Kaçin: Përfitoni nga momenti pozitiv

12/10/2012 19:50

Zëvendëspresidenti i delegacionit euro-parlamentar për Ballkanin, slloveni Jelko Kaçin, në një deklaratë për shtyp mbi përfundimet e raport-progresit të radhës për Shqipërinë, drejton fillimisht mesazhe ndaj klasës politike shqiptare.

“Besoj fort se udhëheqësit shqiptarë duhet të përfitojnë nga momenti pozitiv që është krijuar pas marrëveshjes politike të nëntorit 2011 mes partive qeverisëse dhe opozitës. Stabiliteti i institucioneve dhe dialogu politik është i rëndësisë më të madhe. Gjithashtu, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit përbëjnë sfida kyçe ku pritet progres”, ka deklaruar Kaçin.

Më tej në deklaratë, eurodeputeti thekson rëndësinë e pavarësisë së institucioneve për integrimin evropian, në mënyrë që Shqipëria të mos mbetet pas vendeve të tjera në rajon.

“Duke patur parasysh se Mali i Zi ka nisur bisedimet për anëtarësim dhe se Maqedonia është tashmë një vend kandidat, Shqipëria duhet të jetë më ambicioze se kurrë. Duke garantuar pavarësinë e institucioneve të shtetit, Shqipëria do t’i arrijë fqinjët e saj në proçesin e integrimit evropian”, ka pohuar Kaçin.

“E inkurajoj fort ta bëjë këtë gjë. Janë shpërduar shumë vite me grindje partish politike. Është momenti i duhur që liderët shqiptarë të fokusohen tek rritja e ekonomisë dhe mirëqenien e qytetarëve”, ka nënvizuar ai.

Gazetar në kohën e ish-Jugosllavisë dhe sot eurodeputet me përkatësi politike liberale, Kaçin njihet për mesazhet e tij të drejtpërdrejta, sidomos ndaj Serbisë, për të cilën është prej disa vitesh dhe raportues i Parlamentit Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA