Plakja e popullsisë, një problem botëror

01/10/2012 18:10

Gratë po lindin më pak fëmijë, kurse njerëzit po jetojnë më gjatë!

Këto janë rezultatet e analizave të fundit të demografëve që paralajmërojnë se ky fenomen mund të çojë në rëndimin e problemit të plakjes së popullatës në shkallë botërore.

Sektori i OKB-së për Popullatën thotë se në vitet ‘70, çdo grua në vendet në zhvillim lindte mesatarisht 6 fëmijë. Nga fundi i viteve ‘90, ritmet ranë në rreth 3,9 fëmijë për grua.

Për qindra vite me radhë, popullsia e botës është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Por, tani demografët thonë se në vendet e pasura, ashtu sikurse edhe në vendet në zhvillim po lindin më pak fëmijë.

Siç raporton Organizata Botërore e Shëndetësisë, vetëm për disa vite, në botë do të kemi më shumë njerëz mbi 60 vjeç, sa sa fëmijë nën 5 vjeç.

Specialistët thonë se kjo rënie ka ardhur për disa arsye kryesore. Së pari, gjatë dekadave të kaluara njerëzit kanë përdorur më shumë mjete kontraceptive dhe i kanë shtyrë më shumë martesat.

Gratë kanë pasur më tepër mundësi për edukim dhe për të gjetur një punë. Por, demografi Longman thotë se mbi të gjitha, rënia e ritmit të lindjeve është shkaktuar nga lëvizja e shpejtë e njerëzve nga fshati në qytete.

Drejtori i sektorit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për plakjen dhe ciklin e jetës, John Beard thotë: “Procesin më të shpejtë të plakjes po e kalojnë vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në vitin 2050, në Tokë do të jetojnë dy miliardë njerëz të moshuar dhe 80 për qind e tyre do të jetojnë në vendet që ne aktualisht i quajmë vende në zhvillim”.

Plakja e popullsisë përbën një fenomen shqetësues edhe për demografët në Shqipëri. Sipas statistikave të Insitutit të Shëndetit Publik, numri i lindjeve është ulur me 13% në krahasim me një vit më parë. Ndërsa krahasuar me vitin 2005, lindshmëria ka rënë në masën 30 %.

Nga të dhënat e analizave demografike është vënë re një lidhje e zhdrejtë midis dy grupmoshave ekstreme. Përqindja që zë grupmosha 0-14 vjeç ndaj totalit vjen çdo vit në ulje, ndërkohë që kategoria mbi 65 vjeç është në rritje.

Por, njerëzit në perëndim kanë një tjetër koncept. Për ta 60-a nuk është më moshë e madhe. Dhe gjatë këtij shekulli një 60 vjeçar ndoshta do të quhet mesoburrë. Shefja e OBSH-së, Margaret Chan e formulon ndryshe këtë fakt, sepse sipas saj, të jesh i moshuar është normaliteti i ri!

Top Channel