Një aksion i Njësisë Operacionale Speciale të Policise së Shtetit ka çuar në arrestimin e një personi të shumëkërkuar jo vetëm nga drejtësia shqiptare, por edhe ajo italiane.

Operacioni i koduar me emrin “Konfirmimi i Rremë” u krye mesditën e së hënës. I prangosuri është shtetasi Gjok Tushaj, me emrin e ndryshuar në Gjergj Tushaj, 48 vjeç nga Lezha.

Burimet e policisë deklaruan se Tusha është personi i kërkuar në Shqipëri për një ngjarje të ndodhur dy vjet më parë në Durrës, një plagosje e trefishtë, nga e cila mbetën të lënduar rëndë shtetasi azerbajxhanas Turall Maturov, si dhe ata shqiptarë Leonard Laska e Abdullah Osmani.

Nuk jepen zyrtarisht arsyet e kësaj ngjarjeje, pavarësisht se ka patur dyshime të forta për një konflikt për një sasi të konsiderueshme parash.

Ndërkohë, gjatë operacionit u shoqërua edhe shoferi i të kërkuarit, i cili më pas u la i lirë. Gjergj Tusha, deklaron zyrtarisht Policia e Shtetit, është në kërkim nga drejtësia italiane për vepra penale të lidhura me trafik droge.

Në vijim të këtij operacioni u arrestua edhe oficeri i policisë gjyqësore Aleksandër Kolmarku, i cili do të përballet me drejtësinë, ndërsa pritet të prangoset edhe një oficer policie në Lezhë, që do të përballet me akuzën e falsifikimit të dokumentave dhe shpërdorimit të detyrës.

Nëpërmjet falsifikimit të dokumentave, oficeri i policisë gjyqësore ka ndihmuar të kërkuarin Tushaj t’i shmanget drejtësisë italiane duke i përpiluar dokumentat sikur ai në kohën për të cilën akuzohet të ketë banuar në Shqipëri.

Top Channel