Fitojnë Besa, Vllaznia dhe Teuta

07/10/2012 18:35

Besa e trajnerit Ilir Daja ka marrë një fitore bindëse në Gjirokastër dhe me këtë sukses 2-0 ndaj Luftëtarit, kavajasit tregojnë se janë në rrugën e duhur, për të qenë surpriza më e bukur e Superiores.

Luftëtari vinte në këtë takim pas një fitore të pastër 3-0 në Fier, por zhgënjenjë para tifozerisë vendase. Përpos rasteve të shumta, pjesa e parë mbyllet 0-0. Pjesa e dytë nis menjëherë me gol dhe janë kavajasit që shënojnë që në minutë e parë me Poçuçan, 0-1.

Në minutën e 84-t Besa shënon golin e dytë me Ditën, i cili shfrytëzon pasimin e bukur të dhënë nga Berisha, 0-2.

Ndërkohë në përfundim të takimit, trajneri i skuadrës gjirokastrite, Nevil Dede ka dhënë dorëheqjen duke mos qenë i kënaqur nga skuadra dhe rezultatet. Me këtë fitore Besa shkon në 11 pikë duke u pozicionuar e treta në renditje.

Vllaznia me sa duket ka gjetur ritmin e kërkuar, pasi shkodranët ndonëse me vështirësi, gjithsesi kanë arritur të marrin tripikëshin ndaj Laçit. Në minutën e 79-të janë dorëzuar lacianet, ku shpëtimtari i Vllaznisë bëhet rumuni Dragoi që shënon dhe i jep fitoren Vllaznisë.

Teuta ndonëse luante në transfertë, ka arritur që të largohet nga Kruja me pikët e plota, kjo falë golit të mbrojtësit Hekuran Jakupi të shënuar në minutën e 70-të. Me këtë fitore Teuta shkon në 10 pikë duke qenë pranë skuadrave që synojnë zonën e Europës.

Top Channel