Kosovë, shpikja e familjes Vranovci

09/10/2012 17:45

Njerëzit që besojnë në ëndrrat e tyre edhe i realizojnë ato. E tillë është hitoria e Sali dhe Veton Vranovcit nga qyteti i Pejës, që pas tre vitesh punë ia dolën të ndërtojnë një makinë.

Mos prisni të shikoni ndonjë perfeksion industrial, por puna e familjes Vranovci është vërtetë unike.

Nuk ka komoditetin e një makine që kushton mijëra euro, por ndezjen e ka automatike. Në një hapësirë të konsiderueshme Saliu dhe Vetoni kanë arritur të krijojnë rehati të nevojshme.

Në këtë makinë fuqinë e prodhon një motor Toyota dhe drejtimin e bën timoni i së njëjtës kompani ndërsa shpejtësinë e tregon një prodhim i gjigandit Mercedes.

Materialet e përdorura për ndërtimin e makinës Vetoni tregon se janë marrë në varrezat e makinave në Pejë dhe më pas janë përpunuar.

“Materiali është alumin dhe inoks. Nuk ndryshken dhe rezistojnë për një kohë të gjatë”, shprehet Vetoni.

Një problem jo të vogël ndërtuesit e kësaj makine kanë hasur edhe me dizajnin. Me dëshirën për të prodhuar dicka sa më origjinale ata kanë ndryshuar jo pak herë pjesë të ndryshme të automobilit.

Pas një udhëtimi në vendin e prodhimit të makinave më të mira në botë, në Gjermani, Sali Vranovci erdhi në Kosovë me idenë për të ndërtuar një makinë të tillë.

Përvec Toyota-s dhe Mercdes-it në këtë makinë gjenden edhe Honda, Bmw, Fiat apo Crysler.

Kjo makinë është ndryshe nga të tjerat dhe një xhiro nëpër qytetin e Pejës bën që të gjithë të kthejnë kokën. Nuk po kalon ndonjë Ferrari, por është një punim amator i një familjeje të apasionuar pas automobilave.

Vetoni tregon se kanë pasur jo pak kërkesa për të ndërtuar edhe makina të tjera të këtij lloji, por koha e gjatë që nevojitet për një prodhim të tillë ka bërë që njerëzit të heqin dorë. Por të shumta kanë qenë edhe ofertat për blerjen e makinës aktuale.

Pas realizimit me sukses të kësaj makine, Veton dhe Saliu kanë një tjetër ëndërr, të festojnë në shqipëri ditën e 100 vjetorit të pavarësisë me këtë makinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA