A e ka kuptuar ambasadori Sequi Kadarenë?

06/10/2012 00:00

ANDREA STEFANI – Është një ngjarje jo fort e zakontë thuajse intervista e
Ettore Sequi, ambasador i BE-së në Shqipëri, me shkrimtarin e shquar
Ismail Kadare. Çdo bashkëbisedim ngrihet mbi nevojën për të kuptuar më
mirë.

Shpresojmë se një e tillë nevojë ka qenë edhe shtysa e ambasadorit për të zhvilluar “një dialog të hapur me disa nga përfaqësuesit më të shquar të shoqërisë shqiptare” lidhur me çështjen e integrimit europian të Shqipërisë. Iniciativa nuk ka nevojë për shumë avokati. Sepse duhet ta kuptosh shumë mirë një vend që të mund ta ndihmosh atë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një sfidë të vërtetë, sikundër është ajo e riintegrimit të Shqipërisë me Europën, pas një ndarjeje thuajse 6 shekullore prej saj. Dhe akoma më tepër kur misione të ndryshme të BE-së dhe botës perëndimore kanë reflektuar, jo rrallëherë në këto vite tranzicioni, një kuptim të mangët për Shqipërinë dhe zhvillimet në të.

***

Këtë herë alarmet për humbjen e shanseve të demokracisë dhe krejt shpresës së europianizimit të Shqipërisë, kanë mbërritur tek ambasadori i BE-së jo nga opinione gazetash apo klithmash të opozitës politike, por nga goja e shkrimtarit më të shquar të letrave shqipe. Në një kreshendo të arsyetimit, Kadare e përmbyll kështu bashkëbisedimin: “Shqipëria ka probleme të rënda e serioze. Probleme të demokracisë, të pavarësisë së institucioneve, të drejtësisë, të korrupsionit, të votës së lirë, pa folur pastaj për varfërinë e gjer te masakra e mjedisit”. Dhe po sipas shkrimtarit të madh, bashkëbisedimi në fjalë “jep alarmin për to, kërkon zgjidhje edhe më të ngutshme për secilën prej tyre”. Ky është alarmi dhe ankthi i Kadaresë ndërsa shfaqet i ndërgjegjshëm se “Shqipërisë i duhet të luftojë përpjekjet për ndryshimin e orientimit europian, që shfaqen sot, si rrezik madhor në jetën e saj”. A do të mjaftojnë fjalët e shkrimtarit të shquar që ambasadori Sequi dhe të tjerë misionarë të Perëndimit në Tiranë, ta ndjejnë thellë si ai rrezikun madhor që kërcënon shansin e rikthimit të Shqipërisë në gjirin e familjes së saj të natyrshme europiane? Zëra të tjerë nuk kanë mjaftuar. Sepse në median shqiptare ka vite që kritikohet një qëndrim thuajse i verbër i ndërkombëtarëve, që jo vetëm kanë toleruar, por madje kanë duartrokitur reforma dhe aksione politike që nuk shtyjnë për nga europianizimi, por bëjnë të kundërtën. I tillë ishte amendimi që iu bë Kushtetutës në vitin 2008, që sot edhe juristë perëndimorë e cilësojnë si një nga ngjarjet më të rënda të tranzicionit. Pikërisht në sajë të asaj reforme, përpjekjet për ndryshimin e kursit europian të Shqipërisë, janë strukturuar tashmë në sistemin politik. Nuk është rastësi që nga viti 2008 e këtej, një sërë institucionesh (Presidenti, KLD, KQZ, shërbimi informativ) kanë rënë tërësisht (dhe kushtetutshmërisht!) në duart e Kryeministrit, duke rrënuar frikshëm ndarjen e pushteteve pa të cilën, nuk mund të këtë shtet ligjor por vetëm një pushtet absolutist. Natyrshëm do të ishte dashur që dikush nga BE-ja që në atë kohë të kishte thënë: “ndal, po shkelen parimet europiane të themelimit të shtetit”! Por kjo, mjerisht, nuk ndodhi. Paraardhësi i zotit Sequi nuk e bëri një gjë të tillë. Madje ndodhi e kundërta! Dhe sot kemi arritur në paradoksin kur autokratizmi përligj përqendrimin në një dorë të pushteteve me Kushtetutën! Gabimi fatal i bërë në vitin 2008 po shërben për të përligjur procesin zinxhir të kapjes së institucioneve që po vazhdon. Edhe vetë europianët kanë rënë në kurthin për ngritjen e të cilit kanë kontribuar edhe vetë. Për shembull, së fundi, mësohet se në projektraport-progresin që përgatitet të dalë, zgjedhja e Presidentit pa konsensus, por vetëm me votat e shumicës, edhe pse cenon dukshëm ndarjen e pushteteve, qenka OK, sepse qenka bërë në respekt të Kushtetutës! Po kush nga diktatorët modernë (Stalini, Mao Ce Duni, Enver Hoxha, Mubaraku etj.) i kanë bërë gjërat jo në përputhje me Kushtetutën?

 

***

Ambadadori Sequi kërkon të dijë nga Kadare: Nëse besimi i ndërsjellë mes shqiptarëve, dialogu, bashkëpunimi, konsensusi mund të jenë elementë të rëndësishëm në procesin e integrimit? Nëse edhe klasa politike mund të arrijë rezultate shumë më të mira me besim të ndërsjellë? Nëse edhe shoqëria shqiptare, nëpërmjet angazhimit dhe trysnisë pozitive do të luante një rol më të madh për progres drejt Europës? Të gjitha këto pyetje nuk marrin në konsideratë gjendjen reale të punëve. Ç’është më keq, Kadare ka sqaruar pak më sipër në bashkëbisedim, se mund ta duash Europën por vetëm kaq pak, nuk mjafton që ta meritosh. Sepse që të jesh europian, duhet të përvetësosh vlerat e popujve që përbëjnë klubin europian. Ky i fundit është një proces që ka të bëjë me “nivelin e jetës lëndore, shpirtërore, institucionale dhe juridike”. Dhe secili nga këto rrafshe mbetet larg nivelit europian në Shqipëri. Mund të moralizohet sa të duash, por është utopi të pritet që shqiptarët (aq më pak klasa politike) të shpalosin vlera europiane si aktivizmi qytetar që krijon trysninë pozitive mbi politikën, të shfaqin besim reciprok apo prirje për konsensus, ndërsa mungojnë premisat lëndore, shpirtërore, institucionale dhe juridike të këtyre vlerave. Vënia e theksit te përgjegjësia e shqiptarëve, sikundër bën ambasadori Sequi, më shumë se realizëm është, në këtë rast, elitizëm utopik që bart edhe dozat e një alibie: Ju vetë e keni fajin për çka po ndodh!

 

***

Duket sikur jemi në një rreth vicioz? Demokracia është pjesëmarrje qytetare në qeverisje, ndërkohë që shqiptarët kanë ende të theksuar apatinë. Por a ka shpëtim? Në rrafshin ekonomik as mund të shpresohet që Shqipëria, duke ecur me ritmet e sotme, të arrijë standardet e BE-së edhe për shumë dekada. Ama në rrafshin institucional, juridik mund të bëhet jo pak. Ky është rrafshi ku mund të mbillet në elitën politike besimi, ku mund të nxitet konsensusi që para se të jenë vlera morale, janë produkte të një sistemi impersonal institucionesh e ligjesh. Dhe kjo është edhe mënyra që sugjeron inxhinieria sociale në Perëndim. Duhen ndërtuar institucione të afta që kontrollojnë dhe kundërpeshojnë qeveritë, që të mos i lejojnë liderët e këqij të bëjnë shumë dëm (për shembull të rrënojnë sistemin e monitorimit të votimeve në funksion të jetëgjatësimit të pushtetit të tyre), duhen ndërtuar gjykata të pavarura që duke mbrojtur të drejtat e njerëzve i çlirojnë ata nga skllavëria e qeverive dhe i shndërrojnë qeveritë në skllave të njerëzve. Duhen ndërtuar gjykata të afta, të ndëshkojnë shkeljen e ligjit edhe nga krerët e shtetit, gjykata dhe institucione që bëhen mbrojtëse të pakompromis të votës së lirë e të ndershme dhe jo pjesë e mekanizmave pseudodemokratikë të vjedhjes së votës. Mbi 20 vjet tranzicion kanë treguar se shqiptarët e kanë të vështirë t’i bëjnë vetë të tilla gjëra. Aq më tepër kur jo vetëm ju mungojnë elitat e dedikuara ndaj një projekti demokratiko-liberal por, kur ekzistojnë segmente elitash me prirje të qëndrueshme autokratike. Prandaj ta hedhësh topin te shqiptarët është të lash duart si Pilati ose të mohosh kuptimin e misionit të BE-së në Shqipëri! Sepse ashtu si nuk e përmbysnin dot vetë komunizmin pa ndihmën e Perëndimit, shqiptarët nuk mund të çmontojnë dot vetë sistemin e autokratizmit, të përqendrimit të pushteteve në një dorë, të manipulimit të votës nga qeveria të instaluar gradualisht në këto vite, për çudi me ndihmën e perëndimorëve dhe nën maskën e integrimit. Aq më tepër kur ky sistem vazhdon të proklamohet edhe nga perëndimorët si “demokraci funksionuese”. Prandaj dhe Kadare i thotë ambasadorit Sequi: Kemi nevojë për ju! Kjo do të thotë: Kemi nevojë për ju që të kompensoni “trysninë pozitive” që na mungon! Kemi nevojë për ju që të kompensojmë mungesën e arbitrave institucionalë! Kemi nevojë që të mbjellim institucionalisht në shpirtin e shqiptarit vlerat e Perëndimit! Kemi nevojë që të na e mbani dorën kur e ngremë grusht që të rrënojmë në Kushtetutë dhe në shtet, në letër dhe në realitet, themelin e demokracisë që është ndarja dhe baraspeshimi i pushteteve! Kemi nevojë për atë “trysninë e ashpër” europiane dhe jo për raporte rozë që pohojnë vit pas viti, se Shqipëria po progreson drejt Europës pa e arritur kurrë atë. Si në paradoksin e Zenonit të Akilit me breshkën. Na duket se këtë ka dashur t’i komunikojë Kadare ambasadorit Sequi në bashkëbisedimin e tyre vërtet interesat. A ia ka arritur vallë? Përgjigjja i takon vetë ambasadorit Sequi. Dhe jo thjesht vetëm me fjalë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA