Champions, Milani fiton në Rusi me dy autogola

03/10/2012 20:05

Dy autogola dhe një portier në superformë lejuan Milanin që të realizonte një fitore shumë të rëndësishme në Shën Pjetërburg, përballë Zenitit vendas, në një ndeshje të Champions League.

Pas 13 minutash lojë, një devijim i pafat i Kerzhakov në një goditje dënimi të Emanuelson nga 25 metra distancë, lejoi nënkampionët e Italisë që të kalonin në avantazh.

Disa minuta më pas, talenti 19-vjeçar, El Shaarawy, në një aksion individual, depërtoi në qendër të zonës së rreptësisë, duke dribluar disa kundërshtarë, përpara se të dërgonte topin në rrjetë.

Pas dyfishimit, Zeniti vendosi italianët nën një “stuhi” të vërtetë aksionesh, duke detyruar Abbiatin të realizonte disa pritje të shkëlqyera.

Portieri i Milanit u mposht vetëm pas disa goditjesh në kuadratin e tij, nga blerja më e shtrënjtë e merkatos verore në Europë, Hulk. Braziliani, i cili i kushtoi klubit rus 55 milionë euro realizoi në të 45’, me një goditje të fortë nga pranë.

Menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, Shirokov barazoi rezultatin për vendasit dhe Zeniti vazhdoi presionin, duke vendosur disa herë në vështirësi Milanin.

Megjithatë, drejt fund të ndeshjes, një devijim i pafat i Hubocan, mbrojtësit të Zenitit, bëri që topi të përfundonte për herë të tretë brenda takimit në rrjetën e rusëve, e dyta në të cilën prekja e fundit bëhej prej vetë lojtarëve të Zenitit.

Megjithatëse me vuajtje, kuqezinjtë arritën deri në fund të mbronin këtë tripikësh të çmuar, i cili përmirëson pozitat e Milanit në grupin e Champions League, me katër pikë në dy javë dhe i jep skuadrës entuziasëm në prag të derbit të Milanos, me Interin, në fundjavë.

Top Channel