NDUE DEDAJ – Ndue DedajËshtë njëqindvjetori i Pavarësisë dhe nuk ka se
si të mos kujtohesh me përnderim për rilindësit dhe albanologët e shquar
të vendit dhe të huaj, ata që e maturuan dhe kodifikuan gjuhën shqipe
që nga Kongresi i Manastirit me 1908 e këndej.
Gjestet e miradies ndaj tyre nuk kanë munguar. E nderoi këto ditë Prishtina gjuhëtarin e madh, Eqrem Çabej, duke pagëzuar një shkollë të re me emrin e tij. Po ndihen përherë e më shumë dhe mësuesit e shqipes së emigracionit, me të cilët Ministria e Arsimit e Shkencës organizoi dhe një konferencë kohët e fundit. Sidoqoftë, ne nuk po e bëjmë detyrën që na lanë rilindësit, për përvetësimin, pastërtinë dhe korrektësinë e gjuhës sonë. Nuk thonë kot se njerëzit e zyrave nuk dinë të formulojnë një shkresë nga ana gjuhësore, apo dhe juridike. Le pastaj tekstet e zëdhënësve politikë, që bëjnë sikur i drejtohen publikut, po në të vërtetë janë hakërrime ndaj kundërshtarit. Oratoria, edhe pse te ne e harruar, është pjesë e ligjërimit publik, po shëmtia është manipulimi i liderëve për ta poshtëruar kundërshtarin përmes fjalorit të rëndë, epiteteve fyese, krahasimeve çalamane etj. Modeli më i keq është gjuha e thartë, bërtimat e deputetëve, plot gjeste me duar e mimikë ndaj “armikut” etj. Këta sikur bëjnë prova para pasqyrës se si të aktrojnë sa më rëndshëm në foltoren e Parlamentit, për të fituar simpatinë e shefave të mëdhenj, në të vërtetë duke marrë përçmimin e publikut. Politika, pra, është një nga shkaqet pse gjuha jonë lëngon.
Shkolla dhe gjuha amtare peng i saj
Por kryesorja në lëngatën e gjuhës është shkolla. Jo rastësisht është cituar këto ditë dekani i Filologjikut, që është shprehur për formim të mangët gjuhësor të nxënësve dhe studentëve. Po thoshte një mësues: “Keni parë ndonjë prind të vijë e të pyesë se si shkon fëmija im në lëndën e gjuhës shqipe? Asnjë! Ndërkohë që të gjithë vijnë e pyesin si është fëmija i tij në anglisht, apo matematikë. Se po qe mirë në këto lëndë, çan në jetë, thonë”. Nuk është fjala që interesimi për shqipen të jetë thjesht në aspektin patriotik, dihet se si shqiptarë që jemi na bie barra të kujdesemi në radhë të parë për gjuhën tonë, por dhe për arsye utilitare. Fëmijët e sotëm e flasin dhe e shkruajnë keq gjuhën. Po e përdhosin sidomos përmes rrjeteve sociale, ku nuk ka as pikë, as presje e shpesh as folje. Prandaj janë shtuar kambanat për vëmendje ndaj gjuhës amtare. Pati ndodhur një handikap i madh, ku në vend që të viheshin vetullat, qenë “nxjerrë” sytë. Nuk u kuptua se si u bashkua gjuha shqipe me letërsinë para disa vitesh, ashtu si në vrap, pa u bërë ndonjë diskutim në rrethe specialistësh dhe mësuesish. Apeluan përmes shtypit dhe disa shkrimtarë e studiues të letërsisë, por u desh vetëm ndërhyrja e Kryeministrit Berisha, në një nga mbledhjet e qeverisë të fillimit të shtatorit 2012, që kjo gjë të ndryshonte. Kryeministrin e kanë qortuar shpesh për ndërhyrje në punët e historisë, por kësaj radhe nuk pati reagime, pasi u kuptua se ishte një anomali që duhej shmangur sa më shpejt. Problemi është si ndodhin kaq lehtë ndryshime të tilla në kurrikulën themelore të shkollës, duke u dëmtuar pikërisht gjuha kombëtare. Gjuha dhe letërsia qenë për shumë vite një “aliazh” i keq, që patën stresuar nxënësit dhe mësuesit dhe dëmtuar procesin e formimit, si të gjuhës, ashtu dhe të letërsisë. Prandaj duhet të jenë kushtetuese disa gjëra të shkollës, të pandryshueshme për çdo motmot e nga specialistë të rastit, por vetëm kur të ketë një si referendum apo dakordësi të gjerë lidhur me atë që duhet ndryshuar. Gjuha dhe matematika ka qindra vjet që vijnë si një unitet, si një trup me dy kolona vertebrore. Ato nuk mund të lëvizin mbrapa apo anash, por vetëm përpara, duke mos u ngushtuar asnjëherë rrezja e tyre. Do të ketë vazhdimisht risi në programin e shkollës, siç ka hyrë tash fuqishëm teknologjia e informacionit dhe komunikimit, nesër do të mund të ketë të tjera ardhje të mirëpritura, por vëllimi dhe pesha e këtyre dy lëndëve nuk do të bjerë aspak, njëra kombëtare e tjetra universale.
Gjuha e përçudnuar e rrugëve dhe rrjeteve sociale
Nuk është fjala për zhargonin e “rrugës”, por për shqipen e keqshkruar të rrugëve. Cilido mund të marrë një copë dërrasë, të shkojë te dizenjatori e të shkruaje emërtesën e lokalit, truallit, punishtes, pa asnjë konsultim për atë tekst të shkruar, nëse është korrekt gjuhësisht apo me gabime ortografike. Ndërkohë që është një gjë që i flet publikut dhe si e tillë do të kërkonte një këshillim paraprak. Për të ngulur dy shtyllat, ku do të vendosësh reklamën e kompanisë tënde, duhet të marrësh leje në Këshillin e Rregullimit të Territorit dhe të paguash taksën në bashki, kurse për të sëndertuar tekstin dhe imazhin e reklamës, nuk këshillohesh askund e natyrisht që nuk paguan ndonjë “taksë” dhe kur ai është jo normativ. Problemi më i madh janë emërtimet në gjuhë të huaj. Nuk ka qytet që nuk ka një lokal “Europa”. Edhe pse Europa është ideali ynë, tepria me këtë emërtim nuk shkon, për më tepër që disa nga këto lokale nuk përmbushin asnjë standard të kafeve europiane. Padyshim një abuzim me emrin e kontinentit tonë. Sipas ndonjë vëzhgimi gjuhësor më shumë se dy të tretat e emërtimeve të rrugëve janë në gjuhë të huaj. Bie fjala, si duhet quajtur: han apo bujtinë? “Dyzet hanet e Shqipërisë” titullohet projekti i MTKS para disa vitesh për bujtinat që do të ndërtoheshin në Veri për nxitjen e turizmit malor. Në vend të kësaj fjale kemi fjalën e bukur shqipe bujtinë dhe në Theth e Valbonë vendasit kështu i quajnë shtëpitë e tyre turistike, kurse disa shkrues nga Tirana i emërtojnë gabimisht hane. Edhe në Wikipedia kështu i gjejmë, hane(!) E sa emërtime të tjera kësisoj. Po nëse kjo dukuri është e vjetër, ka dhe një të re gjuhëshkatërruese. E folmja e përditshme bisedore është me aq shumë zhargon pezhorativ. Dhe sidomos bastardimi i gjuhës nga rrjetet sociale, ku shkarrashkruhet nga gjithnur “analfabetësh” të kohëve moderne. Gjuha është më e kërcënuar se kurrë, nga vetë përdoruesit e saj, të cilët me atë gjuhë të cungët që shkruajnë zbulojnë krizën e shkollimit të sotëm. Mjafton të shohësh sms-të e pafundme. Një analfabetizëm mjeran. Rëndom në kompjuter shkruhet pa ë, por vetëm me e. Kot që lodhen gjuhëtarët për ta përmirësuar pozitën e ë-së në shqipen standarde, duke e mënjanuar në ato fjalë ku s’është e nevojshme, pasi atë tashmë publiku i internetit e ka fshirë. Nuk është fjala vetëm për grafomanët dhe “Facebook”-un, por dhe për ata që bëjnë raporte, projekte, protokolle etj. Dhe nuk iu duket asgjë kjo modë e re e shkrimit të shqipes pa ë-në, thjesht se ajo nuk është në tastierën e kompjuterit si shkronjat e tjera, por duhet të rrahësh “Alt 137” për të formuar. Për kaq gjë zhduket një shkronjë, nga ato që Dhaskal Todri i mbronte me gjak. Faji i teknologjisë, apo i shkollës? Abetarja u mësohet mirë nxënësve, por më pas ç’ndodh? A thua gjuha nuk mësohet më si duhet në bankat e shkollës? Si mund të harrohet një mësim i thjeshtë i gjuhës së klasës së pestë, që thotë se në fund të fjalisë dëftore vihet pikë, në fund të fjalisë pyetëse vihet pikëpyetje e në fund të fjalisë dëshirore pikëçuditje. Shenjat e pikësimit nuk ekzistojnë më për rrjetet sociale. Ato kanë krijuar gjuhën e tyre shterpë.
***
Është kohë reflektimesh për modernitet. Po me gjuhën ç’duhet të bëjmë? Nuk po themi për gjuhën si dije dhe shkencë, për zhvillimet dhe proceset e saj të brendshme, që konventat e ndryshme i pasqyrojnë, por për përdoruesit në tërësi, gjuhën e administratës, shtypit, shkollës, rrjeteve sociale, rrugëve, emërtimeve etj. Një popull i qytetëruar dallon në radhë të parë nga kujdesi për gjuhën e tij. Se ajo është identiteti themelor. Po si? Një ligj për gjuhën? Do të ishte pak, një “kushtetutë” për gjuhën, ja çfarë do të na duhej! Ne kemi një shqipe të kulluar deradiane te “Këngët e Milosaos”, që nuk e kanë shprishur 4-5 shekuj emigrim të arbëreshëve, shqipen moderne të Naimit e Konicës, kur po bëheshim shtet, shqipen e pasur leksikore të Fishtës dhe atë bukurtingëlluese të soneteve të Mjedës, për të mbërritur te shqipja e madhërishme e letërsisë së përbotshme të Kadaresë, apo shqipja diellore e lirikës së Camajt. Ndaj na duket sa na qortojnë pareshtur: Xhuvani, Çabej, Riza, Domi, Demiraj, Ajeti, Kastrati e të tjerë kolosë të gjuhësisë, more, ç’bëni kështu? Ju shqiptarët shprishësh të kohëve të vona.
Top Channel