Krasniqi denoncon në “Shqip”

15/10/2012 00:00

Kete jave ne emisionin ‘Shqip’ te Rudina Xhunges, ne Top Channel ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Krasniqi për grevistët e urisë: Ata njerëz duhet të dëmshpërblehen!

Jakup Krasniqi: Po e kam ndjekur grevën e ish të burgosurve. Realisht ngjarjet e fundit kanë bërë që cdo qytetar jo vetëm zyrtar ta ndjekë dhe të ndjejë një dhimbje për ata njerëz.  Edhe unë në një formë apo tjetër e kam përjetuar burgun politik, për më shumë se  10 vjet në burgjet e Jugosllavisë dhe e di cfarë do të thotë burgosja dhe përndjekja. Për këta njerëz duhet të ketë respekt e gjithë shoqëria. E kam lexuar si student nga letërsia antike greke një bashkëbisedim paksa filozofik dhe njëri prej bashkëbisëduesit e pyet tjetrin se cili qytet në Greqi i ka qytetarët më të kulturuar. Dhe përgjigja e tjetrit është se qytetarët më të kulturuar do t’i ketë ai qytet grek, ku qytetarët do të dinë të reagojnë, kur padrejtësia i bëhet tjetrit, jo kur padrejtësia i bëhet atij vetë. Realisht, njerëzit duhet ta ndjejnë padrejtësinë dhe dhimbjen që i shkaktohet tjetrit. Unë, mesa di, edhe Shqipëria ka një ligj për t’i dëmshpërblyer të përndjekurit. Ne ende nuk e kemi finalizuar atë ligj dhe mund të them prej gjithë të burgosurve në Kosovë vetëm Adem Demaci ka një pension. Megjithatë, mendoj se të dy shtetet duhet ta kryejnë obligimin e vet mbi bazën e ligjeve që i kanë. Ata njerëz duhet të dëmshpërblehen. Ndoshta pozicionet e vështira ekonomike të popullit tonë gjatë këtyre viteve e kanë bërë të humbasin disa veti që i ka patur, e kam fjalën për solidaritetin, kemi një solidaritet bukur shumë të zhvlerësuar, nuk e kemi më institucionin e mirënjohjes të cilën e kemi patur në kohëra edhe më të vështira. Unë jam ithtar i asaj, që ne si politikë dhe si shoqëri në përgjithësi duhet tu kthehemi ketyre vlerave.

Rudina Xhunga: Ka patur shumë ngjarje në Kosovë kohët e fundit, njëra prej të cilave ka qenë vetëvrasja e ish drejtorit të privatizimeve, Dino Hasanaj.  11 goditje me thikë të cilat së fundmi janë cilësuar nga hetuesit si plagë karakteristike vetëvrasje.

Jakup Krasniqi: Ai ishte realisht pas Pavarësisë, Kryetar i Bordit të Agjencisë së Privatizimit të Kosovës. Nuk mundet që të gjitha privatizimet t’ia veshim as vetëm kësaj periudhe, as vetëm asaj që ka qenë para 17 shkurtit 2008. Atë që e kam marrë edhe unë si shembull ka qenë mënyra sesi në fund është marrë një vendimi për Hotelin Grand në Prishtinë. Edhe para vetëvrasjes se Dino Hasanaj në shtypin tonë kanë dalë disa cështje, ka pas reagime se për të ndryshuar ose për të lënë vendimet që ishin vendosur përpara, janë kërkuar mjete financiare, pra është kërkuar të paguhet. Dhe problemi nuk është vetëm këtu. Të gjithë ata njerëz që përfliteshin ishin pjesëtare të Kabinetit qeveritar, pra bëhej fjalë për zv. Kryeministrin, për një zv. Ministër dhe njerëz të tjerë që ishin realisht pjesë të kabinetit qeveritar edhe pse ndoshta i imponuar nga rrethanat politike, votat etj.

Rudina Xhunga: Personi kryesor në këtë histori që ju akuzoni drejtpërdrejtë është zv. Kryeministri i parë, z. Bexhet Pacolli.

Jakup Krasniqi: Po, është z. Pacolli, dhe kishte disa biznesmenë të tjerë. Më pas, vetëvrasja nxorri në shesh se kush ka kërkuar të holla dhe ky proces është në vazhdim, pra vazhdon procesi i privatizimit.  Cështja është nëse problemi i privatizimit ka qenë vetëm me problemin e Grandit, pasi në Kosovë janë privatizuar edhe objekte të tjera. Para vitit 2008 ose në fund të legjislaturës së dytë në Kosovë që ka qenë një qeverisje e udhëhequr nga Aleanca me Lidhjen Demokratike, është privatizuar edhe Ferronikeli dhe trajtimin e debatit në Kuvend e kam drejtuar unë. Gjithashtu ka qenë një nga objektet e një rëndësie më të vecantë për industrinë në Kosovë pas Trepces dhe këtu ka patur shumë parregullsi.  Kontrata që është bërë për të nuk dihet as sot e kësaj dite, pra është jo transparente. Nuk dihet se cfarë asetesh janë privatizuar dhe cfarë nuk është privatizuar dhe askush nuk merret me këtë cështje. Këtu janë dy fakte që unë i kam marrë në fjalën time në Kuvend dhe kam kërkuar që t’i bëhet një analizë procesit të privatizimit.

Rudina Xhunga: Në emër të cilit dyshim, që po privatizohen dhe po blihen gjëra nga njerëz të lidhur me pushtetin në Kosovë dhe ndërkohë Kosova nuk përfiton asgjë prej shitjes së saj?

Jakup Krasniqi: Më kujtohet që kur është bërë zhurmë, ende pa u privatizuar Ferro Nikeli, njëri nga pronarët që mendohej se do ta blinte kishte thënë diku që reagime më të mëdha kam patur edhe diku tjetër por kam arritur që me 5 milion t’i shuaj zërat kundërshtues.

Rudina Xhunga: Nuk e kishte fjalën për Shqipërinë, besoj?!

Jakup Krasniqi: Jo, për Shqipërinë. Per për një vend tjetër. Ne atëherë si parti politike, ishim në opozitë dhe kemi kundërshtuar deri në moment të fundit. Por pasi kemi ardhur në pushtet nuk e kemi trajtuar edhe pse kishim bërë zhurmë kur ishim në opozitë. Normale do ishte të formonim një trupe që të kontrollonte se cfarë është privatizuar, nëse po bëhen investime mbi bazat e kontratës që ka qenë arritur dhe cfarë është privatizuar, mos personi që e ka privatizuar po shet dhe ka përvetësuar asete që nuk kanë qenë të përfshira në kontratë? Pra, kontrata e Ferronikelit ka qenë dhe është e panjohur për opinionin dhe politikën. Përvec kësaj 36 muaj, ka zgjatur mosnënshkrimi i kësaj kontrate përderisa pronarit nuk i është mundësuar që diku tek 70% ta blejë më lirë energjinë dhe Kosova jo vetëm që nuk ka fituar me privatizimin e saj por Kosova ka humbur edhe në shitjen e energjisë elektrike të këtij gjigandi me cmim nën tregun. Kështu që humbjet janë vërtetë shumë të mëdha dhe natyrisht këtu ka shumë dyshime. Tani janë disa objekte që janë në procedurën e privatizimit, sic është Distribuimi i Energjisë, është KEK-u, është Post Telekomunikacioni i Kosovës, pastaj vijnë minierat e pasura të Kosovës. Këto të fundit nuk janë realisht në përgjegjësi totale të Agjencisë së Privatizimit. Ndërmarrjet publike nuk janë përgjegjësi e Agjencisë por të qeverisë.  Këtu realisht ne e dimë që jemi në një kohë krize dhe e dimë që ndoshta mund të mos ketë shumë të interesuar për të blerë këtë pasuri të Kosovës por kjo nuk do të thotë që ta shesim me cfarëdo lloj cmimi. Sikur të prodhonin me humbje ndoshta do të ishte një arsye për ta shitur por realisht nuk është kështu. Nga ana tjetër, forma, mënyra sesi po kërkohet ky privatizim nuk është në favor të Kosovës dhe me të drejtë një deputet e shtroi pyetjen: Këta po shesin apo po blejnë? Pse dalin në favor të blerësit dhe nuk po e ruajnë pozicionin e shitësit për ta shitur më shtrenjtë? Është interesante pasi shitësi po angazhohet më shumë në favor të blerësit sesa pozitën që ka. Këtu ka disa dyshime. Ka edhe metoda të tjera që do të duhej të përdoreshin në këtë rast.  E dyta, nuk kemi një projekt konkret. Ne po e shesim Postën apo një objekt tjetër, por të hollat që do të fitojmë nga ky privatizim, ku do të shkojnë, për cfarë do ti orientojmë? Kështu që realisht kemi kërkuar të bëhet një analizë e cfarë është privatizuar, cfarë është fituar, ku kanë qenë të metat dhe mangësitë, nëse është cështja e infrastrukturës ligjore ta ndryshojmë atë infrastrukturë, të marrim pak frymë dhe ta privatizojmë pjesën tjetër por që ai privatizim të jetë në shërbim të popullit.

Rudina Xhunga: Ndërkohë, pak a shumë, përgjigja që ju vjen nga partia juaj, e cila është kryesorja pasi ajo qeveris, ajo drejton, kryeministri i Kosovës është i kësaj partie, është se ju dhe persona si ju që kundërshtojnë privatizimin po e bëjnë këtë me metoda komuniste, me metodat e Hugo Chavez.

Jakup Krasniqi: Këto realisht janë goditje të ulëta. Unë jam i bindur që në Kosovë me etiketa ideologjike po tentohet të ngulfatet demokracia, debate, fjala e lire dhe shprëehja e lirë. Dhe kjo ngulfatje con tek ajo që njeriu edhe pse i lirë ta ketë mendjen të robëruar. Kosovës dhe askujt nuk i duhet që të ketë njerëz me mendje të robëruar se ndryshe edhe kombi do të jetë i robëruar. Kështu që kjo është tendenca për të ngulfatur mendjen e lirë, debatin e lirë dhe realisht për të krijuar se gjasme në Kosovën e vogël që ka 2 milionë banorë tani, dikush po bënka përpjekje për të vendosur një sistem tjetër. Qëllimi është për ti etiketuar njerëzit, pastaj për të krijuar errësirë dhe një shprehje e vjetër thoë që ujku do mjegull. Unë nuk dyshoj dhe as nuk jam ai që duhet ta dijë, por kjo politikë kur përdoret kështu më shtyn të dyshoj se njerëzit kanë interesa të vecanta dhe ato interesa duan t’i bëjnë duke eleminuar cdo mendim tjetër dhe sigurisht që kjo nuk është e shëndoshë për demokracinë.

Rudina Xhunga: Ju do ta pengoni deri sa të mundeni vazhdimin e privatizimeve në këtë mënyrë në Kosovë?

Jakup Krasniqi: Mendoj se po të shikohet realisht me urtësi, me mendje të kthjellet, pa interesa personale por me interesa nacionale, edhe pse raporti i votave në këtë proces ishte 45 për ta pezulluar dhe jo për ta ndërprerë privatizimin, dhe për të vazhduar kundër këtij mocioni, ishin 53 vota, ishin 9 abstenime. Mirëpo realisht në Kuvendin e Kosovës, unë e di që vota e deputetëve është e barabartë, por është një e vërtetë e madhe që në parlamentin e Kosovës kemi 20 vende të rezervuara dhe po të shikohet në këtë raport vota e qytetarëve është me 45 deputetët dhe jo 53. Dhe mendoj se politika në Kosovë duhet të mendojë më seriozisht dhe të mos marrë hapa që ndoshta në të ardhmen dikush duhet me mjete revolucionare të vendosë pengesa. Unë nuk e dëshiroj këtë, unë dëshiroj një zhvillim normal të shoqërisë demokratike në Kosovë.
 

Rudina Xhunga: Ju z. Krasniqi jeni shprehur gjithashtu se ka deputetë të partisë suaj, ardhur  me vota të vjedhura në Kuvend, një akuzë tepër e rëndë.

Jakup Krasniqi: Edhe para zgjedhjeve kam paralajmëruar, kam kërkuar që të mos preket vota e qytetarëve. Edhe pas zgjedhjeve kanë thënë paraprakisht, vëzhguesit ndërkombëtarë si nga Evropa ashtu edhe nga Amerika, që zgjedhjet kanë qenë të parregullta dhe kanë kërkuar që sistemi i drejtësisë ta bëjë një korrigjim. Ne tani kemi rreth 250 vetë që janë ndëshkuar dhe bëjnë dënimin për shkak të keqpërdorimit që kanë bete ne votime. Janë rreth 700 a më tepër, që presin të zhvillohen gjyqe dhe te marrin dënimet e tyre. Dhe keta jane komisionere jo vetem te partise demokratike. Kam patur disa takime në Bruksel dhe vërejtjet më të mëdha kanë qenë për procesin zgjedhor jo të rregullt, për shkak se zgjedhjet nuk kanë qenë të lira, nuk kanë qenë të drejta dhe nuk kanë qenë të rregullta.  

Rudina Xhunga
: Kush e ka përgjegjësinë për faktin që zgjedhjet nuk ishin të lira, nuk ishin të drejta?

Jakup Krasniqi: Përgjegjësia ka qenë kryesisht e partive politike.

Rudina Xhunga: E partisë suaj politike

Jakup Krasniqi: Edhe e partisë sime por edhe e partive të tjera. Unë nuk them që të gjithë deputetët janë me vota të vjedhura por ka deputetë që realisht kanë qenë manipulues të zgjedhjeve. Ata, ndoshta, po të ishin përfaqësues të mirë të qytetarëve dhe ta përcillnin mesazhin se komisionerët po dënohen dhe se ata komisionerë kanë punuar mbi bazën e urdhërit, urdhëruesit duhet ta merrnin përgjegjësinë me vete. Por kjo nuk ndodh kërkund dhe mesa duket nuk do të ndodhë as tek ne.

Rudina Xhunga
: Por ndërkohë ju merrni përgjegjësinë të drejtoni një Kuvend me vota të vjedhura?

Jakup Krasniqi: Unë po pretendoj dhe po them që ndoshta jo të gjithë deputetët që kanë qenë me vota të vjedhura ma kanë dhënë votën mua, pasi unë kam marrë mbi 90 vota nga deputetët. Sigurisht që nuk e kam ndjerë veten mirë e megjithatë unë e mora përgjegjësinë që ta udhëheq Kuvendin e Kosovës dhe jam përpjekur ta udhëheq mbi bazën e procedurave për të cilat jemi marrë vesh sepse ne e kemi një rregullore të punës së Kuvendit dhe jam përpjekur ta zbatoj atë por nuk ndjehem krejt komod. Por unë jam aty me votat e mia dhe jo me vota shumë të shmangura. Po të mos e pranoja unë do ta pranonte dikush tjetër, ndodhta nga ata me vota të vjedhura prandaj përfundimi është më mirë të jem unë sesa dikush nga ata. Unë nuk e kam thënë lehtë atë fjalë dhe as nuk e kam thënë atë fjalë të pamenduar.  Nuk jam unë i vetmi që e kam kontestuar votën e disa deputetëve por në fund të fundit ata deputetë kanë prodhuar institucione dhe realisht ato institucione kanë legjitimitet të lënduar. Unë sigurisht kam patur një luftë të brendshme se kjo është një e keqe dhe pyesja veten a të hesht, a të vazhdoj të hesht deri në fund, apo të flas?
Pse e kam thënë në këtë moment? Me 10 shtator ka përfunduar mbikëqyrja e Pavarësisë së Kosovës dhe konsideroj që është një fitore e mirë. Tani Kosova, nga grupi drejtues ndërkombëtar, është tamam e pavarur dhe ne së shpejti do të hymë në procese zgjedhore dhe në këto procese zgjedhore të mos hymë me defekte që na kanë përcjellë deri tani, të lirohemi nga këto defekte dhe vërtetë të bëjmë zgjedhje të lira, të drejta dhe që të tjerët të na i pranojnë zgjedhjet. Ky është obligimi im pasi ABC-ja e demokracisë janë zgjedhjet e lira, pa zgjedhje të lira vërtetë që nuk do të ketë institucione as të lira dhe as demokratike.
Une besoj që qytetarët tanë, njerëzit tanë duhet të lirohen nga frika per te mos thene te verteten.  Unë kam qenë punëtor i arsimit, edhe pse për pak kohë, nga nxënësit kurrë nuk kam kërkuar t’i binden asaj që them unë. Kam kërkuar që ata të bëhen të zotë dhe të dinë të reagojnë ndaj cdo padrejtësie. Domethënë, kjo nuk është dicka që më udhëheq vetëm tani, dhe për inate personale të këtij apo atij jam duke folur, unë gjithmonë kam qenë kështu. Pra, është dicka që është rritur bashkë me mua dhe e kam parë momentin e duhur se duhet të them dicka. Duke parë edhe zhvillimet që janë kanë ndodhur kohëve të fundit, sidomos në botën arabe dhe kemi parë se ato udhëheqës të gjithëpushtetshëm të atyre vendeve nuk kanë patur kush e di sa fuqi. Fuqinë atyre ua kanë dhënë njerëzit që i kanë rrethuar dhe kur njerëzit janë liruar nga frika që ata kishin mbjellë me vite, ne e kemi parë përfundimin e tyre. Kjo do të thotë se ne duhet të mësojmë. Politika jo vetëm tek ne por kudo ndodhet mëson që frika mund të krijojë një pushtet por ai pushtet është tepër i paqëndrueshëm në momentin që qytetarët e marrin guximin për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Dhe unë nuk dëshiroj që vendi dhe populli im me forma të tilla ta shprehë guximin e tij. Unë dëshiroj që populli dhe vendi im ta shprehë guximin e vetë në formë demokratike dhe thjesht qytetarët e kanë obligim që me votën e tyre ta bëjnë ndryshimin. Mendoj se me të gjitha zhvillimet kudo në botë kanë treguar se ndërrimi i pushtetit me votën e qytetarëve është më i qëndrueshëm dhe më i shëndoshë për vetë popullin. Unë vetë do përpiqem me mish e me shpirt ta demokratizoj Partinë Demokratike.


Krasniqi flet per Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhen

Rudina Xhunga: Në Shqipëri dhe në Kosovë gjithashtu, ky vit i 100 vjetorit ka përkuar edhe me debate të mëdha për rishkrimin e historisë. Ju e keni ndjekur z. Krasniqi?

Jakup Krasniqi: Po, edhe e kam ndjekur por edhe jam përpjekur të jap kontributin tim në këtë drejtim. Mundësitë e cdo kohe janë për të patur një kënd të vështrimit të historisë dhe sigurisht që cdo historian dhe shkenctar i mirëfilltë që merret me shkencën e historisë paraprakisht duhet të jetë i liruar nga politika e ditës se në fund të fundit ne nuk mund të akuzojmë një politikë të një periudhe të caktuar që ka ndërhyrë qoftë në interpretimin e shkencës së historisë për ti dhënë vetes të drejtë për të bërë interpretim politika e ditës. Në shkencë ka gjurmime, ka hulumtime, ka fakte, ka dëshmi dhe historia duhet të shkruhet mbi këto por në shkencat humanitare është edhe një mundësi që shkencëtari i ka mundëitë për të bërë selektimin e fakteve, e dëshmive dhe pak a shumë me i dhënë kahun nga këndvështrimi i tij personal. Shkencat shoqërore e kanë këtë mundësi dhe shpesh herë shkencëtarët e bëjnë këtë. Megjithatë, historia e kombit tonë është shkruar edhe në të kaluarën, ka patur shkencëtar te shquar jo vetëm në hapësirën kombëtare por që i kanë tejkaluar edhe kufijtë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ka dëshmi dhe fakte që kanë sjellë dhe nuk është shumë lehtë të kontekstohen ato që janë arritur. Megjithatë, shkencat shoqërore ashtu si të gjitha shkencat e kanë mundësinë e avancimit të tyre. Unë jam për avancimin e shkrimit të historisë.

Rudina Xhunga: Për shembull, cili është opinioni juaj për rishikimin e figurës së Ahmet Zogut?

Jakup Kransiqi: Nuk jam marrë shumë meqenëse unë jam prej atyre njerëzve që janë marrë edhe me periudhën e rilindjes kombëtare, në mënyrë të vecantë me periudhën e pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të shtetit shqiptar. Faktet ndonjëherë janë kokëforta dhe dëshmojnë dicka tjetër. Unë jam i bindur se mbi gjithë atë që kam lexuar dhe analizuar, edhe gjatë këtij viti, për atë periudhë jam i bindur se janë figura të tjera ato që kanë krijuar dhe mundësuar shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar. Kryesisht ato kanë qenë figura që janë ushqyer me ide të rilindjes kombëtare, ishin programet e rilindjes kombëtare, ishin njerëzit që ishin mbartës të atyre ideve dhe atij programi që krijuan shtetin e pavarur dhe Sovran. Brenda një 10 vjecari u dëmtua shumë substanca e atij shteti që e kishin krijuar atdhetarët dhe që e shfrytëzuan të tjerët dhe u desh përsëri të dalin në skenë atdhetarët, e kam fjalën për periudhën në fillim të vitit 1920, për Kongresin e Lushnjes, pra ishin përsëri atdhetarët ata që e shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi, ishin përsëri atdhetarët ata që organizuan Luftën e Vlorës dhe që i larguan italianët nga Shqipëria. Pra, ishin këto lëvizje që ndodhën në Shqipëri pas Kongresit të Lushnjës që edhe Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Parisit në një farë mënyrë i detyruan që ta pranojnë shtetin shqiptar të cilin e kishte pranuar më parë Konferenca e Ambasadorëve të Londrës në vitin 1913. Ashtu sic thashë, ishin atdhetarët ata që vendosën themelet e Shqipërisë. Ishte gjithashtu një klasë e cila ishte rritur në kuadër të Perandorisë Osmane dhe e cila kishte arritur të shkollohej në atë Perandori, që jetonte shumë me mentalitetin e asaj Perandorie, që në një farë mënyrë ata kishin kontribuuar në shkatërrimin e asaj Perandorie që ndoshta, edhe duke patur parasysh konjukturat e Fuqive të Mëdha të kohës të cilët kërkonin që në Shqipëri të vendoseshin drejtues që nuk i turbullonin fuqitë e Ballkanit. E kam fjalën se e gjithë Evropa e dinte se populli shqiptar me kufijtë që u vendosën në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës kishin shkaktuar padrejtësi të madhe, shqiptarët reagonin ndaj kësaj padrejtësie pasi gjysma e kombit kishte mbetur jashtë kufijve reale, më shumë se gjysma e trojeve shqiptare kishte mbetur jashtë dhe ata për të krijuar një siguri të brendshme në Shqipëri por më tepër për të krijuar një siguri të jashtme në Ballkanin tonë ata stimulonin klasa politike që ishin për cfarëdo Shqipërie dhe natyrisht edhe figura e mbretit në atë kohë ishte e tillë që për interesat e një klase të ngushtë, e një klani të ngushtë luftonin për cfarëdo Shqipërie por jo për Shqipërinë etnike.

E keqja është se gjatë këtyre 100 viteve shpesh herë më lehtë kemi biseduar me armiqtë tanë sesa me njerëzit tanë të brendshëm që kanë qenë dashamirës të kombit. Unë po marr një shembull, Ahmet Zogu ka biseduar më shumë me palën serbe dhe greke si dy shtetet më armiqësorë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe nuk ka krijuar miqësi me Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën dhe figura të tjera të rëndësishme kombëtare. Ne duhet ta dimë këtë jo për të mbetur në labirinthet e atyre viteve por për të mos i ndjekur ato labirinthe.

Rudina Xhunga: Po Enver Hoxha, për cilën Shqipëri luftoi?

Jakup Krasniqi: Lufta Nacional Clirimtare natyrisht ka rëndësinë e vetë pasi ishte një rreshtim në krahun e luftës anti-fashiste dhe kjo i ka dhënë një rëndësi por ndoshta konjukturat e kësaj kohe ishin të atilla që nuk mund të ndryshohej. Ndoshta vitet e Luftës së Dytë Botërore, edhe pas saj, kanë qenë vite që udhëheqja e kohës është dashur të kujdeset për ruajtjen e atyre kufijve që ishin caktuar dhe që i kishin gjetur. Edhe këtë e kam trajtuar për faktin se është një temë që rezistenca pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë e zhvilluar në Drenicë, në trevën prej nga unë jam, por konjukturat ndërkombëtare kanë qenë të tilla që edhe pse ne kemi luftuar për t’u shkëputur nga Jugosllavia e re që doli tani nga Lufta e Dytë Botërore, kanë qenë të tilla që shqiptarët kanë mundur të humbin më shumë por jo të fitojnë më shumë.

Rudina Xhunga:
Domethënë, ndërsa jemi në vitin e 100 të Shqipërisë shtet, pa komplekse duhet të ndalojmë dhe të flasim për figurat jo bardh e zi, qoftë për Enver Hoxhën, qoftë për Ahmet Zogun, qoftë për figura të tjera pavarësisht nga klasa politike që udhëheq së fundmi.

Jakup Krasniqi: Unë jam marrë ndoshta më tepër me periudhën e viteve ’80 e këndej dhe jam përpjekur ta trajtoj historinë jo bardh e zi, të mos ia mohoj askujt kontributin që e ka në forcimin qoftë të luftës për liri dhe shfrytëzimit të rrethanave të reja në Kosovë edhe kur kemi qenë nën sundimin e jugosllavëve-serbë, pra secilës figurë i duhet dhënë merita që ka por jo më shumë dhe nuk do të duhej largësia historike për ti dhënë dikujt përparësi dhe dikujt tjetër jo. Janë faktet dhe dëshmitë historike që tregojnë për angazhimin e secilit dhe sigurisht e rëndësishme është tani pas 100 vjetëve që Shqipëria është shtet dhe e kemi parë sesi janë ndërruar njerëzit, sesi janë ndërruar sistemet por Shqipëria ka mbetur. E rëndësishme për brezin tonë sot dhe në të ardhmen do të jetë Shqipëria dhe Kosova. Sigurisht që si dje edhe sot, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, ka shumëcka për të ndryshuar, për ta bërë më mirë por ajo që duhet të mësojmë është që mentalitetet e vjetra, mentalitetet që ngulfasin fjalën e lirë, që ngulfasin shprehjen, që nuk qeverisin me projekte dhe plane të caktuara por me menaxhin ditor. Menaxhimi ditor nuk sjell ndryshime që i duhen vendit, nuk sjell ndryshime që i duhen kombit dhe realisht kombit shqiptar në përgjithësi i mungon një klasë politike, akademike, shkencore, profesionale e cila do të bënte një projekt sesi do të dukej kombi brenda 5 vjetëve, pas 10 vjetëve apo edhe më shumë. Kjo na mungon dhe për këtë njerëzit e politikës, shkencës, njerëzit që e duan këtë vend, që duan ardhmërinë e këtij vendit duhet të angazhohen të punojnë me plane dhe projekte në të mirë të zhvillimit të gjithëkujt.

Marre me shkurtime nga “Shqip” ne Top Channel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA