ARBEN MANAJ – Britanikja “The Telegraph”, këto ditë, ndër të tjera
këshillonte investitorët e mundshëm britanikë për rreziqet e blerjes së
pronave në Shqipëri. Bëhet fjalë për vila banimi, shtëpi apo apartamente
pushimi që në Angli përmblidhen në “A place in the sun”.
Ajo i referohej edhe garancisë së dhënë nga Kryeministri Berisha, i cili theksonte se nëse blini toka të shtetit me dokumente shtetërore, unë ju garantoj se askush nuk do dalë e t’ju thotë se unë jam pronari. E mira do ishte që kjo të thuhej edhe për pronat e tjera me pronësi private…
Britanikët që i njoh më shumë, janë ndër europianët që blejnë më shumë prona krahas gjermanëve, nëpër vende me klimë tropikale dhe mesdhetare, pasi kanë mundësitë financiare po se po, por edhe nevojën e madhe për më shumë vitaminë D, ose më shumë diell.
Është fakt se britanikët kanë “pushtuar” Spanjën, Francën Jugore, Karaibet, Floridën apo shumë vende të Lindjes së Largët e Paqësorit, duke investuar fuqishëm për blerje shtëpish apo vilash e apartamentesh.
Madje së fundi, janë duke u dyndur në Kroaci, Bullgari e Turqi, për shkak të çmimeve të ulëta, për momentin, por me tendencë rritje, për fatin e tyre të keq e për të mirën e tregjeve të reja.
Shqipëria është e pazbuluara e fundit e Europës, madje e paprovuara. Fatmirësisht, Shqipëria ka një klimë të jashtëzakonshme me aq shumë diell dhe dalje në det, me male e terren piktoresk dhe një distancë të përshkueshme nga Londra brenda dy orë e gjysmë direkt. Por edhe me mentalitetet njerëzor allasoj…
Shqipëria ka moskonkurrencën në çmimet e banesave dhe apartamenteve krahasuar me vendet e mësipërme, ashtu si edhe përballueshmërinë financiare dhe çmimet më të lira për të jetuar e shijuar me sa më pak shpenzime në një klimë të këtillë, krahasuar me vendet e tjera të njohura për tregun imobilar me të huajt.
Por Shqipëria ka një katalog problemesh të tjera që nuk gjenden fare ose janë minimale në vendet me të cilat ajo konkurron në tregun e ri të shitblerjes së banesave për të huajt.
“Thembra e Akilit” mbetet siguria e dokumentacionit zyrtar dhe ligjor të pronësisë që në shumicën dërmuese të rasteve lë pa gjumë çdo investitor ose më saktë çdo europian, që do të donte të blinte një shtëpi apo apartament në Shqipëri.
Hipotekimet e pronave dhe apartamenteve të reja lënë shumë për të dëshiruar, pa folur pastaj për arbitraritetin e faturimeve të shërbimeve, apo sigurinë e banesave, që janë më vulnerabël nëse merret vesh se e ka pronë një i huaj e që mund ta gjejë atë “në disk”, një ditë të bukur, nëse e mobilon dhe largohet për një periudhë kohore drejt vendlindjes së vet.
Nuk po flas pastaj nëse dëshiron të blesh tokë për të ndërtuar një vilë apo shtëpi, sipas një projekti privat, pasi të del gjithë lagjja pronare. E në bregdet, shkalla e vështirësisë merr përmasa çmendurie dhe pamundësisë fataliste.
Ka shumë anglezë që dëshirojnë jo vetëm në të ri, por edhe kur dalin në pension të jetojnë në një vend tjetër dhe mbi të gjitha me diell, për t’i ikur lagështisë e vranësirës stresuese dhe depresuese të ishullit.
Janë shumë ata që janë të gatshëm të shesin pronat e tyre, siç është praktikë e përhapur, pasi fëmijët “janë larguar nga foleja” dhe me një pjesë të të ardhurave nga shitja mund të blejnë një banesë përgjithësisht më të madhe se sa ku jetojnë dhe me pjesën e mbetur të financojnë pensionin dhe shërbimet e moshës.
Kjo kategori janë një minierë e madhe investuesish të vegjël në dukje, por për nga numrat potencialë shumë të mëdhenj dhe me shumë përfitime, si private ashtu edhe shtetërore.
Imagjinoni për një moment sa do të rritet kërkesë-oferta për banesa, sa do të rriten nevojat për sektorin e ndërtimit, nevoja për krah pune, nevoja për shërbime, fluturimet dhe shtimi i linjave të huaja ajrore si “Ryanair” ose “Easyjet”, “Monarch” apo “Thomas Cooke” drejt Rinasit, nëse korrigjohet koncesioni aeroportual me gjermanët.
Imagjinoni (nëse hiqet moratorium i dalë kohe) se çfarë zhvillimi do ketë në bregdet dhe industrinë e marinave detare dhe skafeve luksoze.
Imagjinoni punësimin në armatën e madhe të juristëve dhe agjentëve imobilarë që shoqërojnë këtë treg, etj., etj.
Shqipëria ka hapësira të mëdha të pashfrytëzuara tokësore në bregdet dhe afër tij, ku mund të planifikohen dhe jepen projekte për ndërtime për fshatra të panumërt turistikë siç i sheh në Bodurm, apo Costa del Sol, Tenerife apo afër Dubrovnikut e Sveti Stefanit, me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike dhe financiare për vendin.
Padyshim, edhe në një nivel shtetëror, për shkak të kësaj pranie të shtuar britanike, e cila e bën më të afërt Shqipërinë me Londrën zyrtare, edhe për shkak të shtetasve të saj rezidentë dhe me prona në Shqipëri.
Jam më se i vetëdijshëm dhe aspak naiv për shumë vështirësi të tjera që mund të hasin të huajt, nëse do të duhet të jetojnë dhe të shijojnë resurset natyrore ose jo të Shqipërisë.
Por të paktën, të punohet për eliminimin e atyre gjërave dhe plotësimin e atyre ekzigjencave të kësaj klientele, që një shtet ka në dorë, si ajo e dokumentacionit dhe sigurisë pronësore, që kjo kategori investitorësh të rëndësishëm të mos dekurajohet që në hapat e parë të interesimit në këtë perlë natyrore të pazbuluar të Europës, siç e cilësonte “The Telegraph”, pasi më vonë është shumë e vështirë të rifitohet.
Top Channel