Mijëra bebe vijnë në jetë çdo vit përmes fertilizimit “in vitro”. Aty ku nuk jep zgjidhje natyra, ndërhyn shkenca.
“In Vitro” është një proces që ngjizjen e embrionit e zhvillon në laborator, përkundër trupit të gruas që është edhe rruga natyrale e fillimit të një shtatëzanie.
“Është një nga shpikjet më të mëdha të mjekësisë. Shumë çifte që e kanë të pamundur të bëjnë fëmijë, tashmë mund ta realizojnë ëndrrën e tyre.”
Megjithatë sipas mjekut obstetër-gjinekolog pranë Spitalit Amerikan, Elton Peçi, ky proces nuk nënkupton aspak mohimin e të drejtës biologjike prindërve. Përpos procesit që në këtë rast realizohet ndryshe: “Të gjitha hapat e bashkimit të vezës me spermatozoidin bëhen në laborator.”
Fertilizimi “in vitro” është një procedure e thjeshtë sipas mjekëve. Së pari, merren vezët nga trupi i femrës dhe ato fekondohen me qelizat spermatozoide. 3 apo 5 ditë pas zhvillimit të embrionit në laborator, qelizat e fertilizuara futen në trupin e femrës.
“Është një procedurë që ka shumë kompleksitet, por për disa çifte është zgjedhja e vetme për të pasur fëmijë”, shpjegon Peçi.
Në Shqipëri fertilizimi “in vitro” është nga aplikacionet mjekësore më të suksesshme, kjo edhe në raport me vendet e zhvilluara: “Në Shqipëri suksesi është 51%, në disa vende të Europës si Francë dhe Itali suksesi arrin në 30%.”
Jo në të gjitha rastet mundësimi i shtatëzanisë përmes fertilizimit “in vitro” arrin të ketë sukses që me tentativën e parë. Por, çifti mund të ripërsërisë shumë herë aplikimin deri në arritjen e rezultatit të kërkuar.
Klausio, fëmija që erdhi në jetë përmes “in vitro” pas 20 vitesh martesë
Klausio është drita e kësaj shtëpie. Qendra e vëmendjes për të gjithë, jo vetëm se është më i vogli mes tyre, por sepse bebja ka ardhur në jetë në një kohë kur nuk pritej më. Fatbardha, nëna e tij, kishte një jetë që provonte të kishte një pasardhës, i cili lindi kur ajo mbushi 50 vjeç.
“Pas 20 viteve martesë arrita të bëj fëmijë. Ishte një gëzim shumë i madh për ne”, tregon Fatbardha.
50-vjeçarja kishte pasur disa shtatëzani në të shkuarën, por ato ishin ndërprerë në mes pa u mësuar asnjëherë shkaku. Pas shume tentativash në Greqi, ajo provon edhe një herë mundësinë përmes fertilizimit in vitro në Spitalin Amerikan në Tiranë: “Kemi jetuar në Greqi 15 vjet, kam patur shumë peripeci. 4 shtatëzani të humbura dhe pastaj erdha ketu tek Spitali Amerikan dhe solla në jetë Klausion”.
Pas fertilizimit “in vitro”, lajmi për vazhdimin e shtatëzanisë së Fatbardhës ishte befasi: “Nuk kisha më shpresa, asnjë nuk e besonte, as vetë nuk e besoja.”
Kishte shumë pak për të shpresuar. Madje Fatbardha vetë mendonte se ky ishte shansi i fundit për të lindur një fëmijë. Dhe ishte pikërisht këmbëngulja e saj, e cila realizoi këtë ëndërr.
“Kur vendosa ta bëja, burri më tha “jo sepse do mërzitesh pastaj kur ta humbësh”. Por unë këmbëngula. Isha optimiste, thashë ta provoja për herë të fundit”, thotë Fatbardha.
Në Spitalin Amerikan, me dhjetëra çifte provojnë shtatëzaninë In Vitro. Por, rasti i Fatbardhës është unik edhe për vetë mjekët: “Fatbardha është rasti i gruas që ka provuar shtatëzaninë përmes “in vitro”-s disa herë. Në menorien time ajo do mbetet si rasti i gruas që nuk dorëzohet kurrë.”
Lajmi për lindjen e Klausios ishte befasi edhe për të afërmit e çiftit. Halla e vogëlushit 6-muajsh thonë se ai ktheu gëzimin e një shprese të humbur: “Nuk e prisja. Zoti dhe doktorët bënë të mundur mrekullinë.”
Klausi është një bebe që zanafillat e jetës i ka nisur në një laborator. Por, kjo nuk përbën asnjë dallim për nënën dhe të afërmit e tij, që falë këtij fertilizimi u solli në jetë një trashëgimtar.
“Për mua është e njëjta gjë. Po e rris vetë dhe nuk ka rëndësi procesi. Por, paragjykimet në zonat rurale janë normale”, thekson Fatbardha.
Pas pritjes shumëvjeçare për të marrë bekimin e Zotit me një fëmijë, çifti Lakasi tani shpreson që të jetojë sa më gjatë me të voglin e tyre. Ta shohin të rritet e të shkollohet.
Top Channel