Kur Ashley dhe Andy Adams, dy 23-vjeçarë nga Kolorado mësuan se prisnin katërnjakë, u shokuan dhe u gëzuan njëkohësisht.
Megjithatë, jeta e tyre u trondit shumë shpejt, kur në muajin e pestë të shtatzanisë, e reja mësoi se disa çregullime që ajo po përjetonte nuk ishin normale për gjendjen në të cilën ishte, por shkaktoheshin nga një kancer i avancuar në gjendren e saj tiroidale.
”Ditën që mësova lajmin, mbaj mend vetëm që telefonova shokun tim më të mirë, Joe dhe nisa të qaja pa pushim. Kisha frikë se do të humbja gruan time dhe do të mbetesha, në këtë moshë, baba i vetëm i katër fëmijëve”, deklaroi Andy, gjatë një rrëfimi për një program në një televizion amerikan.
Në gjendjen në të cilën ndodhej 23-vjeçarja, normalisht duhet të realizonte një ndërhyrje të menjëhershme, pasuar nga një “bombardim” me kimioterapi, por mjekët vendosën kundër kësaj zgjidhje, pasi do të vendoste në rrezik jetën e fëmijëve.
Zgjedhja bëhej edhe më e vështirë nga fakti se çifti prej dy vitesh kurohej për probleme steriliteti dhe ishte i vetëdijshëm që mund të mos kishte kurrë më fëmijë.
Si rrjedhojë, çifti bëri zgjedhjen e vështirë që të mbante fëmijët deri në datën më të hershme, në të cilën nëna mund t’i nënshtrohej një operacioni për lindjen e parakohshme të tyre, diçka që ndodhi pak pasi ajo kaloi muajin e shtatë të shtatzanisë.
Ndonëse nënpeshë, të katërt fëmijët, një djalë dhe tre motra, lindën në shëndet të plotë pas ndërhyrjes cesariane, ndërsa Ashley, praktikisht u transportua menjëherë nga pjesa e lindjeve, në repartin e onkologjisë së spitalit.
Katër muaj më pas, një mjek i dha lajmin e gëzuar se do të mund të shihte fëmijët e saj të rriteshin, pasi ishte shëruar tërësisht nga kanceri, pavarësisht probabilitetit të kundërt në nisjen e kimioterapisë.
Nga ana e saj, e reja u shpreh se pasi la pas këtë kalvar vuajtjesh, ka ndërmend të shijojë jetën, pa menduar për të pasur shtatzani tjetër. Me katër fëmijë për të rritur, pa dyshim që nuk mund të fajësohet për këtë.
Top Channel