Bashkëpunëtorët e sigurimit, bashkudhëtarë të demokracisë

13/10/2012 00:00

NDUE DEDAJ – 1 Dosjet. Një histori tronditëse e regjimit të kaluar, që s’ka
marrë fund as sot. Nuk është fort e këndshme të rrahësh herë pas here
çështje të tilla delikate, por kur mendon zgjedhjet e ardhshme vetëm pas
disa muajsh, një nga dilemat e tua si qytetar dhe votues është: a do të
jenë sërish bashkudhëtarë zgjedhorë, bashkëpunëtorët e Sigurimit? Në
garë për deputet dhe më tej.

Përballë elektoratit dhe padukshëm. Është një temë kaq e përfolur, e debatuar, por ata ende nuk janë bërë “dalje” nga demokracia, përkundrazi vazhdojnë ta turbullojnë, trysnojnë e nakatosin keqas atë. Habitesh se si mbijetojnë në pushtet dhe në rrëzat e tij, në forma e pozicione të ndryshme, ish-spiunë të vegjël e të mëdhenj. Ani se shumë syresh të dalëboje.

Nga ata që vite të shkuara vetë forumet e mazhorancës së sotme i kanë flakur si të papërshtatshëm për t’u zgjedhur, domethënë pa të drejtë “vize” për të drejtuar të tjerët. Nuk ka qenë e denjë për demokracinë tonë që tranzicioni ka bashkuar në të njëjtën zyrë ish-shefin e Sigurimit me ish të dënuarit politikë, në dhjetëra raste, në polici, shërbimin informativ shtetëror, ushtri, diplomaci, drejtësi, administratën publike etj.

Vërtet që Spaçi mund të bëhet muze i kujtesës (qëndresës) politike shqiptare, por njëherësh duhet menduar për pengimin demokratik, për t’u ngjitur në pushtet, të furnizuesve e tij me “agjitacion dhe propagandë”. Greva e urisë e të burgosurve politikë, me episode vetëflijimi, nuk mund të na lërë të qetë si shoqëri demokratike.

Natyrisht që njerëzit e mediave nuk kanë pasur nëpër duar dosje, apo regjistra me pseudonime, ama kujtesa komuniste është ende e gjallë. Shumë vite më parë, në një minierë të largët, arrestohej me shumë bujë për sabotim ekonomik një nga kuadrot, ku në atë ditë ferri për ta u lavdëruan disa bashkëpunëtorë të devotshëm sigurimi, me gjasë dhe arsimtarë, ani se pa duartrokitje.

Të tjerë janë ngritur në gjyqet politike të kohës dhe kanë dëshmuar ashtu si e dinë vetëm ata dhe vuajtësit për shkak të tyre. Por dhe të tjerët që nuk i qenë ekspozuar publikut. Natyrisht që nuk na intereson tipologjia e tyre, porse ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit nuk janë një nocion abstrakt, po një realitet mes nesh. Nuk e meriton një institucion publik, cilido qoftë ai për nga rangu, shkollë në provincë apo dikaster qendror, të ketë në krye njerëzit e dosjeve të djeshme.

Dhe padyshim as ata që i prodhuan bashkëpunëtorët, siç quhen herë-herë sigurimsat, që shohin si përfliten vazhdimisht të përpunuarit prej tyre, kurse ata vetë nuk ndiejnë kurrfarë përgjegjësie morale si individë, pasi thonë nuk qemë ne represivët, por sistemi. Askush nuk po thotë që të penalizohen, sa nuk ka padi gjyqësore kundrejt ndonjërit, por që ustallarët e dosjeve të jenë sërish “kapo” në pushtetin e ri, kjo më e pakta është e pandershme dhe lojë me demokracinë, hile dhe kurth ndaj saj. E për të mos përgjithësuar, nëse ka pasur punë të dobishme nga shërbimet sekrete në mbrojtje të interesave të shtetit dhe të vendit, kjo duhet veçuar. Problemi sipas nesh është kryesisht “agjitacioni dhe propaganda”, që ishte mundësia për të qenë armik cilido dhe në çdo kohë, edhe fshatari që nuk e dinte nga binte politika dhe ku Sigurimi i kishte duart e lira. Doemos që të drejtën për të ndryshuar në një shoqëri të lirë dhe për t’u zgjedhur e ka kushdo, pra dhe ish-sigurimsat dhe ish-bashkëpunëtorët, aq më tepër që ende kemi në politikë ish-sekretarët e parë dhe ministrat e Partisë së Punës, por ama pasi të votëbesoheshin nga publiku, që nënkupton njohjen paraprakisht nga zgjedhësit të dosjeve të tyre në ngarkim të ish të dënuarve të ndërgjegjes. Mirëpo nevoja për vota, për të shtrënguar radhët, bën që nganjëherë të mbyllet njëri sy apo të dy. Hyj ndër ata që kanë mendim pozitiv për arritjet e kësaj mazhorance, në infrastrukturë, arsim, teknologjinë e informacionit, privatizime, mbajtjen nën kontroll të situatës ekonomike, marrjen së fundi të ftesës për integrim, përkundrejt kritikave për korrupsion etj. Ndaj ngjan e pakuptimtë se si nuk është bërë një reformë thelbësore në lidhje me pastërtinë e figurës së njerëzve që konkurrojnë për pushtet, përmes një ligji adekuat të lustracionit, që të vihet trau i “doganës” pikërisht kur në momentet zgjedhore, dhe jo kur qëllon që pëlcet bomba, në rastin e këtij apo atij kandidimi për poste të larta shtetërore. Vendet e tjera si ne e kanë ndarë këtë punë me kohë dhe as që mund të imagjinohet që një ish-bashkëpunëtor të fitojë pushtet në demokraci.

2

I shkruan këto radhë, por thellë vetes nuk beson se do të ketë reagim nga politika dhe ligjvënësi, teksa në anën njerëzore nuk ke kurrfarë dëshire të hysh në këtë tunel për “kuriozitet”, duke e ditur se si funksiononte makina e shtrëngimit dhe e dhunës shtetërore në kohën e diktaturës. Hapja e dosjeve për politikanët do të çlironte nga pesha e “fajit” dhe jo pak individë që njerëzit e Sigurimit i kishin shkruar nëpër regjistra për të realizuar planin. Kishte plan për të arrestuar për agjitacion e propagandë, dhe si nuk do të kishte për të bërë bashkëpunëtorë? Prandaj kjo kategori që qe vetëfshirë me kohën s’ka pse të vuajë faktin që emrat e tyre rastësisht gjenden në regjistrat e shërbimeve sekrete. Ishte një fiktivitet i gjithanshëm, duhej patjetër plan për grurin, kromin, kalueshmërinë qind për qind të shkollave, votimin 99 për qind, një popull i tërë ushtar, doemos dhe një lumë bashkëpunëtorësh të qenë e të paqenë. Dosjet janë pengu i mosndryshimit të madh, një nga bllokazhet e demokracisë, çka nuk duhej ta kishin lejuar as ndërkombëtarët. Nuk është fjala për ndonjë “demaskim” publik të njerëzve që qenë përfshirë me apo vullnet në ato shërbime, por për ta çliruar demokracinë nga vargonjtë e së shkuarës. Ky tranzicion ka ardhur i tejzgjatur dhe për shkakun e pengimit që i bëhet nga makineria e pazmontuar e regjimit të vjetër. Dikush po thoshte se ata të dosjeve të djeshme, i kanë për zemër dhe sot “dosjet”, duke intriguar kundër të tjerëve, si duket ngaqë nuk rrojnë dot pa bërë zanatin e vjetër. Por nuk mund ta shpëlajnë nga vetja zgjyrën e regjimit të kaluar, kinse duke u përbetuar në emër të demokracisë. Problemi nuk është tek ata individë që janë deformuar njëherë e nuk duan të ndërrojnë, por i politikës që është “zemërgjerë” me ta. Për t’i përdorur dhe jo se i dhimbsen. Për t’i tërhequr për freri në elektorat. Si duket prapë dosjet do të përdoren për të bërë shantazh. Do të përgojohen e lëndohen dhe njerëz të ndershëm, që shërbimet e djeshme sekrete iu patën rënë në qafë padrejtësisht. Ata që do të përfitojnë do të jenë si gjithnjë ustallarët politikë.

Edhe pse duket si diçka e kaluar, mjaft që ta dojë punë dhe dosjet brofin nga fundi i dheut, duke shantazhuar politikën dhe jetën e vendit. Kjo ka qenë arsyeja që kemi shkruar se dosjet mbyllen, vetëm kur ato më parë të hapen. Është e padenjë për një politikë moderne, që dhe në rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës të luajë me dosjet. Nëse nuk do të ketë procedim ligjor, si në vendet e tjera të ish-Lindjes, të drejtën e “lustracionit” do ta ketë në një anë pozita, në anën tjetër opozita: ky të kalojë (se është yni), ai tjetri të ndalet (se është i tyre). Sikur e kishim më mirë vite më parë, kur pati funksionuar komisioni njëherë “Mezini” e më pas “Bezhani”. Do të ishte në nderin e politikës të gjendej mekanizmi që 2013-ta të ishte pa dosjet.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA