unë nuk pranova, sepse doja të isha pjesë e grevës.

Çfarë mendoni për grevën e shokëve?

Unë jam një nga organizatorët e grevës së urisë së të përndjekurve politikë, së bashku me Gjergj Ndrecën dhe shokët e tjerë. E mbështes grevën e tyre, sepse ne po kërkojmë një të drejtë ligjore, e cila na është mohuar për më shumë se 20 vjet. Ndonëse grevistët kanë bërë negociata, me Presidentin e Republikës, Bujar Nishanin, të cilat janë iniciuar nga ambasada amerikane dhe ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, ka qenë e kotë.

Çfarë mendimesh keni për rrjedhën e deritanishme të grevës dhe negociatave me qeverinë?

Greva jonë nuk ka ngjyra politike, por është tërësisht ekonomike. Ne do t’i qëndrojmë deri në fund kësaj ndërmarrjeje që kemi marrë, ndonëse u dhanë sinjale pozitive nga Presidenti, për plotësimin e kërkesave tona, ai ishte një premtim fals. Megjithatë, duke parë situatën dhe negociatat e ambasadës amerikane në Tiranë, doja të thosha se ne si grevistë urie kemi Kryeministër Obamën, Bashkimin Europian dhe jo Saliun.

Sa këste keni marrë nga qeveria dhe a keni shpresa se do ta merrni pjesën tjetër?

Ne kemi marrë vetëm një këst para tri vitesh. Këstet e tjera nuk na i kanë dhënë, duke na gënjyer për vite të tëra. Para grevës humbën besimin që qeveria Berisha mund të na jepte atë që na takon, në bazë të ligjit që ai e ka miratuar vetë. Qeveria shiti kompaninë shtetërore “Albpetrol” me një shumë marramendëse prej 850 milionë euro dhe tani pretendon që nuk ka mundësi të na paguajë borxhin që na ka. Është shumë e thjeshtë. Qeveria neve na ka një borxh të mbartur prej 20 vitesh. Tashmë që ka paratë, mund të na thotë “merrni paratë që ju kam borxh”.

A jeni interesuar për shëndetin e Gjergj Ndrecës?

Kam tentuar të komunikoj me bashkëshorten e Gjergjit, e cila banon pranë apartamentit tim. Me telefon nuk kam mundur të komunikoj. Celularin e tij e kam pasur unë pas ngjarjes. Pasi u ndalova, policia i ka marrë të dy celularët. U thashë hetuesve të çështjes që ky është telefoni i Gjergj Ndrecës. Më thanë se do ia jepnin ata kur të paraqitej në polici. Unë mund të marr edhe Kryeministrin grek në telefon, pasi ia kam numrin.

Jeni bërë pishman për incidentin me Gjergjin?

Unë me Gjergj Ndrecën kemi të njëjtat ideale. Kemi hyrje familjare me njëri-tjetrin dhe hanim në të njëjtën pjatë. Unë nuk jam autori i plagosjes së Gjergjit. Policia në versionin që ka dhënë kërkon të na përçajë, duke hedhur baltë mbi mua. Në momentin që Gjergji po tentonte të vetëflijohej, aty pranë kishin shkuar pesë deri në gjashtë persona për t’i shpëtuar jetën dhe unë isha një ndër ta.

Akuzoheni se ju keni qenë personi që i vutë flakën me çakmak?

Nuk është e vërtetë, pasi Gjergji i kishte marrë të gjitha masat për të kryer atë veprim ekstrem. Policia arriti t’i hiqte shkrepësen nga dora, por ai kishte edhe çakmak. Në atë moment, ai e ndezi dhe trupi mori flakë. Unë e mbajta që të mos e bënte atë veprim, por ishte e kotë, sepse Gjergji e kishte ndezur. Mora menjëherë batanijen dhe tentova t’i shuaj flakët.

Një mesazh për grevistët apo për qeverinë?

Grevistët të vazhdojnë atë që kanë nisur, pasi kërkojnë të drejtat e tyre, në të kundërt të gjithë ata që janë atje brenda do të flijohen, ndoshta jo me zjarr, por me forma nga më të ndryshmet. Ky ishte edhe mesazhi që dha Lirak Bejko nga Italia. Tashmë ne nuk presim asnjë gjë nga kjo qeveri, pasi edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me negociatat që kreu me shtresën tonë, u duk lojtar i Kryeministrit. Ai luan me negociatat e grevistëve, të cilat u mbështetën nga ndërkombëtarët. E gjithë kjo nismë më duket false. Ky qenka President kot, se pyet Kryeministrin për çdo gjë. Nëse qeveria nuk vepron sa më shpejt, do të ketë probleme. Edhe ngjarja në Pogradec ndodhi për kauzën tonë. Të tilla veprime priten edhe nga tropojanë, kuksianë, shkodranë, gjirokastritë, korçarë etj., madje do të ketë edhe protesta masive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB