ARTAN MULLAJ – Në një film fantashkencë, disa vite më parë, toka u
sulmua nga jashtëtokësorët. Të shëmtuar, metalikë, barbarë, me makineri
fluturuese dhe armë të frikshme, që lëshonin reze dhe zjarr, mysafirët
barbarë të hapësirës, sulmuan me koketeri çdo meridian e qytet në
planet, për të shuar pa mëshirë, njëherë e mirë racën njerëzore.
Ky ishte me dy fjalë thelbi i skenarit të filmit të frikshëm, që paralajmëronte mbarimin e ditëve. Edhe pse të bashkuar, njerëzit ishin shumë të dobët përballë superteknologjisë vrasëse të jashtëtokësorëve, dhe prandaj, raca e tyre po shuhej me shpejtësi. Sidoqoftë, vetëm në mes të rrezikut, lind mundësia. Sado të përsosur të ishin ata hapësinorët barbarë, si krijesa të Zotit, njerëzit e tmerruar mendonin se duhej të kishin një pikë të dobët. Nuk mund të qenë krejt të përsosur, si Zoti!.
Dhe e kishin vërtet një pikë të dobët. Tokësorët në zhdukje, befas e kuptuan se UFO-t nuk e duronin dot muzikën. Sakaq, mijëra altoparlantë gjigantë shpërndanë në atmosferë tingujt e Beethoven, Simfonia 9. Sapo shpërtheu melodia klasike në planet, kokat e armiqve të qiellit filluan të shpërthenin si tullumbace me lëng të zi përzier me tru, gjak dhe rrjedhje të shpifura. Dhe kështu muzika shpëtoi njerëzimin..
E solla këtë synopsis skenari për të bërë një analogji fantastike me luftën politike në Shqipëri. Nga njëra anë, opozita e brishtë, gabimmadhe dhe me dobësi sistematike në perceptimin e fuqisë së kundërshtarit dhe në lehtësinë e të kuptuarit të gjërave, dhe përballë, Sali Berisha, shtet, qiellor, i pasur, i egër, i keq, i fuqishëm, i pamposhtur si një dinozaur i “RRUGËS SË QUMËSHTIT”.
Luftë e pabarabartë? Betejë e kotë? Humbje e paralajmëruar? Këtej njerëzit opozitarë, të varfër, të papunë, të pafuqishëm, të pambrojtur, të pazotë për të reaguar kundër sundimit, andej Saliu, bajlozi i zi, i madh, i frikshëm si e shkuara e tij, me ushtrinë milionere pas, me shpatën në dorë.
Në kënetën e pazakonshmërisë, Berisha, pse jo, mund të supozohet si i tillë. I ka të gjitha tiparet e një jashtëtokësori të fantazuar nga regjitë e HOLLYWOOD-it. I rrethuar nga një bandë e madhe servilësh të pasur, të pandjeshëm, të pangopur, duke qenë edhe vetë i shkretuar si ata nga babëzia, asnjë fuqi shqiptare nuk do mund ta konkurronte në arrogancën, delirin, brutalitetin dhe babëzinë e tij për pushtet.
Lind pyetja: Si jashtëtokësorët e filmit, a ka edhe Saliu “thembër Akili”? A ka një pikë të dobët pushteti i betonuar i këtij njeriu që si personazh, vështirë se mund të krijohej edhe nga autori botëror i fantashkencës, Stefan Wul? Një dobësi që do ta mposhte, do ta bënte të shkuar, ashtu si muzika e Bethovenit pat shkatërruar kokat ujore të jashtëtokësorëve në filmin që lart përmendëm?
Mos është pleqëria? Pleqëria që, kur e tërheq përdore njeriun drejt perëndimit, mes vjeshtës së ardhur, ia shkrin akujt e thellë edhe shpirtrave më të egër e mëkatarë?
Kush do të jetë pika e dobët e Berishës? Mos do të jetë befas mëshira? A mund të jetë? Mëshira që si një vejushë, do t’i afrohet në një ditë dimri pranë oxhakut, në një muzg të përhimtë kryeministror për t’i fryrë në vesh këto fjalë: “Sali bej! Boll mirë je! Ça do ma shum se kaq? Ver pak dorën n’zamën, bir. Mendo edhe për të tjerët. Për të pashpresët. Për ata që me zor mbushen me frymë. Për ata që i venë zjarrin vetes. Për familjarët e atyre që len frymën n’shesh. Për fëmijët e uritur, me baballarë të papunë dhe me nëna lotëthara, që kanë frikë se gjumi i fundit i tyre do të jetë edhe gjumi i madh… Sali, bir, vene dorn n’zamën, n’mëlçi, n’shpretkë, ku të dush. Pasuri ke sa ka pas edhe Ali Pash Tepelena, për vete, për fëmijët e tu, për besnikët, ortakët dhe fëmijët e tyre. I thithe palcën këtij vendi. Shite çdo gjë me vlerë që ka ky vend, mbi dhe edhe nën dhe. Atë pak çfar le pa shit, e ke shkatrru. Ju dhe miqve, dhe miqve të miqve të tu prona dhe koncesione. Disa njerëz janë vrarë për ty, Sali, lart e poshtë. Të gjitha i bëre, të gjitha i ke. Prandaj, ver dorën n’ zamën dhe ikë. Ikë! Leri këta njerëz të jetojnë pa këtë peshë, pa këtë mllef, pa këtë urrejtje për ty!”…
Mos pika e dobët e Saliut është frika e ardhshme nga vetvetja, ndërsa jashtë në pragun e derës, e pret si një mallkim, gjyqi ende i pabërë i ndërgjegjes së tij?
Mos dobësia e tij do të jetë vetëm vdekja, gjyqi i taksur i perëndisë për të gjithë?
Jo! Asnjëra nga këto. Edhe vdekja i largohet Berishës. E ka frikë! Koha, seancat, viktimat, kanë provuar tjetër gjë. As trokitja e vjeshtës, as takimi i ardhshëm i Saliut me perëndinë, në kushedi ç’sallë me kushedi ç’engjëj rrotull, as keqardhja e paqenë për vrasjet në sheshe, as mëshira e munguar për grevistët e urisë të së shkuarës dhe të së ardhmes, nuk janë dhe nuk mund të jenë dobësi të Kryeministrit qiellor të shqiptarëve.
Por edhe pse i ka sfiduar të gjitha këto, ndryshe nga ç’mund të pritet, udhëheqësi ynë e ka një pikë të dobët, një dobësi, që në fakt, nuk ka të bëjë me atë. Si një plazmë e tejdukshme, ajo ndodhet jo brenda tij, por jashtë, larg tij.
Dobësia e tij është moraliteti. (Jo morali i tij, se nuk ka). Morali i kundërshtarit të tij. Morali i opozitës.
Moraliteti i opozitës, ndjeshmëria, ndershmëria, vetëm kjo gjë mund të jetë dhe do të jetë “muzika shpëtimtare” që do të hedhë në erë trurin blu e mavi të pushtetit të Saliut dhe salinjve me radhë. Opozita duhet të bëjë një ndalesë, që të kuptojë situatën. Kur të kuptojë situatën, do jetë gati të marrë një vendim që të fitojë frymën e shqiptarëve. Vendimin për të qenë e sinqertë dhe e moralshme me elektoratin e saj. Vendimin të pastrohet nga hijet, të shpërlahet nga dyshimet. Vendimin që të lërë pas të shkuarën fodulle, me deputetë fodullë dhe mediokër… Vendimin që të gjallërojë misionin dhe vizionin e saj duke pastruar moralin e ri nga ndotjet e vjetra. Mos është ky një projekt teorik? Aspak. Pastrim morali do të thotë pastrim listash, autoritetesh dhe pastrim mentalitetesh. Sapo të fillojë të bëhet, ky vendim do të sjellë sakaq besueshmëri dhe interes.
Ç’do të thotë kjo? Partia Socialiste ka nevojë të instalojë në struktura vullnetin kolektiv për integritet dhe cilësi përfaqësimi. Për këtë, ajo duhet të ndryshojë apo të pastrojë vetë strukturat nga figurat e përfolura dhe sidomos perceptimet.. Partia Socialiste duhet të shtrydhë mirë kujtesën, për të kuptuar se listat gabim të deputetëve në zgjedhjet e shkuara, ishin një përgjegjësi sublime, që në mos shkaktuan, ndihmuan humbjen. Listat e reja të deputetëve duhet të bëhen nga një mekanizëm i ndryshëm, që përzgjedhjen e bazon tek intelektualiteti, përgjegjësia dhe morali, jo te miqësitë e krerëve dhe pasuritë, sikundër, për fat të keq, ka ndodhur shpesh deri tani. Shqipëria gjendet në pikën e fundit, ajo nuk mund të qeveriset me mënyrë tjetër, por veçse me moralitet të vullnetshëm. Nuk ka hapësira për gabime të tjera… Nuk mund të ketë. Nuk do të ketë. Nëse njerëzit që përfaqësojnë do të zgjidhen përsëri në mënyrë mediokre, për arsye mediokre, ta kemi e të na rrojë Saliu. Zoti hedhtë dritën e tij përmbi ne!
Ylli i integritetit moral të PS-së duhet të rilindë në qiellin e shpresës. Nuk është vetëm metaforë kjo gjë. Është Kusht! Është ngutshmëri. Moraliteti duhet të jetë edhe kriteri i parë i koalicioneve. Asnjë koalicion në kurriz të ndershmërisë. Asnjë marrëveshje me palët që vodhën dhe shpërdoruan Shqipërinë. Asnjë pakt me palët që nuk kanë fe, moral edhe besë. Bashkimi i PS-së me LSI-në e Ilir Metës sot, do të ndihmojë Saliun po aq sa e ndihmoi ndarja me LSI-në në 2009-n. Sot LSI-ja nuk është palë. Është ndotje! Kryetari i PS-së dhe kryetarët e PS-së duhet të bëhen model ndershmërie, duke marrë seriozisht zhgënjimin që sjellin koalicione të tilla, në opinionin dhe ndjeshmërinë e socialistëve të thjeshtë.
Pastrim do të thotë të deklarosh dhe pranosh hapur gabimet e së shkuarës. Kjo gjë risjell besim edhe shpresë. Kjo edhe listat. Kujdes me listat, njerëzit e përfaqësimit, të cilëve do t’ju delegohet autoritet. Nuk mund të fitosh besimin e votuesve, nëse ju imponon atyre të përfaqësohen në Parlament nga njerëz klanorë, të përfolur, të kapur, të dhjamur e të pasuruar nga shteti në zyrat e shtetit, arrogantë e fodullë. Është koha që PS të ribëjë një kthesë të fortë shkëputjeje nga tranzicioni i saj, nga ndotja e shkuar e moralit të saj. Shkulje rrënjësh, ashtu si pat bërë 20 vite më parë shkëputjen e fortë nga Partia Komuniste e Punës. Një kthesë drejt moralit! Vetëm atëherë vendimet e së ardhmes do mund të ndezin besimin e votuesve të çoroditur. Dhe që të fitosh apo rifitosh besimin e tyre, duhet ata të ndihen të vlerësuar me përfaqësimin e drejtë, me emra të denjë, me njerëzit e zotë e të ndershëm, që PS i ka realisht me shumicë. Vetëm kur Partia Socialiste të përmbushë këtë nevojë, ajo do të rifitojë magjinë.
Top Channel