Elton Deda: Nuk dua një fitues, por një zë stili

05/10/2012 00:00

Prej ditës së sotme ata fillojnë misionin. Për të dytin vit do të
kërkojnë zërin më të mirë shqiptar. “The Voice of Albania” nis sot në
mbrëmje, ora 20.50 në “Top Channel”.

Miriam Cani, Alma Bektashi, Elton Deda dhe Sidrit Bejleri rikthehen para publikut edhe më të motivuar për të zbuluar talente dhe për t’i rritur ata në skenë. “The Voice of Albania 2” nën drejtimin e Ledion Liços, vjen pas një edicioni të parë që shënoi sukses të jashtëzakonshëm, prodhoi zëra dhe u dha mundësinë shumë të rinjve të provonin e të hynin në rrugën e muzikës. Autori i programit, Rezi Aga, ka theksuar që më parë se formatit nuk do t’i mungojnë risitë. Eltoni i ka të qarta idetë në momentin që do të kthejë karrigen: “Dua zëra stili, mbi të cilët të punoj e të thyejmë uniformitetin që ka mbërthyer muzikën”.

Sot fillon “The Voice of Albania 2”. Çfarë prisni nga ky edicion i dytë?

Presim të ketë zëra dhe prurje më të mira se vjet, të emocionohemi akoma e më shumë dhe mbi të gjitha unë pres që publiku të na mirëkuptojë kur e vëmë gishtin te një konkurrent që është vërtet i mirë dhe jo te tjetri, sepse duam që ai të ecë përpara. Megjithatë, nëse ne do të kemi mundësi të bëjmë sa më shumë zgjedhje të vështira e kur njerëzit i komentojnë ato, do të thotë që shikueshmëria është rritur, krijohen fansat dhe ky talent shou bëhet më i këndshëm për ata që e ndjekin përmes “Top Channel”.

Elton Deda: Me cilët zëra do të synoni këtë herë? Ka ndryshuar diçka nga përvoja e një viti më parë?

Jo, nuk ka ndryshuar asgjë. Unë vazhdoj t’i rri korrekt vetes sime për atë që kërkoj. Gjithmonë kam kërkuar zëra të stilit, në mënyrë që të kem mundësi të punoj mbi ta edhe në rryma që në Shqipëri nuk i praktikojnë shumë. Në këtë pikëpamje kjo do të ndihmonte të hiqej pak ai uniformiteti i muzikës që po dëgjojmë, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë që ka edhe muzikë tjetër, e cila është shkruar shumë herë më përpara se ne të fillonim të shkruanim muzikë.

Nga vjet u pa që një pjesë e mirë e konkurrentëve e ka bërë zgjedhjen e trajnerit që më parë, apo jo?

Kjo është e vërtetë dhe nuk ka ndodhur vetëm me mua, por edhe me tre trajnerët e tjerë. Të gjithë konkurrentët, kush më shumë e kush më pak, e kanë bërë një zgjedhje paraprake. Me mua do ta ndiejnë veten më mirë ata që kanë derivatet e rokut dhe të muzikës bluz, Alma do të ketë konkurrentët që i përshtaten asaj, Miriami dhe Sidriti po ashtu. Këtë vit, në rast se do të kthehem për ndonjërin e që do të dua ta marr në ekip, sigurisht edhe në rast se ai më zgjedh mua, do të synoj që të ketë prirje drejt muzikës rok, r&b, bluz, hard rok, hevi metal etj.

A është e rëndësishme të nxjerrësh një fitues?

Ky talent shou për mua nuk është një garë për titull, por një garë ku çdo njeri fiton. Rina, Marsela, Enrika, Lundrimi e shumë këngëtarë të tjerë fituan shumë në “The Voice”. Për të qenë i ndershëm, mua si Elton nuk më intereson shumë nëse ishte vendi i parë apo vendi i dytë. E rëndësishme është që këngëtarët që dalin në finale të jenë shumë të mirë. Me Marselën ndodhi pikërisht kjo gjë: unë eksperimentova shumë, ajo ishte njeri mjaft i hapur në kuptimin e rrymave muzikore, gjetëm bashkëpunim të mirë dhe shkoi aty ku shkoi. Nuk fitoi, por kjo nuk përbënte problem, sepse edhe Rina është një këngëtare shumë e mirë, e trajnuar nga Alma. Për mua humbja më e madhe do të jetë sikur konkurrenti që Elton Deda çoi në finale të jetë një konkurrent që nuk ia vlen. Marsela e ka treguar veten, këndon në “Top Shoë”, do të këndojë në lokalin që unë do të hap së shpejti, është e kërkuar në ‘live’ dhe publiku e do. Ky është synimi i “The Voice”, t’i japë publikut njerëz që ata i duan, i preferojnë, i dëgjojnë e bëhen fansa.

“The Voice of Albania” ju ka vënë në raporte të tjera me publikun, jeni trajnerë, performues, pedagogë… Si do ta përkufizonit këtë eksperiencë?

Duhet kuptuar që “The Voice of Albania” nuk është një shkollë e mirëfilltë për këngëtarët, sepse zgjat vetëm 4 muaj, por është një shkollë e vogël, ku këngëtarët e rinj që nuk kanë dalë ndonjëherë në skenë, kanë përpara tyre njerëz që kanë eksperimentuar gjithë jetën me vepra dhe kanë lënë gjurmë. Është një lloj ndihmese kur dikush të shpjegon se si këndohet. Formula e “The Voice” është shumë interesante, sepse ne nuk jemi vetëm katër njerëz pasivë që rrimë në karrige dhe japim mend se si do ta shpëtojmë muzikën, por e bëjmë realisht atë punë. Ne i marrim njerëzit, i stërvitim të këndojnë vetë.

Keni besim te të rinjtë shqiptarë?

Kam besim të palëkundur që populli ynë ka një talent të jashtëzakonshëm dhe një dashuri të madhe për artin. Kjo është e ndjeshme, sidomos te vajzat. Mendoj që prurjet e talenteve shqiptarë nuk do të rreshtin kurrë, është një popull që gjeneron gjatë gjithë kohës talente, muzikë, pavarësisht kushteve që jetojmë. Pavarësisht nivelit ku mund të jetë katandisur muzika shqiptare, më vonë ka për të ndryshuar dhe do të jenë pikërisht këta njerëz që do ta ndryshojnë, do ta sjellin në rrugë të mbarë, do të vazhdojmë të ecim si e gjithë bota.

Do të thotë që do të jeni një kohë më të gjatë në Shqipëri?

Padyshim që edhe unë kam projektet e mia dhe dua të jap ndihmesën time me aq sa mundem. “The Voice of Albania” është një shtysë e mirë. Është një eksperiencë e bukur me “Top Channel” dhe mua më pëlqejnë projektet afatgjata dhe gjërat me vizion. Jam i bindur që do të gjej rrugën dhe gjuhën me stafin e “Top Channel” që të bëjmë gjëra më të mira, më të këndshme për publikun. Ky është qëllimi i jetës sime. Unë jam muzikant, i jam dedikuar muzikës dhe gjërat e tjera vijnë të gjitha pas saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA