Kryeministri Sali Berisha ftoi kreun e opozitës Edi Rama që të heqë dorë nga ajo që ai e cilësoi si “politikë bllokuese për integrimin e vendit” dhe të votojë në Parlament 3 ligjet me shumicë të cilësuar, pjesë e papërmbushur e 12 prioriteteve të Bashkimit Europian për Shqipërinë.

Duke qenë se pa miratimin e tyre, Këshilli Europian nuk pritet të miratojë në dhjetor propozimin e Komisionit Europian që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, kryeministri Berisha tha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se, nëse vazhdon me këtë politikë bllokuese, pasojat për Partinë Socialiste dhe për vendin do të jenë të pallogaritshme.

Kryeministri u shpreh se zoti Rama u tërhoq nga kompromisi i një jave më parë për rregulloren e Parlamentit, kur qeveria pranoi që kreu i opozitës parlamentare të marrë fjalën, pas diskutimit kryesor të kryeministrit, duke iu rikthyer variantit fillestar që kreu i opozitës të diskutojë pas çdo ndërhyrjeje të kryeministrit.

Berisha ftoi Edi Ramën “të heqë dorë nga ideja-siç tha ai- për t’u bërë kryeministër nëpërmjet rregullores së Kuvendit dhe jo nga votat e qytetarëve”.

Kryeministri Berisha ftoi gjithashtu zotin Rama të bëjë mocion besimi për Këshillin e Qarkut Fier, me zgjidhjen e të cilit opozita ka kushtëzuar votimin për ligjin e Gjykatës së Lartë dhe Shërbimit Civil.

Këto komente, kryeministri Berisha i bëri pasi mori urimin e grupit parlamentar demokrat për ditëlindjen e tij të 68-të. Një ditë ku ai ka rrëfyer se i ka kërkuar Zotit të Gjithëpushtetshem realizimin e tre dëshirave:

Që t’i japë edhe gjysmën e viteve që ka jetuar, t’i japë edhe gjysmën e mandateve që ka qeverisur, ndërsa dëshiren e tretë kryeministri Berisha tha se e ka lënë ta bëjë vitin e ardhshëm.

Top Channel