Detajet e dokumentit për Shqipërinë

10/10/2012 19:35

Cilat janë pikat ku ndalet progres-raporti për Shqipërinë? Në dokument vlerësohet se Shqipëria ka bërë një progres të mirë drejt përmbushjes së kriterit politik, por Brukseli i kërkon qeverisë rezultate të prekshme, veçanërisht në kuadër të zbatimit të angazhimeve të marra.

Zgjedhja e njëanshme e presidentit nga mazhoranca vlerësohet se frenoi bashkëpunimin mes palëve. Dokumenti po ashtu nënvizon problematikën në fushën e gjyqësorit, administratës, anti-korrupsionit dhe ekonomisë.

Në progres-raport kërkohet që proçedurat për të hedhur dritë mbi ngjarjen e 21 janarit duhet të plotësohen nëpërmjet një proçesi të besuar gjyqësor.

Citimi: “Në përgjithësi Shqipëria ka bërë progres të mirë drejt përmbushjes së ‘kriterit politik’ për anëtarësim në BE, duke dorëzuar një numër reformash nga masat kyçe të Opinionit të 2010-ës të Komisionit. Progres i mirë u arrit në reforma kyçe politike”.

Zbatimi: “Në të gjitha fushat që mbulohen nga prioritetet kyçe të paplotësuara deri në fund, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të garantuar qëndrueshmërinë e zbatimit të angazhimeve që janë ndërmarrë dhe më shumë rezultate të prekshme, veçanërisht në kuadër të zbatimit”.

Politika: “Sa i përket demokracisë dhe sundimit të ligjit, dialogu i përmirësuar politik në Parlament, si dhe klima më konstruktive në komisione dhe seanca plenare mundësoi progres të mirë në një numër fushash, pavarësisht disa periudhave të shkurtra të një retorike politike konfrontuese dhe një ngadalësimi të përkohshëm të reformave”.

Presidenti:
“Më 11 qershor 2012, një President i ri u zgjodh në raundin e katërt të zgjedhjeve vetëm me votat e shumicës qeverisëse. Megjithëse në përputhje me Kushtetutën, zgjedhjet presidenciale nuk përmbushën të gjitha pritshmëritë për gjithëpërfshirje dhe frenuan forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit politik”.

Qeverisja lokale:
“Në lidhje me qeverisjen lokale, decentralizimi i përgjegjësive të shtetit nuk u ndoq me transferimet e duhura të burimeve financiare dhe administrative nga qeverisja qëndrore drejt asaj lokale. Ekzistenca e dy shoqatave të ndara të qeverisjes lokale nuk çon në përmirësimin e mardhënieve institucionale mes qeverisjes qëndrore dhe asaj lokale në kuadër të një procesi decentralizimi transparent dhe të suksesshëm”.

Administrata: “Ka patur progres në reformën e administraës, një prioritet kyç i Opinionit, më shumë nëpërmjet miratimit të ligjit për Gjykatën Administrative dhe për Organizimin dhe funksionimin e Administriatës Publike, si dhe nëpërmjet zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Është tashmë thelbësore të miratohet ndryshimi i ligjit për Shërbimin Civil. Duhet përforcuar zbatimi i akteve administrative dhe ligjeve të miratuara. Kuadri ligjor dhe institucional për administratën publike vazhdon të preket nga parregullsi që duhen adresuar, me synimin për të përforcuar profesionalizmin, depolitizimin, meritokracinë, transparencën dhe llogaridhënien”.

Gjyqësori: “Sa i përket gjyqësorit, është shënuar progres i moderuar në plotësimin e reformës gjyqësore që është prioritet kyç i Opinionit. Megjithatë, ligje të rëndësishme për të forcuar llogaridhënien, pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit presin akoma për t’u finalizuar, miratuar dhe zbatuar. Në këtë kuadër është tashmë thelbësore që ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë të miratohen. Organizimi i gjykatave, transparenca dhe zvarritjet, si dhe statusi i administratës gjyqësore vazhdojnë të përbëjnë shqetësim për efikasitetin e gjyqësorit”.

21 Janari: “Proçedurat për të hedhur dritë mbi ngjarjet e 21 janarit 2011 duhet të plotësohen nëpërmjet një proçesi të besueshëm gjyqësor”.

Anti-korrupsioni: “Në fushën anti-korrupsion, një prioritet kyç i Opinionit, progresi ishte i moderuar, për shembull nëpërmjet kufizimit kushtetues të imunitetit për zyrtarët e nivelit të lartë dhe për gjykatësit. Megjithatë, mungesa e qasjes proaktive dhe mungesa e burimeve dhe pajisjeve vijon të pengojë hetime të vërteta. Nuk ka gjurmë të përshtatshme provash në hetimin, ndjekjen dhe dënimin në të gjitha nivelet. Korrupsioni mbizotëron në shumë fusha dhe vijon të përbëjë një problem veçanërisht serioz”.

Bashkëpunimi rajonal: “Në lidhje me çështjet rajonale dhe detyrimet ndëkrombëtare, Shqipëria vijoi të luajë një rol konstruktiv duke i ndihmuar stabilitetit të rajonit duke konsoliduar mardhëniet pozitive me fqinjët dhe partnerët rajonalë”.

Ekonomia: “Ekonomia shqiptare vijoi rritjen, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë dhe pavarësisht kushteve të vazhdueshme të pafavorshme tek partnerët kryesorë tregëtarë. Gjithësesi, defiçiti fiskal u rrit në 2011, duke çuar në një rritje edhe më të madhe të borxhit relativisht të lartë publik që vijon të tregojë një anim afat-shkurtër. Mbetja në nivele të larta e deçfitit të llogarisë korente është një burim dobësie. Papunësia vijon të mbetet vazhdimisht e lartë”.

Detyrimet e anëtarësimit: “Shqipëria ka bërë progres të moderuar në përmirësmin e aftësisë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, në veçanti në fushat e konkurrencës, taksave, statistikave, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, edukimit dhe kulturës dhe unionin e doganave. Progresi ka qenë i kufizuar në fusha të tjera si liria e lëvizjes së punëtorëve, prokurimet publike, e drejta e autorit, siguria ushqimore, peshkimi, energjia, ambienti dhe ndryshimet klimatike”.

Top Channel