Bolt konfirmon pjesëmarrjen në Rio 2016

08/10/2012 17:45

Rekordmbajtësi i 100 dhe 200 metrave, Usain Bolt, konfirmoi se do të tentojë të mbrojë titujt e tij olimpike në Rio de Zhaneiro, në Olimpiadën e vitit 2016.

Xhamajkani, i cili konfirmoi suksesin e Pekinit në dy disiplinat më të shpejta të atletikës edhe në Londër, njëkohësisht informoi se përfundimisht ka vendosur që të mos e provojë aftësinë e tij në kërcim së gjati apo 400 metra, pavarësisht inkurajimit që ka pasur prej trajnerëve për ta provuar.

“Dy sprintet dhe stafeta do të duan shumë përqendrim. Nuk do të përpiqem të provoj diçka të ndryshme në Rio. Qëllimi im i vetëm është të mbroj titujt e mi dhe të përpiqem që të triumfoj sërisht. Kjo sfidë do të jetë e mjaftueshme”, deklaroi Bolt.

Pavarësisht suksesit të paprecedent që njeriu më i shpejtë në botë ka regjistruar që prej vitit 2007, 26-vjeçari është i vendosur që të mbajë të njëjtin regjim stërvitor, në mënyrë që të jetë edhe më i shpejtë në Botërorin e vitit të ardhshëm në Moskë.

“Gjithë suksesi që kam arritur deri tani në karrierë i detyrohet punës së lodhshme dhe këmbëngulëse. Nuk mund të ul ritmin sepse ky është çelësi i suksesit tim. Pa dyshim, qëllimi im në vitin e ardhshëm është të arrij të jem edhe më i shpejtë se tani”.

Top Channel