Mjekësi, Nobel për Gurdon dhe Yamanaka

08/10/2012 17:45

A mundet që një qelizë të shndërrohet në një njeri? A mundet që një organizëm shumëqelizorësh të shndërrohet në një embrion? Të dy këto eksperimente, të cilësuara si kryevepra të mjekësisë, që kanë mposhtur rrymat logjike të vjetëruara, përvecse biologjinë konservatore, përfunduan me sukses edhe pse në një distancë kohore prej 40 vitesh nga njëri-tjetri.

Eksperimenti i parë, ai i zhvillimit dhe shndërrimit të një qelize në një organizëm të tërë shumëqelizor përfundoi për meritë të shkencëtarit britanik, John Gurdon, sot 79 vjeç, ndërsa eksperimenti i dytë është meritë e shkencëtarit japonez, Shinya Yamanaka, 50 vjeç.

Përveç studimit të qelizës, të dy shkencëtarët i bashkoi edhe triumfi në çmimin Nobel për Mjekësi. Gordon cilësohet si babai i klonimit, proces aq fort i kritikuar për mungesë etike, sidomos nga studiuesit e rrymës së bioetikës dhe kleri fetar.

Ndërsa i pari shkaktoi pakënaqësi tek dy grupet e lartpërmendura, shkencëtari japonez Yamanaka i qetësoi disi, duke zbuluar teknikën që lejon përftimin e qelizave staminale pa patur nevojë për kontakt.

Gurdon në viti 1962 mori një qelizë të një bretkose madhore, i izoloi bërthamën dhe e vendosi atë në brendi të asaj që ai vetë e quajti qeliza-vezë, pasi i kish hequr kësaj të fundit bërthamën. Në fund të procesit lindi një bretkosë e re, me shëndet të plotë. Bërthama qelizore e një bretkose të vjetër, ishte në gjendje të udhëhiqte qelizën-vezë drejt shndërrimit të saj në një bretkosë të re.

Sot, 40 vite më vonë, Akademia e Shkencave të Stokholmit vendosi të mirënjohë punën e shkencëtarit anglez, aq “i mallkuar” në gjithë këto vite, ndërsa japonezi Yamanaka u vlerësua për zbulimin e teknikës së të kundërtës së eksperimentit të Gurdon, pra nga një qelizë madhore, përftimi i një embrioni.

E përbashkëta e cmimeve Nobel në Mjekësi: që të dy ia dolën mbanë t’i kundërvihen rrjedhës së jetës duke “programuar” një gjallesë nga një embrion dhe anasjelltas, një embrion nga një gjallesë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA