Superliga, Skëndërbeu i vetëm në krye

06/10/2012 19:10

Skënderbeu mundi 2-0 Shkumbinin dhe tashmë e sheh veten i vetëm në krye te klasifikimit, pasi Tirana barazoi në Vlorë. Korçarët e drejtuar nga Mirel Josa kanë arritur të zhbllokojnë rezultatin vetëm në pjesën e dytë të takimit.

Në minutën e ‘55, Arapi kaloi vendasit në avantazh me një goditje me kokë. Përpjekjet e lojtarëve të Skënderbeut për të shënuar golin e qetësisë u shpërblyen në minutën e fundit të ndeshjes, kur Lilaj ndëshkoi për të dytën herë skuadrën e Shkumbinit.

Me këtë fitore Skënderbeu, që është skuadra që ka marrë më shumë fitore në këto 6 javë të para, ngjitet në kuotën e 14 pikëve.

Tirana barazon me Flamurtarin

Tirana nuk arrin të fitojë në Vlorë, ndërkohë që Rubio Sanchez nuk arrin të mposhtë ish-skuadrën e tij. Ndeshja më e rëndësishme e javës së 6-të, ajo mes Flamurtarit dhe Tiranës përfundoi në barazim 1-1.

Tirana shënoi në fundin e pjesës së parë me Morinën, ndërkohë që në pjesën e dytë u ndëshkua nga Bratiç, i cili u harrua nga mbrojtja bardheblu.

Barazimi 1-1 nuk i shërben asnjërës prej këtyre dy skuadrave, bardheblutë shkëputen nga kreu ndërkohë që skuadra vlonjate vazhdon të qëndrojë afër fundit të klasifikimit.

Partizani fiton derbin me Dinamon

Partizani fitoi 3-2 derbin me Dinamon, sfidë kjo e vlefshme për javën e 6-të të kategorisë së parë. Edhe pse ishin në avantazhin e dy golave, blutë e Eduart Zhupës nuk arritën të ruanin këtë rezultat deri në fund, pasi të kuqtë e Nikolin Çoçllit përmbysën rezultatin, duke dalë triumfues nga “Selman Stërmasi”.

Brenda 28 minutave të para Dinamo shënoi dy herë me Muçën dhe Likmetën, ndërkohë që Shala shkurtoi diferencën e golave duke kthyer entuziazmin te tifozët e kuq. Në pjesën e dytë Partizani ishte më kërkues dhe arriti të barazonte në minutën e ‘70 me Linin.

Goli i fitores për të kuqtë u shënua në minutat shtesë dhe mban firmën e Sulçes. Me këtë fitore Partizani arrin në kuotën e 12 pikëve, vetëm 3 më pak se Lushnja kryesuese. Ndërsa Dinamo mbetet në mesin e tabelës, në kuotën e 8 pikëve.

Kukësi bën histori, ngjitet në vendin e tretë

Kukësi i Armando Cungut mundi 3-1 Tomorin dhe ngjitet për herë të parë në historinë e vetë në vendin e tretë në klasifikimin e Superligës. Golat për skuadrën verilindore u shënuan nga Progni dhe Popoviç.

Bylisi ka marrë fitoren e parë sezonale dhe këtë e bëri në Fier, pasi mundi 1-0 Apoloninë me golin e Gegës në pjesën e parë. Me këtë fitore Bylis shkon në kuotën e 5 pikëve duke parakaluar fierakët, që mbeten të parafundit me 3 pikë.

Top Channel