Filmi “Move On”, bashkëpunon edhe Shqipëria

04/10/2012 20:45

Gjermania është vendi ku ka nisur projekti “Move On”, që parashikon realizimin e filmit me të njëjtin titull, me bashkëpunimin e 11 shteteve të Europës, përfshirë dhe Shqipërinë.

Një film ndryshe, i realizuar nga kineastë, por i frymëzuar nga ide të publikut që i paraqitën ato në uebsajtin e projektit.

Janë tetë episode të xhiruara në tetë shtete të ndryshme, me aktorë profesionistë dhe publik të përzgjedhur nga audicionet. Një pjesë e xhirimeve po kryhen në Berlin.

Regjisori Asger Leth; në rol kryesor Mads Mikkelsen, aktori që ka interpretuar në filma si ‘Casino Royale’ apo ‘Clash of The Titans’.

Filmi është xhiruar në Hollandë, Gjermani, Austri, Sllovaki, Hungari, Kroaci, Mal të Zi dhe Maqedoni. Cekia, Bullgaria dhe Shqipëria kanë kontribuar me materiale për filmin dhe aktorë.

Regjisori Asger Leth shprehet: “Është një “road-movie” me tetë episode për internet. Janë 8 episode në 8 shtete, por në këtë linjë ka një thriller që zhvillohet. Ajo çka e bën filmin unik është se ne kemi ftuar njerëz nga e gjithë Europa, nga tetë vendet ku kemi xhiruar dhe nga tre vende të tjera, për të na sjellë ide, sugjerime mbi vendet dhe kastingun. E kemi zgjeruar stafin e filmit për ta bërë një panel europian.”

TCH:
Mund të përshkruani rolin tuaj?

Mads Mikkelsen: Personazhi im udhëton nëpër Europë me një valixhe që e transporton nga një pikë fillestare në tjetrën, por ende nuk e di ku është pika përfundimtare. Është diçka që do ta zbulojë gjatë udhëtimit. Ai ka vite që nuk e bën më këtë punë ndaj është pak i ndryshkur, por përpiqet që të bëjë më të mirën.

TCH:
Nëse do të krahasonit këtë eskperiencë me të tjerat e mëparshme, si do ta vlerësonit?

Mads Mikkelsen: Është ndryshe. Skenari është shumë i adaptueshëm dhe ndryshon në vazhdimësi. Ne nuk jemi mësuar me njerëz që të sugjerojnë ide nga interneti, por ishte diçka e re dhe nuk më rëndoi të punoja në një proces si ky. Gjithsesi skenari ishte i fortë, por ne mund edhe të improvizonim.

TCH: Filmi është xhiruar në vetëm dy muaj edhe pse keni shëtitur në shumë vende. Si ia dolët mbanë në një kohë kaq të shkurtër?

Asger Leth:
Është një projekt i marrë, nuk është një film normal. Është një film i realizuar në rrugë e lëvizje në tetë episode për internet. Ishte shumë e rëndësishme që të përqafonim kulturën e çdo vendi dhe të ishim të aftë të ndryshonim stilin e xhirimeve në çdo shtet. Këmbëngula që në fillim se nuk do të silleshim si një ekip hollivudian, ku me avion lëviz nga njëri vend në tjetrin, port ë merrnim makinat dhe të lëviznim kështu në të gjithë Europën, në mënyrë që ta ndjenim udhëtimin, të përjetonim vendet dhe kulturat e tyre. Ishte intensive dhe gjithë ekipi u përfshi me intensitet.

Shqipëria mori pjesë me kolonën zanore të një skene të filmit, një foto me imazh Shqipërinë dhe dy figurantë.

Premiera e “Move on” do të shfaqet në Gjermani në versionin për kinema dhe 8 episodet në faqen ueb të projektit me të njëjtin emër. Një film jashtë kornizave klasike, në lëvizje dhe i frymëzuar nga publiku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA