Debate për buxhetin faktik

08/10/2012 17:55

Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj shfrytëzoi diskutimet për buxhetin faktik të vitit 2011 për t’i propozuar Parlamentit të kufizojë me Kushtetutë borxhin publik.

“Brenda 2 viteve në vijim të ndërmerret nisma për amendime kushtetuese, ku të përcaktohet qartë që borxhi publik nuk duhet të kalojë kufirin publik prej 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, deklaroi Leskaj.

Edhe opozita kërkon uljen e borxhit dhe për këtë sugjeron përdorimin e parave të privatizimit. Por qeveria duket se ka plane të tjera.

“Të jemi të përgjegjshëm për të ardhurat në trajtë bingo, siç tha një përfaqësues i mazhorancës për tenderin e privatizimit të “Albpetrolit”. T’i përdorim në mënyrë të përgjegjshme dhe të kemi parasysh se niveli 60 për qind i borxhit nuk duhet të jetë limit për borxhin në ekonominë shqiptare”, deklaroi deputeti i PS, Arben Malaj.

“Të pretendosh, në një periudhë kur ka ulje të kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme, uljen e defiçitit me ritme të forta do të thotë të shkosh drejt një krize të sigurtë”, replikoi ministri i Financave, Ridvan Bode.

Arben Ahmetaj tha se buxheti i vitit të kaluar nuk rriti vetëm borxhin zyrtar, por edhe atë të fshehur që qeveria ka ndaj privatëve.

“Duhet të rimbursohen bizneset dhe vlera është 8 miliardë, plus 4 miliardë tatim fitimi, që e çon borxhin ndaj biznesit të çertifikuar në 12 miliardë. Nëse kësaj shume i shtojmë faturat e papaguara, borxhi shkon në 200 milionë euro”, nënvizoi Ahmetaj.

“Nëse ne i themi dikujt që ke për investime 10 miliardë, atëherë ai nuk mund të kontraktojë punime për 30 miliardë lekë dhe kjo është jashtë kapaciteteve dhe mundësive që mund të ketë Ministria e Financave për pushtetin qendror dhe lokal”, u përgjigj ministri Bode.

Opozita mendon se buxheti i vitit të kaluar ishte dështim që sipas saj vërtetohet edhe nga rënia e të ardhurave. “Në këtë kontekts ju duhet të shikoni rritjet në vende e rajonit dhe i keni të tëra në terma negativë”, vijoi Bode.

“13.6 miliardë para të pafutura në arkën e shtetit, pas një rishikimi prej minus 32 miliardë lekë, është një shifër që ju ngel në klasë”, tha më tej deputetja e PS, Mimi Kodheli.

Vitin e kaluar të ardhurat totale në buxhetin e shtetit ranë sipas qeverisë në 25.1 për qind e prodhimit kombëtar, që përbën një nga nivelet më të ulëta të 6 viteve të fundit.

Top Channel