Ti duhet të heshtësh, Nexhmije Hoxha

02/10/2012 00:00

ILIR YZEIRI – Me këtë shkrim druaj se do të dukem patetik dhe ata që,
nën hijen e së vesë së diktatorit shqiptar Enver Hoxha, hedhin shtatin e
shkurtër të mediokritetit dhe të skllavërimit trunor, do të gjejnë një
rast tjetër për t’u identifikuar te shkrimtari ynë i madh, Ismail
Kadare, duke risjellë në vëmendje se si ti dhe bashkëshorti yt,
diktatori Enver Hoxha, e keni mbrojtur dhe i keni shpëtuar jetën.

Ndërkaq, këta mediokër të mjerë e të harruar në cepat e humbura të vetëdijes kolektive befas do të na shfaqen si ish-shkrimtarë të realizmit socialist, me libra që për fatin tonë të mirë nuk ka për t’i lexuar më askush. Mirëpo kjo është vetëm ana qesharake e gjithë kësaj që po shtillet në mediat provinciale të Tiranës. Ana tragjike është diku tjetër. Ju zonja Hoxha jetuat dhe po jetoni demokracinë shqiptare apo tranzicionin shqiptar si një qytetare e thjeshtë në një banesë në periferi të Tiranës.

Këta njëzet vjet kanë qenë vite të vështira për shqiptarët, por askush nuk mund ta mohojë se kanë qenë vitet e begatisë më të madhe që kemi arritur si popull e si komb. Nuk e di a të kanë thënë se nga veriu në jug, Shqipëria ka ndryshuar si kurrë më parë. Shqiptarët jetojnë në shtëpi të reja dhe nuk ka fshat të këtij vendi që të mos shohësh vila dy apo trekatëshe. Mirëqenia në këta vjet është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse demokracia si sistem është një mundësi e madhe për zhvillim. Mirëpo ti dhe Ramiz Alia nuk u penduat kurrë për varfërinë ekstreme ku e zhytët këtë popull. Nuk e di a të vijnë në vesh klithmat e të vrarëve nëpër burgje, të atyre që ju i zhdukët pa gjyq.

Nuk dua të bie në patetizëm dhe po mundohem të jem realist. Ju u vutë në krye të një prej faqeve më të ndritura të historisë së Shqipërisë, të Luftës Nacionalçlirimtare. Komunistët dhe bashkëshorti juaj në krye të tyre e fituan atë luftë dhe e renditën vendin tonë në krah të popujve e të vendeve përparimtare. Mirëpo, sapo erdhët në Tiranë dhe sapo marshuat triumfalisht në kryeqytetin e çliruar, ju menduat që Shqipëria tashmë ishte e juaja. Instaluat regjimin më të egër në kontinent dhe akti i parë antishqiptar ishte largimi i mikut më të madh e më të sinqertë që kishte e ka Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju zgjodhët sistemin njëpartiak të qeverisjes dhe modelin e demokracive popullore dhe deri këtu nuk kishte ndonjë gjë të keqe. Mirëpo pas kësaj, ju, jo vetëm nuk e ndalët luftën, por shpallët se jeta është ende luftë dhe se kundërshtarët politikë duhen zhdukur. Eliminuat në mënyrën më makabre klerin katolik, shkatërruat traditën mijëravjeçare të kulturës shqiptare në veri dhe shkuat në satër gjithë kundërshtarët tuaj.

Instaluat sistemin makabër të mashtrimit elektoral dhe shpikët votimin me gogla duke krijuar një precedent të rrezikshëm që vijon edhe sot e që është: kurrë zgjedhje të ndershme e të lira. Sali Berisha, pinjolli juaj, është mbrujtur me votimin me gogla ndaj demokracia jonë lëngon. Pas kësaj e rrethuat këtë vend me tela dhe qëndruat në krye të tij ose në kurriz të tij për 50 vjet me radhë. Unë nuk mohoj se në këta 50 vjet shqiptarët punuan, se revolucioni feminist që u krye në këtë periudhë ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme. Mirëpo këto suksese i prodhoi diktatura e egër, e cila pasi instalon frikën e plumbin dhe pasi shpall devizën se lufta e klasave është motori i zhvillimit, e ndau Shqipërinë më dysh.

Nga njëra anë krijoi borgjezinë komuniste, nga ana tjetër la në mjerim popullin e thjeshtë që nuk kishte lidhje direkte familjare apo fisnore me diktaturën. Ju i mbajtët të izoluar në fshat më shumë se gjysmën e popullsisë dhe për pesëdhjetë vjet ndërtuat një vend të çmendur kolektivisht, simbol i të cilit u bë bunkeri. Në çdo dhjetë vjet ju projektonit masakra mbi kundërshtarët tuaj politikë. A ndiheni mirë kur dëgjoni sot fjala vjen për mënyrën se si e vratë Teme Sejkon, për shkatërrimin mizor të kësaj familjeje. A pendoheni për ato qindra e mijëra familje që i internuat, i masakruat dhe i gjymtuat. A pendoheni sot, që edhe dokumentin origjinal të pavarësisë ne nuk e kemi për fajin tuaj, sepse ju syrgjynosët edhe fëmijët e Ismail Qemalit? Ju jeni shprehur me cinizëm se në 100 vjet shtet, pesëdhjetë vjet mbajnë emrin e bashkëshortit tuaj. Vërtet krenoheni me këtë? Ne shqiptarët e kemi kujtesën e shkurtër dhe harrojmë se jemi popull tragjikisht i shkujdesur. Si mund të ndiheni e qetë sot dhe të mos ju dalë gjumi nga klithmat e të vrarëve nëpër burgje. Si nuk të vjen ndërmend imazhi i Musine Kokalarit që vdiq si pastruese rrugësh në Mirditë?

Si mund të rrish e qetë dhe nuk të del gjumi natën kur lexon statistikat e të vrarëve apo të dënuarve pa gjyq. E ke lexuar besoj librin me kujtime të Jusuf Vrionit “Kujtimet e një europiani”. Ai aty përmend se për tre vjet është torturuar në mënyrën më çnjerëzore. Në një rast thotë se, pasi e kishin lidhur me duart prapa, i kishin shkuar një shkop të trashë në mes të duarve e kurrizit dhe pasi e shtrinin në tokë e rrokullisnin si deng leshi. Ose për tre muaj rresht e kanë mbajtur të varur dhe me një peshë të rëndë në kurriz pa e lënë që këmbët të preknin tokën. Përmenda vetëm atë, sepse libri i tmerrit të krimeve të diktaturës mbi kundërshtarët politikë është i llahtarshëm. Unë, për të mos qenë patetik, e pranoj se të gjitha këto ju i bënit me ligje që i miratonit në Kuvendin e atëhershëm të Shqipërisë. Mirëpo ju harroni të përmendni se aktet konstitucionale të shtetit tuaj nuk mbështeteshin në asnjë Konventë Ndërkombëtare që garantonte liritë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë kuptim ju keni shkelur ligjet që miratonit vetë. Dhuna juaj mbi klerin katolik, jo vetëm që ishte disproporcionale, por ishte në kundërshtim edhe me kushtetutën tuaj. Në këta njëzet vjet shqiptarët udhëtojnë lirshëm jashtë vendit. Besoj të tregojnë mbesat apo nipërit se bashkëmoshatarët e tyre jetojnë sot si europianë të vërtetë. A nuk ju merr të qarët kur mendon se si e kishit rrethuar me tela me gjemba këtë vend, se si e kishit izoluar dhe e kishit kthyer në një çmendinë kolektive. A i ke parë sot fëmijët shqiptarë dhe të rinjtë sa të bukur e të shëndetshëm janë? Nuk të vjen të arratisesh nga kjo botë kur sheh se sa mirë ushqehet ky popull dhe ku e katandise ti me bashkëshortin tënd. Mirëpo ti dhe Ramiz Alia, që vdiq para disa kohësh, nuk pendoheni, madje ti ke marrë përsipër tashmë të na tregosh se pjesë e diktaturës tënde është edhe sjellja e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Në fakt ti ke të drejtë të sillesh kështu. Kadare është i vetmi personalitet shqiptar që nuk e harron kurrë diktaturën dhe u flet shqiptarëve për të. Djali yt në shpirt Sali Berisha, që e shëtisnit me varkë në Drilon, ka ndërtuar një sistem të tillë që ti jo vetëm ndihesh e rehabilituar, por ngandonjëherë madje shihesh edhe si viktimë. Sali Berisha ka njëzet vjet që ka hipur në zverk të këtij populli dhe me imazhin e bashkëshortit në mendje dëshiron të qëndrojë ende në kurrizin tonë. Nuk mund të kalosh dy herë në të njëjtin ujë, thoshin grekët e lashtë dhe Saliu nuk mund të bëjë atë që bëtë ju, por ai, ashtu si ju, pasi vodhi idealin e lëvizjes studentore, mendon që të bëhet i përjetshëm në emër të tij. Demokracia është një sistem që prodhon sukses dhe unë kurrë nuk e kam ngatërruar suksesin që prodhon sistemi nga kalbësirat që i ngjiten atij në zverk. Sot Shqipëria është një vend i hapur dhe aleat i miqve të vërtetë. Shqiptarët sot janë populli më i suksesshëm në Ballkan, sepse dhe problemin e tyre nacional e zgjidhën falë mikut të tyre më të madh, SHBA-së dhe aleatëve europianë. Ky sukses i shqiptarëve si komb e si popull nuk ka të bëjë fare me fytyrën e diktatorit të fundit stalinist, Sali Berisha. Ndërsa ju do të duhej që, në qoftë se nuk kërkoni falje, të paktën të heshtnit, sepse krimet që bashkëshorti yt dhe ti si pjesë e asaj nomenklature keni kryer mbi këtë popull, janë një mallkim i rëndë. Mirëpo ju keni të drejtë të silleni sikur të mos ketë ndodhur asgjë për sa kohë krimet e komunizmit nuk po dënohen, për sa kohë ky vend drejtohet nga Sali Berisha, djali juaj shpirtëror që e shëtisnit me varkë në Drilon. Vetëm se duhet ta dini që historia dhe tradita e lashtë europiane dhe ajo botërore ka një raport tjetër me krimin. Ai që ka kryer një krim dhe nuk është penduar apo gjykuar për të, nuk duhet të jetë i qetë as në këtë botë as në atë të përtejmen. Ndërkaq, dua të përmend gjithashtu se ju keni të drejtë të silleni kështu, sepse në tërësi ky popull jo vetëm që harron, por vuan edhe nga sindroma e Stokholmit. Ju patët një meritë të madhe se krijuat jo vetëm armatën e skllevërve, por edhe atë të mediokërve që kuptimin e jetës e gjejnë jo te lumturia e tyre, por të shkatërrimi i jetës së tjetrit, sipas parimit famëkeq që lumturia ime është vdekja e tjetrit, parim që vjen nga deviza e famshme e luftës së klasave. Ka shumë e shumë fakte të tjera që po t’i renditja tani do të duheshin faqe e faqe të tëra gazetash që të shtilleshin. Ndërkaq, nuk mund të rri pa përmendur edhe një fakt të fundit. Si jeni ndier kur vajza e Liri Belishovës vdiq në Tiranë e vetme dhe mamaja e saj nuk mund t’i rrinte te koka, sepse ishte e internuar. A të del në gjumë fytyra e asaj vajze të gjorë. A zgjohesh ndonjëherë natën nga klithmat e të burgosurve që ulërinin nëpër biruca. Dhe po ta përsëris edhe njëherë, kur ke lexuar në shtyp për Teme Sejkon që e mbytën me dru, për të sjellë vetëm një shembull, si ndihesh? Vërtet e bën gjumin të qetë? Ju jeni në një moshë të tillë që ju lejohet të thoni e të bëni çfarë të doni, por mirë do të ishte që të heshtnit një çast. Të heshtnit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA