Një ditë pasi Shqipërisë iu dha një status i kushtëzuar i vendit për kandidat, “Top-Story” i Sokol Ballës, grumbulloi një panel politikanësh dhe analistësh për të biseduar mbi domethënien e këtij statusi dhe rrugën që i duhet ende të ndjekë vendit tonë deri në fitimin e plotë të tij.
Duke nisur nga ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, kryetari i komisionit të jashtëm në Kuvend, deputeti demokrat Fatos Beja, kryetari i komisionit të Integrimit, socialisti Ditmir Bushati dhe drejtori i Fondacionit Shqipëri e Hapur, njohur shkurt si “Soros”, Andi Dobrushi, nisën debatin e tyre mbi vlerësimin për këtë arritje.
“Brukseli është përgjithësisht i kujdësshëm që të japë opinionet e tij me realizëm dhe sa më objektiv, prandaj edhe vlerësimet e tij, janë përgjithësisht gotë gjysmë plot dhe gjysmë bosh. Këtë herë, reagimet thotnë se gota është tre të katërtat plot. Kjo është edhe baza e optimizmit tonë. Shumë mirë kjo që është e arritur, por ka ende diçka për t’u bërë. Unë nuk besoj se ka diçka të papritur dhe të re, të gjithë i ndjekun ngjarjet, kujtojmë se 12 përparësitë që është folur gjatë kësaj periudhe kanë qenë diçka e vecantë për Shqipërinë, pasi Brukseli përgjithësisht është bazuar mbi vlerësimet që rrjedhin nga Marrëveshje e Stabilizim Asocimit”, nisi argumentimin e tij zoti Beja.
Duke hyrë në detaje, Bushati vendosi theksin mbi faktin se statusi është vetëm një etapë e ndërmjetme e procesit integrues të vendit tonë, ndërsa solli paralele me proceset e vendeve të tjera të rajonit. “Personalisht i përkas grupimit që përpiqet të jetë realist, me sytë nga optimizmi. Ia vlen për opinionin të sqarojmë se qëllimi i aplikimit është anëtarësimi dhe fryti i parë është hapja e bisedimeve, ndërsa statusi i vendit kandidat, është një shpikje, në thonjëza, e BE-së e përdorur kryesisht tek vendet e Ballkanit Perëndimor. Që kur ka nisur ky proces, pas gjashtë vendeve themeluese të BE-së, statusi u përdor për herë të parë për këtë rajon si hap i ndërmjetëm, nga një shpikje u kodifikua dhe tashmë është shndërruar në një term politik. Në rastin e Kroacisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, BE vendosi që të kishte një ndarje të qartë mes statusit dhe negociatave. Tek Serbia, kur ndodhi rasti i parë i kushtëzimit, me një rekomandim të kushtëzuar për statusin. E njëjta situatë paraqitet edhe tek rasti i Shqipërisë. Statusi është një moment logjik i ndërmjetëm, por nuk duhet të harrojmë që jemi në vitin e tretë, askujt nuk i ka zgjatur kaq gjatë ky proces, prandaj nga njëra anë duhet të jemi realistë. BE, në këtë progresraporti përdori një qasje realiste, duke fragmentuar 12 prioritetet, duke vendosur në qendër të vëmendjes ato që kanë të bëjnë me bashkëpunimin politik dhe progresraporti e intervista e Komisionerit Fyle konfirmon vlerësimin për kriteret e bashkëpunimit. Tashmë, mbeten dhe dy kushte thelbësorë për të arritur, për arritjen e shtetit të së drejtës dhe transformimin demokratik, çka do të thotë se zgjedhjet e ardhshme do të kenë një rëndësi thelbësore për të ardhmen e vendit”.
Për ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Panaritin, marrja e këtij statusi, do të thotë se Tirana zyrtare arriti objektivin madhor që i kishte vendosur vetes gjatë këtij viti. “Objektivi i qartë për këtë vit ishte marrja e statusit dhe në funksion të këtij qëllimi, ajo paketë reformash që është ndërmarrë dhe realizuar, ka çuar në përmbushjen e kritereve apo atë që në terminologji është cilësuar si arritja e një masë kritike, për të bërë të mundur kapërcimin e atij pragu që do të na kualifikonte për marrjen e statusit. Askush nuk priste të plotësonim menjëherë të 12 prioritetet, në këtë fazë ku jemi, sepse ajo do të hapte automatikisht negociatat. Pritshmëria jonë ka qenë marrja e statusit dhe kjo është e rekomanduar nga progresraporti, me sugjerimet apo kushtet. Kuptohet, mbetet ende një punë e rëndësishme për t’u bërë, në miratimin e tre ligjeve të rëndësishëm, për procedurën parlamentare, gjykatën e lartë dhe administratën publike. Të treja këto janë të realizueshme, janë çështje të vullnetit politik, por me këtë klimë pozitive që është krijuar, duket diçka mëse e arritshme”.
Nga ana e tij, kryetari i Fondaconit për Shoqërinë e Hapur, e cila realizon një vlerësim të saj mbi përparësitë dhe shumë sektorë të tjerë, vlerësoi si pozitiv faktin që “të paktën, kjo fejesë tashmë është servirur nga Brukseli dhe mbetet vetëm për t’u konfirmuar”. Për Dobrushin, “ajo që besoj se është e rëndësishme të paktën është që u rekomandua statusi, por duke pasur parasysh objektivin kombëtar, ky objektiv duhet përkthyer në vullnet politik, që duhet të konkretizohet brenda fundit të nëntorit, që Këshilli i Ministrave të KE-së të rekomandojë marrjen e statusit”.
Deputeti socialist Ditmir Bushati tha se Komisioni është forcë shtytëse e vendeve që synojnë anëtarësimin në BE. Sipas tij, Shqipëria mori statusin e vendit kandidat nisur edhe për shkak të axhendës së vitit të ardhshëm. “Në rastin e Shqipërisë Komisioni ishte ai që ndihmoi palët politike për të shkuar drejt marrëveshjes së nëntorit. Ndarja e statusit nga negociatat është e parashikueshme. Komisioni nxitoi për të dhënë statusin për arsye gjeopolitike dhe kohore që mund të shkonte përtej 2014-ës. Vitin tjetër janë zgjedhjet dhe aksi shqiptar do të ngelte i paankoruar drejt BE-së. Kjo është edhe një dashamirësi dhe mundësi që i jepet klasës politike shqiptare për të bashkëpunuar e për ta cuar këtë proces më përpara. Cështja është a do ta transformojmë parlamentin nga një formë monoteike në një institucion kolektiv bashkëpunues?”, tha Bushati.
Drejtori i “Soros”, Andi Dobrushi tha se ka një matje për zbatimin e 12 prioriteteve, por shtoi se për Shqipërinë dhe shqiptarët është e rëndësishme të mos jemi spektatorë të integrimit të rajonit por të vihemi në linjë me ta. Dobrushi tha se ajo që është cilësuar si masë kritike e reformave të plotësuara ka të bëjë me reformat e pakthyeshme që trajtojnë një kah për shoqërinë shqiptare, jo ec e ngec, por një drejtim konstant dhe të qendrueshëm që dëshmon një demokraci të qendrueshme.
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti vuri theksin tek ajo që ai e cilësoi si shqetësimi madhor i Komisionit, që sipas tij është vullneti i brendshëm për dialog politik, që lë për të dëshiruar.
Por deputeti socialist, Ditmir Bushati solli në vëmendje konfliktin mes dy palëve për cështjen e Qarkut të Fierit. Zoti Bushati vlerësoi se Fieri është rasti tipik që tregon se si në këtë vend nuk zbatohen vendimet e gjykatave dhe se këto raste dëshmojnë se nuk ka dialog dhe bashkëpunim politik.
Sa i përket vendimit të opozitës për të mos votuar Lefteri Lleshin në krye të KQZ-së, deputeti socialist tha se ishte një vendim i bazuar nga lidhjet e ngushta që kishin kandidatët dhe kandidatja që u votua me pushtetin.
Ndërsa kreu i Komisionit të Jashtëm në Kuvend, Fatos Beja tha se zgjedhjet janë kusht për anëtarësim në BE. Por thelbi i problemit, sipas tij, është administrimi politik i votës, që ndërkombëtarët sugjerojnë të ndryshohet.
Andi Dobrushi bëri një parashikim optimist për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ai tha se ka një shtrat bashkëpunimi mes palëve dhe se premisat janë që bashkëpunimi të vijojë.
Në mbyllje, Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti tha se me plotësimin e tre kritereve të vendosura për çeljen e negociatave për anëtarësim, i takon diplomacisë shqiptarë dhe stafit të saj të njohë kancelaritë e 27 vendeve anëtare me përparimin në fjalë.
Top Channel