Një burrë goditi disa herë me grusht bashkëshorten e tij para gjykatëses. Një nga lajmet e kronikës së zezë që me të drejtë pushtoi ekranet për të treguar se dhuna nuk njeh as institucionet e së drejtës ku mund të vihet paqe.
Por, ndërkohë që filmimet tregonin çiftin që vazhdonte të debatonte në shkallë dhe policët që shoqëronin bashkëshortin e dhunshëm, shumë pak prej nesh vumë re ekzistencën e vajzës së mitur, dëshmitare e kushedi sa herë e të njëjtës skenë të cilës kësaj here i ndryshonte vetëm vendi.
Cfarë ndodh dhe çfarë do ndodhë me këtë vajzë? Apo me djalin 10-vjeçar, i cili i përgjërohej të atit të mos ia vriste të ëmën në shkallët e hyrjes të gjyshërve, ku ishin strehuar deri sa të përfundonin procedurat e divorcit.
Cfarë do ndodhë me dy fëmijët e çiftit Koxhaj, bashkëjetesa e të cilëve mori fund në një teh thike nën efektin e alkoolit? A do e harrojë 9-vjeçari momentin kur me gishtat që i dridheshin përpiqej të formonte numrin e xhaxhait, apo vëllai 3 vjet më i vogël që në momentin e krimit e këputi gjumi?
Sa fëmijë kanë mbetur jetimë nga dhuna në familje? Kush do kujdeset për vuajtjet e tyre, kush do i shoqërojë në shkollë, si do përgjigjen kur t’i pyesin për babin apo mamin, do i mbajnë gjyshërit, dajat, apo xhaxhallarët; do jetojnë në jetimore, do i lënë ta shohin prindin e mbetur pas hekurave? Si do shkojë jeta e tyre e mbjellë dhe e rritur me skena dhune, fëmijëri e ndërprerë nga mungesa e prindërve dhe u duhet të bëjnë prindin për motrat apo vëllezërit më të vegjël.
Fëmijët i sjellim në jetë e i rrisim, shpesh, me shumë vështirësi. Jo rrallë ndodh që
një ton i ngritur zëri, një shuplakë e më pas një dhunë fizike e një shkalle më të lartë të shkatërrojnë gjithçka: veten tonë, partnerin, familjen e mbi të gjitha të ardhmen dhe vetë jetën e një fëmije.
Ndaj këto raste, këta fëmijë që kanë mbetur në këto kushte kaq tragjike, teksa i shohim duhet të na bëjnë më të ndalur të gjithëve, para se të çojmë nëpër mend përdorimin e dhunës ndaj njerëzve më të shtrenjtë që kemi në jetë.
Rrëfimi i 14-vjeçarit, dëshmitar i skenave të dhunës mes prindërve
Ky 14-vjeçar ka një ëndërr shumë ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij. Gjëja që dëshiron më shumë në botë është që prindërit e tij të mos grinden dhe të jetojnë të lumtur me njëri-tjetrin. Që kur ka ardhur në jetë, ka qenë dëshmitari i vazhdueshëm i konflikteve mes prindërve të tij.
“Kur ziheshin, ndihesha i trishtuar. Më bezdiste fakti se unë i doja të dy dhe nuk doja t’i shikoja të ziheshin. Mendoja se ata një ditë do ndaheshin dhe unë duhet të rrija vetëm me njërin”, tregon djali.
Por kjo ditë tashmë ka ardhur. Pas 14 vitesh dhune sistematike, prindërit e tij tashmë janë në prag të divorcit.
“Konfliktet kanë filluar pas një viti martesë dhe degjeneronin deri në rrahje e kjo gjë ndodhte në sy të fëmijëve. Ata trembeshin dhe qanin. Shumë herë na ka nxjerrë edhe jashtë”, thotë gruaja.
E dinte shumë mirë se kur do fillonte sherri, e megjithatë djali asnjëherë nuk largohej: “Rrija se kisha frikë se godiste mamin. I dilja para mamit që mos i gjuante.”
Gruaja e dhunuar tregon: “Pas debatit nuk i flisnin të atit, por rrinin me mua. Flinim ne një krevat kur ishin të vegjël sepse kishin frikë nga i ati.”
Vite të gjata dhe sherre që s’mbaronin kurrë. Por që madje shpesh herë përkeqësoheshin aq sa ishte e nevojshme ndërhyrja e policisë.
“Këto sherre kanë ndikuar shumë, djali ka qenë shumë mirë me mësime. Por kur patëm një konflikt të rëndë, djali ra menjëherë nga mësimet. Tani i ka filluar edhe dhembja e kokës”, tregon nëna e fëmijëve.
Megjithëse duket sikur tashmë gjithë këtyre vuajtjeve po u vjen fundi, në të vërtetë nuk është kështu.
“Jam i trishtuar, por ndoshta do jetë më mirë sepse nuk do ketë më sherre”, thotë djali 14-vjeçar.
E megjithatë edhe divorci është kthyer në një arsye sherri në familjen e tij, të cilën ai vazhdon ta ëndërrojë të lumtur e të bashkuar: “Do doja të jetonim si një familje e bashkuar.”
E dënuara: Si jetojnë 5 fëmijët e mi pas burgosjes sime
Aishe Pojani është dënuar 6 vjet më parë për vrasjen e bashkëshortit. Ajo është nëna e 7 fëmijëve, që pas ngjarjes mbetën jetimë.
“Kur jam arrestuar ka qenë dita më e vështirë për mua sepse lashë fëmijët vetëm. Mendoja se si do të jetonin pa asnjë prind”, shprehet Aishja.
Është historia tipike e dhunës në familje, ku bashkëshorti që pinte dhunonte jo vetëm atë, por edhe fëmijët.
“Fëmijët i ka ruajtur Zoti. I gjuante me pjata në kokë, me këpucë në kurriz… këto gjëra bënë që të më humbte durimi”, tregon e burgosura.
Pas vrasjes, Aishja përfundon në burg, ndërsa 5 fëmijët, pasi dy të mëdhenjtë ishin martuar, mbetën në mëshirë të fatit. Më e madhja e fëmijëve ishte 21 vjeç dhe më e vogla 8.
“Ishin shumë të vegjël dhe nuk e dija a do ta përballonin jetën. Momentet e para u përkujdes shteti me ushqime dhe veshmbathje”, thotë Aishja.
Me siguri shumë prej nesh do ju kujtohet apeli që bënë fëmijët e mbetur jetimë në Top Channel, të cilët tashmë jetonin në kushte të mjerueshme, të vetëm. Sot, pas 6 vitesh, Aishja na tregon se çfarë bëhet me fëmijët e saj.
“Zbritën nga fshati dhe jetojnë në periferi, në Kombinat. Jetojnë të pestë bashkë, punojnë, por është vështirë”, thotë gruaja.
Aishja tregon se megjithëse pati shumë premtime për strehim, realisht s’u bë asgjë. Dy prej fëmijëve të saj mund të strehoheshin në jetimore për shkak të moshës, por ata nuk pranonin të ndaheshin. Ndërkohë, prej 6 vitesh ata përpiqen të mbijetojnë dhe pa mbështetjen e të afërmve.
“Asnjë nga të afërmit s’i ndihmon. Përveç nënës e babait nuk ka kush kujdeset. Xhaxhallarët kanë probleme ekonomike”, shprehet Aishja.
Të vetëdijshëm për humbjen e babait, fëmijët nuk duan kurrsesi të humbasin dhe të ëmën. Me të kanë mbajtur kontakte që ditën e parë. Vetëm një vit e pak muaj e ndan nënën me fëmijët e saj, të cilët prej 6 vitesh janë bërë prindër të njëri-tjetrit.
“Mezi pres që tu përkushtohem dhe të mos bëhen të njëjtat gabime dhe ato të jenë të aftë që ta fillojnë jetën siç duhet”, përfundon Aishja.
Psikologia e shkollës: Adoleshentët që kanë dhunë në familje nuk kërkojnë ndihmë
Edhe pse numri i këshillimeve pranë psikologëve të shkollave janë rritur për problematika të ndryshme, adoleshentët e kanë shumë të vështirë t’i drejtohen psikologut për dhunën që ushtrohet në familjet e tyre.
“Ka pak raste që kërkojne ndihmë, pjesa tjetër janë rezistente”, shprehet psikologia.
Sipas psikologes, Ornela Belbaj, adoleshentët kanë ndrojtje, frikë dhe s’mund tu besojnë personave të panjohur për atë çfarë ndodh brenda mureve të shtëpisë. Por megjithatë, ata e reflektojnë traumën që përjetojnë në familje: “Fillojnë izolohen, bien nga mësimet dhe shpesheherë e shprehin agresivitetin edhe në klasë.”
Shkolla shpesh bëhet vendi i manifestimit të këtyre sjelljeve: “Gjithë ngarkesën që kanë në shtëpi e shkarkojnë në shkollë, pasi shkarkojnë ndjenjën e fajita dhe mllefin.”
Studimet tregojnë se veçanërisht në këtë moshë, përjetime të tilla ndrydhin mendimet dhe aftësitë krijuese si dhe shkaktojnë trauma psikike të pariparueshme.
Top Channel