Seria A, Interi ngjitet i treti

01/10/2012 00:00

Interi arrin një tjetër fitore në kampionatin italian. Zikaltërit mundin në San Siro Fiorentinën me rezultatin 2-1 dhe tashmë e sheh veten në vendin e tretë të renditjes me 12 pikë.

Të gjithë golat e këtij takimi u shënuan në pjesën e parë. Në minutën e 17 zikaltërit fituan një 11-metërsh që u ekzekutua saktë nga Diego Milito. Pas këtij goli Interi pati shanse të tjera ku më i miri ishte ai i Militos, gjuajtja e të cilit u ndal nga tranversa.

Atë që nuk bëri argjentinasi e kreu Kasano që i çoi shifrat në 2-0. Në minutën e 40 Fiorentina vetëm sa shkurtoi diferencën me anë të Romulos. Për t’u theksuar është se skuadra violë e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë pasi Gonzalo u ndëshkua me karton të kuq për një faull ndaj Militos.

Napoli mban hapin e Juventusit. Skuadra e drejtuar nga Valter Maxarri mundi Sampdorian në fushën e kësaj të fundit me rezultatin e ngushtë 1-0. Ishte një sfidë e vështirë për napoletanët që e zgjidhën këtë takim me të zakonshmin Kavani që ktheu në gol një 11-metërsh të fituar në minutën e 66, ndërkohë që Sampdoria mbeti me 10 lojtarë pasi Gastaldelo u ndëshkua me karton të kuq.

Fitore arriti edhe Lacio në Olimpiko ku mundi Sienën me rezultatin 2-1. Ederson në minutën e 17 dhe Ledezma me 11 metërsh në të 37 ishin autorët e golave për romanët, ndërkohë që për Sienën goli i vetëm u shënua nga Paçi.

Palermo merr fitoren e parë në këtë sezon të Serisë A. Skuadra siçiliane shkatërroi Kievon 4-1 edhe pse e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Briencës. Mikoli ishte heroi për skuadrën e drejtuar nga Gasperini duke shënuar golin e parë, të dytë dhe të katërt, më këtë të fundit që ishte më spektakolari.

Golin tjetër për palermitanët e shënoi Xhorxhi, por edhe në këtë rast një pjesë të meritës e merr Mikoli. Për Kievon, Rigoni vetëm sa shënoi barazimin e përkohshëm të takimit.

Në ndeshjet e tjera të Serisë A, Torino shkatërroi Atalantën në Bergamo me rezultatin 5-1, Bolonja fitoi thellë me Katanian 4-0, ndërsa Kaljari u mund nga Peskara 2-1.

Top Channel