Reforma kurrikulare dhe kërkimi arsimor

01/10/2012 00:00

PËLLUMB KARAMETA – Argumenti i shkrimit, tërthorazi, kumton për
gjendjen, përpjekjet dhe arritjet e kërkimit tonë në arsim, por fokusi i
tij është nevoja e madhe e specialistëve, mësuesve, prindërve dhe
nxënësve, për të kuptuar ndryshimin që pritet të sjellë reforma e
kurrikulës, atë që MASH po ngutet ta mandatojë brenda këtij viti
shkollor.

Nevoja për të kuptuar më thellë buron nga veçoritë e zhvendosjeve të mëdha në bazat epistemologjike dhe përbërësit e kurrikulës së re. Frenimi i ngutjes irracionale të MASH dhe mbështetja e kërkimit të thelluar në fushë, besoj se do t’i ndihmojnë specialistët, mësuesit dhe shkollat të kuptojnë përse mundi i tyre nuk po jep atë çka dëshirojnë dhe të aftësohen për t’u përballur me sfidat e reja.

Paaftësia për ta kuptuar thellë ndryshimin rrënjëzon në gjendjen e sistemit arsimor që po bjerr me shpejtësi burimet e tij, qofshin ata të lidhur me traditën tonë pedagogjike apo me faktorë të tjerë, njerëzorë, materialë dhe financiarë. Më tej, paaftësia theksohet kur reflekton mbi sa ofron MASH në dokumentet e saj, që shprehin politikën e re kurrikulare. Përmbledhur, përmend këtu praninë e dy kornizave kurrikulare, të gjimnazit (miratuar në 2008) dhe të arsimit parauniversitar (draft); konceptimin e vjetruar (dhe shtjellimin shterp) të elementëve bazalë të reformës “kurrikula”, “kompetenca themelore” etj. Kjo e fundit, p.sh., kuptohet, herë si “njohuri, aftësi e qëndrime”, herë si ndërthurja e dijeve, aftësive, qëndrimeve dhe vlerave”, duke dëshmuar kështu se nuk njihet e reja që sjell kërkimi bashkëkohor, që e përshkruan kompetencën rezultat të trajtimit nga subjekti të situatave, në nivelin e standardit, mbi bazën e burimeve që zotëron. Për më shumë, koncepti “kompetencë themelore” po zëvendësohet padrejtësisht me konceptin “aftësi ndërkurrikulare”, edhe pse aftësia është pjesë e burimeve që zotëron personi kompetent. Niveli mjeran i shtjellimit të politikës kurrikulare kulmon në draftin e Kornizës së re, e cila nuk plotëson aspak kërkesat e një dokumenti politik themelor, që projekton funksionimin e mirë dhe cilësinë e sistemit, në kontekstin e kalimit nga kurrikula e bazuar në përmbajtje në kurrikulën që bazohet në kompetenca. Ritheksoj, po flasim për dokumentin kyç, të cilit do t’i referohen zhvillimi, zbatimi i orientimeve dhe planet për ndryshimet në strukturën dhe brendinë e sistemit, menaxhimin e procesit të nxënies, vlerësimin, formimin dhe trajnimin e mësuesve/ drejtuesve etj.

Këtu arrihet, pasi në kornizë nuk gjenden të dhëna që argumentojnë mjaftueshëm kërkesa si: A e siguron Korniza e re vizionin për zhvillimin dhe zbatimin e një kurrikule që përqendrohet te nxënësi dhe bazohet në kompetenca? Si parashikohen zgjidhjet për trajtimin e nevojave të nxënësve, duke siguruar qasje të përshtatshme për arsim cilësor për të gjithë? Si do të përballen sfidat kryesore të zhvillimit dhe zbatimit të kurrikulës, duke përfshirë përafrimin e kurrikulës me formimin fillestar dhe trajnimin e mësuesve, menaxhimin e shkollës dhe të klasës dhe vlerësimin e arritjeve? Çfarë masash të nevojshme (afatshkurtra dhe afatgjata), duhen marrë për të siguruar zhvillimin dhe zbatimin cilësor dhe të qëndrueshëm të kurrikulës? Çfarë mbështetjeje për zbatimin e vizionit të ri kurrikular duhet ofruar, që të përafrohen programet e studimit, praktikat e nxënies dhe strategjitë e vlerësimit të arritjeve nga mësuesit? Kërkimi në këto drejtime (dhe jo vetëm) është investim që duhet mbështetur, për të kuptuar proceset që i shtrojnë rrugën dizajnimit dhe zbatimit profesional të reformës. Por kërkimi do të rivlerësojë edhe rolin e ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët, më shumë se konsulencën e paguar, po vlerësojnë pagesat e majme.

E zhvillojmë pak më tej argumentin. Edhe pse në draftin e Kornizës nuk pohohet zhvendosja drejt kurrikulës që bazohet mbi kompetencat, ajo e tillë do të jetë. Jo vetëm pse kështu është konceptuar, të themi, në kurrikulën e re të Kosovës, apo në shumë vende, nga Kanadaja deri në Zelandën e RE, por se të tillë e kërkon ligji ynë i ri arsimor: “Kurrikula hartohet dhe zbatohet në bazë të kompetencave themelore të nxënësve” (neni 4/3). Në një rrafsh më konkret, zhvendosja drejt kurrikulës së re kërkon të përshkruhen qartë argumentet që lidhen, më së pari, me: a) suksesin për të gjithë nxënësit, b) nxënien që zhvillon kompetencat, c) vlerësimin që ndihmon nxënien dhe d) nxënien e integruar. Dokumentet e financuara nga MASH, mjaft syresh pa autor dhe referenca, të tjerë në nivelin e draftit, por që përdoren si bazë për të hartuar drafte të reja (!!), tregojnë qartë konceptin diletant që po zbatohet, i denjë për ndonjë qarkore rutinë administrative. Fatkeqësisht, duket se në MASH nuk duan ta kuptojnë se ajo që kërkohet sot, nuk mund të jetë kurrsesi produkt i mendësive apo strategjive “copy-paste” që kallajisin dhe që janë përdorur deri tani në reformimin diletant të aspekteve të caktuara arsimore. Harrohet se po projektohet e para reformë serioze sistemike, simotrat e së cilës, vendet e tjera, pikërisht, për të rejat që bartin, po i zhvillojnë pa u ngutur, bazuar në kërkimin e thelluar shkencor dhe dakordësinë e akademikëve, kërkuesve dhe njerëzve të praktikës shkollore. Pasi nuk është aspak e lehtë të kuptosh dhe projektosh, zhvendosjen e madhe nga besimi për “subjekti që njeh dhe bën” te besimi i ri për “subjektin që njeh, di të bëjë si duhet dhe provon përse e bëri”.

Qasja që bazohet mbi kompetenca vlerëson si parësor suksesin, jo për sa më shumë nxënës, por për të gjithë ata, çka kërkon rindërtimin e koncepteve profesionale të specialistëve dhe mësuesve për mësimdhënien, nxënien dhe vlerësimin. Qasja e re mbështet idenë e ndërtimit nga nxënësit të kompetencave themelore gjatë kohës së shkollimit, ku përfshihen njohuritë e reja që duhen fituar në mësim dhe jashtë tij, për të lëvizur në fazat e karrierës. Nga kurrikula e re pritet të zhvillohen dhe qartësohen kompetencat themelore, duke përshkruar kuptimin e secilës syresh dhe elementët gjegjës, pra, fokusi i kompetencës, tiparet themelore, kriteret/procedurat e vlerësimit, si dhe zhvillimi i kompetencave përgjatë niveleve arsimore, aspekte këto të panjohura deri tani nga specialistët tanë.

Nxënia e ripërtërirë mbështetet në parakushtin se kompetencat duhen konstruktuar nga nxënësit, më shumë sesa të transmetohen nga mësuesit. Edhe pse kurrikula e re nuk do të mbështet mbi një qasje teorike të veçantë, ajo do të thith ide nga disa teori të njohjes, që ndajnë kuptimin se nxënësit janë arkitektët kryesorë të kompetencave dhe njohurive të tyre. Teoritë konstruktiviste, social-konstruktiviste dhe kognitiviste janë veçanërisht të dobishme në këtë drejtim, por edhe këto janë shumë pak të komentuara në botimet tona profesionale. Më tej. Qasja e re nuk e koncepton vlerësimin si qëllim më vete. Nxënësit nuk nxënë që të vlerësohen, por ata vlerësohen që të ndihmohen të nxënë më mirë. Kjo do të thotë zhvendosje nga kontrolli i dijeve si “gjueti shtrigash”, te “vlerësimi i thesareve” që ndërton e zhvillon çdo nxënës. Si i tillë, vlerësimi duhet rikonceptuar si mjet që ndihmon nxënësit të nxënë dhe mësuesin të zhvillojë mësim, që lehtëson komunikimet me prindërit dhe i ndihmon ata të kuptojnë përparimin e fëmijëve dhe të gjejnë mënyrat për t’i ndihmuar të nxënë më mirë. Qasja e re nuk nënkupton uljen e standardeve, por mbledhjen e sa më shumë të dhënave, përmes teknikave të reja, gjatë vitit dhe në fund të ciklit, si mundësi për zhvillimin optimal të kompetencave. Po kështu, përderisa shkolla nuk është qëllim në vetvete, ajo duhet t’i përgatitë nxënësit për jetën jashtë mureve të saj, ndaj theksohet fort integrimi kurrikular, si mjeti që ndihmon nxënësit të kuptojnë se elementet janë të ndërlidhur dhe se nxënia e tyre kalon nëpërmjet zgjidhjes së problemeve komplekse etj.

Sikundër kam thënë në një shkrim tjetër, përtej opsioneve, kundërshtive dhe hezitimit, një gjë është e sigurt: Nëse, duam vërtet të përballim sfidat e arsimit bashkëkohor, kjo gjë e ndërlikuar, e orientuar drejt veprimit, që ekziston, që mund të vlerësohet dhe që po e quajnë ‘kompetencë’, rezulton si domosdoshmëri. Ndaj, le të fillojmë t’i shohim qetësisht gjërat, ta lëmë mënjanë ngutjen qeveritare për “dafina” dhe të përpiqemi të kuptojmë thellë gjendjen e sistemit, sfidat e reformës dhe nevojat e nxënësve.

Do të zbulojmë këndej se në rrafshin ndërkombëtar, hulumtimi për mësimdhënien dhe nxënien është tani një nga fushat më dinamike në zhvillimin e shkencave sociale empirike. Akademia amerikane u ka kërkuar studiuesve në shkencat arsimore t’u përmbahen standardeve për kërkim të shkencave natyrore, veçanërisht inxhinierisë dhe mjekësisë. Në Britani, “Programi kërkimor i mësimdhënies dhe nxënies” ka përfshirë shtatëdhjetë projekte madhore dhe shtrihet në të gjithë aspektet e mësimdhënies dhe nxënies etj.

Por do të zbulojmë, gjithashtu, shumë nga shkaqet pse reformat tona arsimore nuk po funksionojnë si duhet. Dhe ndoshta do të bindemi për nevojën e horizonteve të rejat, si peizazhet që i motivojnë udhëtarët të gjejnë shtegun për të ecur përpara. “Duke e pasqyruar këtë në mendjen tonë – thotë filozofi gjerman Gadamer – ne kuptojmë ngushtësinë e horizontit, por dhe nevojën për zgjerimin tij, ose hapjen e horizonteve të reja”. Kjo mund ta zhvendosë kërkim arsimor nga dëshirë e ligjshme, retorikë ministrash apo predikim rektorësh, në mjetin efikas që u shërben specialistëve, mësuesve dhe shkollave.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA