ANDREA STEFANI – Nëse ka ndonjë gjë që duket se e shqetëson
Kryeministrin Berisha lidhur me kolapsin e piramidave financiare në
vitin ‘97, nuk është vrasja e ndërgjegjes për tragjedinë që pasoi, për
rrënimin ekonomik të mijëra familjeve, për shkatërrimin e shtetit dhe
mijëra të vdekur.
Nuk ka fare brejtje ndërgjegjeje, për shembull, që me propagandën mashtruese “me ne fitojnë të gjithë”, i yshti si delet shqiptarët drejt piramidave. Njeriu që vrapon të marrë meritat e gjithçkaje, që nga hyrja në NATO a BE e deri te përurimi i ndonjë WC-je publike në ndonjë fshat të humbur, ka shqetësim si të lajë duart duke ua hedhur fajin të tjerëve për atë që mbetet kryeskandali tragjiko-korruptiv në historinë e shtetit shqiptar. Si përherë kur orvatet t’ua hedhë fajin të tjerëve për krimet që ideon dhe udhëheq, armë të preferuar ka gënjeshtrën. Dhe këtë herë viktimë e taktikave të tij për mashtrimin publik, u bë Banka Botërore (BB) që ai e bën përgjegjëse se përse nuk parandaloi piramidat financiare për të shmangur tragjedinë.
***
Në një shtet normal demokratik, ndarja e pushteteve është edhe ndarje përgjegjësish. Në Shqipëri, sa herë Berisha është në pushtet, kjo ndarje pushtetesh nis e rrënohet. Gjithçka që bëhet mban vulën e vullnetit të autokratit që është në krye të qeverisë apo shtetit. Dhe vini re: Sa kohë që gjërat duket se ecin mirë, lavdia është e Berishës. Por sapo punët nisin të precipitojnë për keq e deri në tragjedi, atëherë qyrku i fajit u vishet të tjerëve. Vetë Berisha këmbëngul të mos mbajë asnjë përgjegjësi për katastrofat e dështimet, edhe pse ndodhej e ndodhet në krye të punëve! Historia e piramidave është një sagë autokratizmi dhe korrupsioni. Ashtu sikundër është, për shembull, ajo e tragjedisë së Gërdecit. Qeverisja që përfitonte politikisht dhe financiarisht nga korrupsioni i piramidave, i bëri të heshtin të gjitha institucionet që kishin përgjegjësi publike të denonconin në kohë atë aktivitet të paligjshëm, në fakt, një minë në themelet e shtetit ashtu sikundër punishtja fitimprurëse e demontimit, ishte një minë në themelet e Gërdecit. Tragjeditë, shpërthimet ndodhën se institucionet heshtën, duke e lënë të keqen të mahiset. Po përse heshtën? Sepse kështu ishte vullneti i Berishës.
***
Po, edhe institucionet ndërkombëtare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë pasur përgjegjësinë e tyre që nuk ndikuan në parandalimin e tragjedisë! Por kjo nuk shlyen aspak kryefajtorin Sali Berisha. Sepse BB ka përgjegjësinë që misionarët e saj në Tiranë, nuk ishin në gjendje të përballonin presionet e Presidentit Berisha që për vite me radhë, ngulmonte të mos prekeshin piramidat. Faji i tyre është se në një kohë kur e drejta dhe e mira e shqiptarëve e kërkonte të vepronin fort për t’i thënë ndal aventurës ku po e shpinte vendin Berisha, u mjaftuan me disa shkresa diskrete ku paralajmëronin Berishën për rrezikun që afronte. Banka Botërore në atë kohë lau duart me përgjegjësinë e Berishës. Sot është Berisha që lan duart me përgjegjësinë e Bankës Botërore. Ironia, tallja me fatin e shqiptarëve dhe Shqipërisë shfaqen groteske!
***
Këto që po shkruajmë nuk janë “fjalë kazani” si ato të Berishës. Për të gjithë këto ka prova që Berisha nuk mund t’i fshijë me ca fjalë të tjera kazani. Përveç faktit të gjithëditur se asgjë nuk bëhet pa urdhrin e Berishës. Ja çfarë pohon Carlos Elbirt, drejtori i misionit të BB në Tiranë në vitet që u zhvilluan Piramidat: “Banka Botërore kishte dhënë alarmin tek autoritetet më të larta për rrezikun e piramidave që nga mesi i 1996-s. Edhe më herët, stafi i bankës që ishte familjar me këtë dukuri, paralajmëroi zyrtarë të lartë të qeverisë për rrjedhojat e pritshme. Guvernatori i Bankës Qendrore nxiti kabinetin dhe Presidentin Berisha që të ndalonte mbledhjen e parave nga piramidat. Gjë që ishte e mundur ligjërisht, sa kohë që ligji për bankat thoshte se mbledhja e depozitave është monopol i bankave të licencuara. Por nga fundi i vitit 1996, gjykatës të caktuar nga Presidenti (d.m.th. Berisha, shënim i AS) vendosën se paratë e mbledhura nga piramidat përbënin një hua ‘bilaterale’ që ishte subjekti i Kodit Civil dhe jo i ligjit për bankat”. Pra BB e paralajmëroi Berishën për rrezikun e piramidave, duke sugjeruar mbylljen e tyre, sa kohë e keqja nuk ish përhapur shumë. Por Berisha bëri të kundërtën, duke ndjekur interesa të ngushta pushteti dhe përfitimi financiar. Është një odise ku pleksen korrupsioni me autokratizmin. Duke përdorur gjykatës të kapur, formulë e njohur me të cilën sot vjedh edhe zgjedhjet apo shpall të pafajshëm me vendim gjykate qeveritarë të korruptuar, Presidenti Berisha pengoi që veprimi i ligjit të parandalonte katastrofën që pasoi. Dhe nja 18 vjet pas kësaj historie, Berisha na paska gjetur në BB “zotin Lin” që të lajë duart para historisë, por jo para ndërgjegjes së vet. Natyrisht nëse e ka një të tillë ky manjak i pushtetit pa fund.
***
Berisha dora vetë, ishte dje kryefajtori për tragjedinë e piramidave financiare ashtu sikundër është sot kryefajtor për piramidën e “demokracisë” që po ngre mu para hundës së ndërkombëtarëve. Dhe fakti që ndërkombëtarët, më së shumti, po heshtin, nuk do ta shpëlajë këtë tiran nga faji historik nëse projekti i demokracisë dështon. Por të mbetemi te piramidat e vitit ’97, duke marrë prova kundër Berishës nga kampi i vetë Berishës. Le të bëjmë të flasë përsëri Genc Rulin, sot ministër i Berishës, por në atë kohë kundërshtar “i thekur” i tij. Menjëherë sapo PD-ja kishte humbur pushtetin në vitin ’97, në një emision të Blendi Fevziut në TVSH, Ruli e shpjegonte kështu kryefajësinë e Berishës: “…A mungonin ligjet, të cilat u jepnin forcën e duhur organeve shtetërore për të vepruar ndaj firmave në momentin që u krijuan? Dhe them që nuk kanë munguar. Rregullimi i normave të interesit…ka të bëjë me normat e interesit të fajdes së huamarrjes si veprim i Kodit Civil. Këtu (në rastin e fajdeve) sado që spekulohet mbi këtë temë, s’kemi të bëjmë fare me këtë lloj huamarrjeje. Kemi të bëjmë me një huamarrje të mirëfilltë tregtare dhe atëherë i nënshtrohet ligjit të bankës dhe duhet të ishte vepruar. Çfarë kemi parë është një mosveprim nga asnjë organ shtetëror përkundrejt kompetencës që kanë për të reaguar në përputhje me ligjin në fuqi. Është për t’u përshëndetur përpjekja e atëhershme e ministrit (Ridvan Bode) që mori një kurajë individuale, duke iu kundërvënë politikës, për të bërë atë prononcim në sajë të sedrës së tij profesionale, por të mos harrojmë sikundër Kryeministri (Aleksandër Meksi) është prononcuar në vijimësi dhe ndoshta më gjatë edhe guvernatori (Kristaq Luniku) …Atëherë janë organe shtetërore që e kuptojnë fenomenin fajde, prononcohen por, hipoteza e drejtpërdrejtë është se, ka një vullnet mbi këta njerëz, mbi këta shtetarë të lartë (mbi Boden, Meksin, Lunikun), ka një vullnet prej kryeshtetari, që i pengon këta njerëz të mbyllin fenomenin fajde”. Dhe të gjithë e dinë se “kryeshtetari” nuk mund të ishte askush tjetër përveç të përhershmit Berisha, që sot kërkon t’ia hedhë fajin BB. Por është edhe ministri i tij Ruli që e përgënjeshtron me një deklarim të bërë në një kohë kur dukej se ishte, ndër të tjera, i etur të hakmerrej kundër Berishës, që desh e groposi për çështjen korruptive të “drurit të arrës”. Sot Ruli është pajtuar me Berishën që duket e ka lënë të ngopet me frytet e “arrorëve”. Sot të dy këta mashtrues heshtin për ato që kanë akuzuar njëri-tjetrin. Kanë futur kokën si struci në gëmushat e rrenës duke gënjyer veten se po gënjejnë edhe publikun. Por mëkatet që i kanë zbuluar publikisht njëri-tjetrit, i përqeshin si ca të vërteta të hidhura që i urrejnë, por nuk i groposin dot.
Top Channel