Aleksandër Çipa – Greqia ka nevojë për një solidaritet me artistin shqiptar Laert Vasili.
E kemi fjalën për atë Greqi që njohim dhe i mbartim mitin si vis i qytetërimit hegjemon në shekuj njerëzorë, që prej antikitetit e deri në kohët tona.
Ajo që ngjau këtë fundjavë me sulmin e ekstremistëve nazisto-ortodoksë mbi një teatër athinjot, ku përgatitet shfaqja e “Corpus Chris” është po aq tronditëse sa edhe mësymja e fanatikëve islamikë mbi konsullatën amerikane në Libi, ku përveç shkrumbimit të saj, gjetën vdekjen edhe diplomatë, mes të cilëve edhe ambasadori Chris Stevens. Efekti i sulmit mbi teatër të enjten në Athinë është edhe më i keqkuptimshëm, për arsye se brenda tij ka pasur artistë e mes tyre edhe një të tillë, shqiptari Laert Vasili. Ekstremistët grekë kanë nominuar në kërcënimin e tyre regjisorin dhe aktorin e njohur emigrant, duke kaluar njëkohësisht në kërcënime të hapura antishqiptare. Një provokim jo i thjeshtë, pavarësisht prej reagimit të menjëhershëm të policisë grekë dhe garantimit prej saj të jetës së artistit.
Ky sulm i pazakontë, i pari i këtij lloji për kohë të tëra ndaj një artisti të një kombi fqinj, vjen prej një njësie të re politike greke, e cila gjendet tashmë si forcë përfaqësuese në Parlamentin e Athinës. Është fjala për partinë e re radikale “Agimi i Artë”. Mes grupit agresiv të fanatikëve, sipas mediave, paska pasur edhe priftërinj. Ndërkohë që blasfeminë e kësaj shfaqjeje, po sipas mediave, e kishte paralajmëruar edhe mbledhja e mëparshme e këshillit kishtar ortodoks, prej nga u ishte bërë thirrje besimtarëve ta bojkotonin këtë shfaqje.
Grupi i ekstremit i tubuar para teatrit “Hitrio” në kryeqytetin grek, ka qëndruar disa orë aty, duke lëshuar klithma dhe kërcënime antishqiptare si: “Shqiptar, këtu do të bëhet varri yt!” etj.
Kjo ngjarje ka tërhequr vëmendje të madhe, por fatmirësisht nuk ka nxitur reagime reciproke. Është një episod traumatizues, i cili edhe pse mund të shihet si përpjekje e një force të re politike ekstremiste për të përfituar prej sensibilitetesh të tilla radikale, mund të merret me realizëm edhe si një strukturë e re, e cila po kërcënon komunitetin dhe përfaqësimin e emigracionit shqiptar në Greqi. Kjo është një prekje në “thembrën e Akilit”. Ajo duhet lexuar drejt dhe më shumë drejt duhet vlerësuar prej strukturave shtetërore greke, për të mos mundësuar pasime grupimesh dhe tubimesh të tilla antishqiptare. Kjo është një goditje e rëndë, me efekte dhe pasoja serioze. Është rrethuar në selinë teatrore një artist dhe kërcënimi ndaj tij ka përfshirë edhe përkatësinë etnike të tij!
Por kësaj here, akti racist dhe ekstremist i fanatikëve politikë dhe fetarë grekë, nuk është thjesht një rrezik i manifestuar ndaj një artisti shqiptar. Ky episod shpalos ekzistencën e një grupimi politik i cili doktrinën antishqiptare nuk ka ngurrim ta shpallë e ta shprehë, duke e pasuar me aksione të egra rebelimi antiligjor ndaj eksponentëve të artit dhe artistëve shqiptarë. Protesta të tilla e fusin papritur Greqinë në kronikën e vendeve që po pasuron kronikën negative të racizmit dhe ndjenjës së egër kundër artistëve shqiptarë, qofshin ata edhe të rritur prej dy dekada në këtë vend, siç është artisti Vasili. Alarmi ndaj episodeve të tilla bëhet edhe më i madh, kur konstaton se kësaj doktrine i përfshihen edhe individë me raso, apo klerikë të veçantë, qofshin ata lokalë apo periferikë.
Në rastin e prezencës së këtyre mikroklerikëve në një sulm të tillë fanatikësh, do të duhej menjëherë të shpreheshin autoritetet e larta klerikale të vendit fqinj, pra të Athinës. Është imediat reagimi i tyre, për të mos lejuar që vërshime të tilla tribale në qendër të Athinës të mos pasohen me reagime periferish dhe turmash militante nëpër skaje ku militantizmi fetar dhe ai i ekstremit politik, po bëhet një “ushqim i preferuar” edhe për shkak të epidemisë së krizës ekonomike që ka pushtuar vendin fqinj. Ndaj këtij episodi i menjëhershëm do të duhej të ishte edhe reagimi i kryepeshkopit zyrtar të Shqipërisë së sotme, pasi dihet se sa e lartë është ndjeshmëria ndaj fjalës së tij në vendin fqinj. Natyrisht, për shkak të etnitetit të tij. Ky reagim është i nevojshëm, pasi ka peshën reale specifike të një solidariteti civil dhe të nevojshëm për vendin që po dhunohet dhe po përthyhet në një periudhë të re rreziqesh, vështirësish, ngarkesash dhe ilaritetesh, prej të cilave po shemben qetësia dhe paqja, por edhe ringjallen cene dhe sëmundje të frikshme shoqërore.
Greqia, pas episodit të ngjarë mbi teatrin “Hitrio”, na paralajmëron se strukturat ekstremiste po shtatzanojnë një egërsi dhe dhunë të harruar. Klithmat kundër regjisorit Laert Vasili nuk janë thjesht një egërsi për shkak të pretekstit blasfemues të shfaqjes që ai po vendos. Ato janë një përballje e re mes hapërdarjes aktuale dhe dasisë së thellë që po përjeton shoqëria e vendit fqinj. Kjo dasi nuk rrezikon vetëm Athinën e sotme, diferencat mes së cilës janë fuqimisht të shqueshme, por ekspozojnë rrezikun e prekshmërisë që kemi ne shqiptarët prej saj. Kronika e kërcënimit mbi artistin shqiptar, nuk është fragmentare. Disa ditë më parë, në mediat tona një radikal i këtij subjekti politik racist në Greqi, emigrant me asete në bregdetin jonian të Shqipërisë, pasi kishte verifikuar edhe njëjtësinë e ADN-së së vet me atë të Pirros së Epirit! Ky personazh në fjalë, të linte shijen e një aventurieri politik që vetëndihej krenar për anëtarësimin e ri në subjektin e ekstremit nazist në Greqi. Në raste të tilla, legjislacioni shqiptar parashikon masa preventive ligjore, për të mos mundësuar krijimin apo importimin e elementëve dhe veprimtarive të tilla në territorin e republikës. Nuk është e tepërt të rikujtohet se ekstremistë të këtij soji, apo të një grupimi më militar, shkaktuan dikur në kufirin greko-shqiptar të njohurën masakër të Peshkëpisë më 10 prill të vitit 1994.
Që radikalizma të tilla të mos depërtojnë në realitetet mes dy vendeve dhe në përditshmërinë e dy shoqërive fqinjëruese, nevojitet pikërisht ky solidaritet i menjëhershëm dhe shprehja e elitave. Kur mercenarët e dhunës rrethojnë një teatër, atëherë lehtësisht mund të lexohet se ç’dimension po merr dhuna dhe rreziku për shoqërinë e lirë dhe prezencën e shtetasve të huaj në këtë vend. Në këtë rast nuk është i kërcënuar artisti Laert Vasili, por e kërcënuar është Greqia kulturore dhe vlerat e përfaqësimit multiqytetar në të. Doktrina raciste në rastin e fundit, po shfaq struktura. Kjo është e rrezikshme dhe për këtë shkak, solidariteti vlen të jetë më i strukturuar se kurrë brenda dhe jashtë Greqisë e më së shumti në shoqërinë tonë.
Top Channel