Djegia e të burgosurit politik i nxorri kallajin neodiktaturës

09/10/2012 00:00

DAUT GUMENI – Dje në mëngjes, i burgosuri politik i diktaturës së djeshme, shqiptari i
mirë e qytetari i plakur pa ditë nga vuajtjet, Gjergj NDRECA, u spërkat
me benzinë dhe i vuri flakën vetes! Në këtë gjendje të punëve, e para
gjë që uroj është shërimi sa më i shpejtë e pa pasoja i njeriut të mirë
Gjergj NDRECA!

Uroj me zemër që Gjergji të shërohet sa më shpejt e sa më mirë dhe të kthehet te fëmijët e gruaja e tij që mezi e presin! Sikurse uroj që shërimi i Gjergjit ta shpejtojë edhe shërimin e të gjithë shoqërisë sonë nga sëmundja e rëndë e këtij pushteti të kalbur të trashëgimtarëve të diktaturës!

Djegia e të burgosurit politik të diktaturës është një ngjarje e rëndë. Por është një ngjarje e rëndë që ia nxori kallajin neodiktaturës. Është një ngjarje që tronditi të gjithë qytetin e Tiranës dhe mbarë Shqipërinë e lodhur të tranzicionit tonë të shpifur e të pabitisur, por duket se nuk u bëri përshtypje pushtetarëve aktualë të Tiranës, që i grabitin dhe votat dhe pasuritë e këtij vendi me parullën “Qytetarët janë të parët!”…

Një ngjarje e dhimbshme vetësakrifikimi sublim i qytetarit të mirë Gjergj NDRECA! E dhimbshme si vetë jeta e tij dhe e shokëve të tij të vuajtjeve të gjata në kohën e diktaturës së egër të etërve shpirtërorë të pushtetarëve të sotëm të Tiranës. E rëndë dhe e turpshme për pushtetin aktual të Tiranës e jo vetëm. E rëndë dhe e turpshme për një shoqëri të tërë të nënshtruar nga një pushtet i trashëguar, që nuk përfill as ligjet që miraton vetë! Një ngjarje që dëshmon se diktatura u paska lënë trashëgim besnikëve të saj jo vetëm pushtetin, por edhe ethet për të sunduar këtë vend e këtë popull të lodhur me të njëjtën platformë të luftës së klasave, që bëri kërdinë në këto anët tona për gjysmë shekulli të tërë.

Kush mendon ndryshe, do t’i lutesha shumë të më gjente një përgjigje për ca pyetje të thjeshta: Pse e ka sot këtë shpërfillje kriminale pushteti aktual i Tiranës kundrejt të burgosurve politikë të diktaturës së djeshme? Pse nuk zbatoi Kodin përkatës edhe për ata, sikundër bëri për të gjithë të burgosurit byroistë, me të cilët na dha shfaqjen e shëmtuar e të paturpshme, duke i dënuar jo për krimet e gjysmë shekulli në kurriz të këtij populli, por vetëm për shkeljen e dietës në pirjen e kafeve?… Pse duhet të sajojë ligje të posaçme për të burgosurit politikë të diktaturës e nuk zbaton Kodin në fuqi, sikurse bëri për të burgosurit nga radhët e udhëheqjes së diktaturës? Po ligjin e posaçëm që sajoi për të burgosurit politikë të diktaturës, pse nuk e zbaton, por kërkon që dhe atë kapso ligj ta zbatojnë të burgosurit aq të dërrmuar nga burgjet e diktaturës dhe nuk ngarkon me zbatimin e tij dikasteret përkatëse të ekzekutivit, sikurse vepron mbarë bota ku sundon ligji dhe rendi? Pse nuk ua jep më përpara të gjallëve dhe atë lëmoshë të miratuar nga Kuvendi i Ruzhdies, por e ka amenduar e arnuar tërë ato herë, deri sa e ka bërë të pazbatueshëm edhe atë ligj me karakter të dukshëm klasor, të miratuar me demagogji për këtë shtresë fisnike të shoqërisë shqiptare? Dhe, më në fund, pse duhet të bëjë thirrje ky palo pushtet që t’i dërgojnë “dosjet” kush të mundë në dikasteret ku janë të gjitha dokumentet përkatëse dhe nga ku duhet të dilnin listat e sakta të të burgosurve politikë të diktaturës? Mos kërkon që me këtë formë të paformë e të pabazë të ndjellë për “dëmshpërblim” të gjithë shërbëtorët e pushtetit dhe të abuzojë edhe me fondet e pakta për të burgosurit, sikurse ka vepruar e vepron përditë me të gjitha fondet publike e me të gjitha pronat e me të gjitha pasuritë publike e private të këtij vendi?

Përpara se të shtyjë Gjergjin dhe shokët e tij të detyrohen të bëjnë grevë urie në përpjekjen e fundit për të gjetur të drejtën e tyre të dhënë nga ligji i po këtij palo pushteti, kjo lloj qeverisjeje hibride komunisto-naziste duhej të zbatonte atë ligj klasor që miratoi vetë për të burgosurit politikë të diktaturës dhe jo të tallej me atë shtresë të vuajtur e të mezi mbetur gjallë nga diktatura e djeshme. Përpara se të shtynte deri në grevë urie ata qytetarë të mirë, që kanë një jetë të tërë në grevë urie, ky palo pushtet i sëmurë për të sunduar me çdo kusht e me çdo çmim, do të bënte më mirë të hiqte maskën demokratikase dhe të deklaronte arsyet që e shtyjnë deri në atë shpërfillje kriminale, me të cilën po bën sehir grevën e urisë të të uriturve të përjetshëm për drejtësi e për liri në këtë vend të nëmur për të shërbyer si kopsht personal i pushtetarëve të paligjshëm e të papërgjegjshëm. Të deklaronte haptazi ky pushtet i sëmurë i trashëgimtarëve besnikë të diktaturës komuniste, se cilat janë arsyet që dëmshpërblimi i parashikuar me ligj e i premtuar të shlyhej për tetë vjet, duhej të shtyhej për në kalendat greke.

Përpara se të deklaronte se greva e të burgosurve politikë është “grevë politike”, pushteti aktual i pushtetarëve tiranikë të Tiranës duhet të tregonte sheshit arsyet që e shtyjnë një pushtet politik të mos bisedojë me grevistë politikë(!) Se, edhe kur është aq i sëmurë sa ky që po qelb Ballkanin dhe mbarë Europën me erën e tij të kalbjes nga zullumet e veta, një pushtet politik ka detyrimin ligjor, politik e moral njëherësh (kur i ka mbetur njëfarë morali) të bisedojë, madje të bisedojë në radhë të parë, me të burgosurit politikë në grevë urie. Të bisedojë sa më shpejt me ata të burgosur politikë, në mënyrë që të marrë vesh kërkesat e tyre e të merret vesh me ta për afatin më të shpejtë të zgjidhjes së atyre kërkesave, por jo t’u shesë mend për demokraci atyre që kanë dhënë jetën për demokraci, në një kohë që pushtetarët e sotëm përgjëroheshin e zvarriteshin gjunjazi për të lëpirë këpucët e diktatorit e për të zgjatur ditët e diktaturës.

Këto më duken arsye të mjaftueshme që edhe ata, të cilëve nuk u paska ikur ende sevdaja e diktaturës dhe përgjërimi për diktatorët paranojakë, të kuptojnë pse u shtynë në grevë urie të burgosurit politikë si Gjergj NDRECA e të kuptojnë se përse Gjergj NDRECA nuk gjeti mënyrë tjetër për të kërkuar të drejtën e tij e për të protestuar kundër shpërfilljes kriminale të neodiktaturës ndaj kërkesave të tij e ndaj të drejtës së tij e të shokëve të tij për të jetuar me dinjitet në një shoqëri të njerëzve të lirë. Sepse Gjergj NDRECA dhe shokët e tij të vuajtjeve të gjata, kanë dhënë shumë nga vetja për demokracinë dhe nuk kanë ndërruar me urdhër vetëm teserën e partisë. Nuk janë misionarë të diktaturës së djeshme të burgosurit politikë të diktaturës, sepse kanë qenë dhe mbeten përherë misionarë të lirisë.

Kjo është edhe arsyeja pse gjesti sublim i vetësakrifikimit, që ndërmori dje në mëngjes i burgosuri politik Gjergj NDRECA, është një kambanë alarmi për të gjithë shoqërinë shqiptare të ditëve tona. Është një njollë turpi në fytyrën e dhjamur të pushtetarëve ta pafytyrë, që na la në shpinë diktatura e djeshme, për të fshehur sa më gjatë krimet e veta. Është një dëshmi e gjallë se shoqëria jonë po vuan nga një letargji e gjatë. Një letargji e rëndë, prej së cilës u përpoq të na zgjojë i burgosuri Gjergj NDRECA me gjestin e tij të vetësakrifikimit.

Është një kambanë alarmi gatishmëria e Gjergj NDRECËS për vetësakrifikim. Një kambanë që duhet ta dëgjojmë të gjithë e të zgjohemi nga letargjia e të mos e pranojmë më këtë demagogji komunisto-naziste, që tallet me jetën e Gjergjit e të shokëve të tij, siç tallet përditë me jetën e të gjithë qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi. Siç tallet dhe me lirinë e me demokracinë e vërtetë, se dhe ato i duhen vetëm si parulla fushatash zgjedhore. I duhen vetëm sa për zhurmë fushatash zgjedhore, në një kohë që ky pushtet i trashëguar nga diktatura i ka shpallur të ndaluara zgjedhjet e lira. I duhen parullat e thata për lirinë e për demokracinë këtij lloj pushteti trashëgimtarësh të diktaturës, sepse me ato parulla përpiqet të fshehë dhunimin brutal të zgjedhjeve dhe shkeljen me këmbë të vullnetit të popullit në zgjedhje. Kjo është edhe arsyeja pse ky lloj pushteti i kalbur nga zullumet e tij të rënda e të panumërta nuk e ka për gjë të shpërfillë e të shkelë dhe të drejtën e jetës së të burgosurve politikë të diktaturës. Ta shkelë të drejtën e lirisë, të drejtën e demokracisë dhe vetë të drejtën e jetës, jo vetëm për të burgosurit politikë të diktaturës së djeshme, të cilëve nuk ua fal dot qëndresën që i bënë ata diktaturës, ashtu si mundën e aq sa mundën. Por nuk ua fal edhe sot vendosmërinë e tyre për të kërkuar të drejtën e garantuar me ligj. Se ka frikë që nga ajo vendosmëri për të kërkuar të drejtën e garantuar me ligj, qytetarët si Gjergj NDRECA do të kërkojnë dhe rrëzimin e pengesave, që ky pushtet i sëmurë ka 22 vjet që i bën mur në rrugën e lirisë e të demokracisë e të zhvillimit të mbarë të këtij vendi.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA