Heqja e taksës, Qeveria: Premtim elektoral bosh

13/10/2012 00:00

Pas një takimi me bizneset e vogla në kryeqytet, zëvendësministri i
Financave, Nezir Haldeda e quajti propozimin e opozitës për të zeruar
taksën për biznesin e vogël premtim elektoral bosh, tek i cili nuk beson
as vetë biznesi.

“Askush nuk e beson këtë që mund të bëhet tatim mbi biznesin e vogël zero, sepse taksat jo vetëm janë thjeshtuar, janë reduktuar. Ne kujtojmë vitin 2007, kur kjo taksë u përgjysmua dhe ishte e njëjta opozitë që ishte kundra, tani na del që duhet hequr”, tha Haldeda.

Sipas zëvendësministrit të Financave ajo që rëndon bizneset e vogla nuk është kjo taksë, por vonesat në procedurat administrative për të qenë në përputhje me rregullat tatimore.

“Biznesit t’i shërbehet më shpejt e t’i shërbehet më mirë. Bizneset e vogla janë shumë më elastike, sepse hapin një biznes mbas disa muajsh, e mbyllin atë, krijojnë një aktivitet tjetër dhe kuptohet ka një minimum kërkesash që duhet të plotësohen. Ne po shkojmë drejt thjeshtimit të kërkesave, për të patur aksesin elektronikisht”, tha Haldeda.
 
I pyetur nga Top Channel lidhur me dëmshperblimin e ish të përndjekurve politikë të cilët prej 22 ditësh janë ngujuar në një grevë urie, zëvendësministri i Financave u përgjigj: “Nuk duam që të spekulojmë me këtë, absolutisht ajo do të trajtohet sipas ligjeve që janë në fuqi, askush nuk mund të dalë mbi ligjin”.

  

Top Channel